10-vjetori i Kushtetutës së Kosovës, njohësit e fushës: ja pse duhet të ndryshohet

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

 Për një dekadë të plotë u sfidua dhe u shkel jo pak, fatkeqësisht në disa raste edhe nga ata që e hartuan, ndërsa sfiduesi më i madh i Kushtetutës mbetet Veriu (pjesë kjo e banuar me banorë shumicë të komunitetit serb), ku zbatimi vazhdon të jetë sfidë për institucionet.

Duke parë se Kushtetuta ka jo pak mangësi dhe nuk po mundet të përballojë ndryshimet dinamike që ndodhin, njohësit e rrethanave të lëmit kushtetues vlerësojnë se është koha që të ketë ndryshime të aktit më të lartë juridik të vendit.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu mendon se është koha që të bëhet rikapitullimi i 10 vjeçarit të Kushtetutës, në çmasë i ka përballuar kohës dhe sa duhet rishkruar e riplotësuar.

Kushtetuta është e dizajnuar që të ketë brenda të tërë një plan politik të Ahitsarit dhe si e tillë ka sjellë dispozita që kanë shkaktuar ngecje në vend që të ndihmonin. Kushtetuta nuk është zbatuar në tërësi, përkundër ka pasur shkelje dhe është goditur nga personat fizik dhe nga qytetarët e padëgjuar të Veriut por dhe nga vet ana institucionale.
Mendoj se duhet të rishkruhet e tëra sepse nuk mund t’i përballoj ndryshimet dinamike, duhet të lirohet nga ngarkesat që janë bllokime të dyfishta të instrumenteve diskriminues apo favorizues për njërin apo tjetrin komunitet. Që nga preambula deri te neni i saj i fundit do të duhej të rishkruhej në mënyrë që të ketë një Kushtetutë që do të përballonte kohën
”, thotë Baraliu për tesheshi.com.

Riza Smaka, poashtu njohës i lëmit kushtetues, mendon se Kushtetuta në jo pak raste është nëpërkëmb e shkel, dhe atë nga vet funksionarët e lartë të shtetit.

Këtë sipas tij e dëshmon rasti i fundit kur u votua ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, ku thotë se krejt funksionarët e shkelën Kushtetutën duke bërë presion tek deputetë që të votojnë me çdo kusht e që bie në kundërshtim me nenin 70 të Kushtetutës që parasheh se deputeti duhet të votojë sipas bindjes e jo diktatit.

Koha ka treguar se një pjesë e konsideruar  e territorit është jashtë rendit juridik të vendit, ku përveç pjesës veriore edhe në komunat tjera serbe vendoset flamuri serb. Duke parë se nuk po gjen zbatim sa duhet mendoj se Kushtetuta do të duhej të ndryshohej së paku në 15 pika, ku një prej tyre është që teksti i saj duhet të jetë në harmoni me gjuhën shqipe, angleze dhe serbe”, thotë Smaka për tesheshi.com.

Kujtojmë se dy rastet më të mëdha kur krerët e shtetit shkelën Kushtetutën janë; rasti i ish- presidentit Fatmir Sejdiu i cili u gjet se shkeli rëndë Kushtetutën pasi mbante edhe postin e kryetarit të LDK-së (ani pse ngrirë), ndërsa edhe në kohën e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president nga Kuvendi, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje të Kushtetutës.

Kushtetuta (akti më i lartë juridik që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit) e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.  /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit