100-ditët e Ramushit, analistët në Kosovë: ja sukseset dhe dështimet

Mos i humb

100-ditëshi i qeverisë së drejtuar nga Haradinaj ka përplasur mazhorancën dhe opozitën, ku e para siç pritet flet për suksese dhe përmend marrjen e mbi 180 vendimeve, kurse e dyta e quan një tre-mujorësh të qeverisur me logjikë odash që po rrezikon të ardhmen.

Është LDK-ja e cila kritikon më së shumti Ramushin ku thotë se “suksesi” më i madh i tij është emërimi i 70 zv.ministrave dhe sipas saj asgjë tjetër të hajrit nuk ka bërë.

Por zyrtarë të qeverisë një deklarim të tillë e shohin si frikësim të partisë së Isa Mustafës ndaj vendimeve të marra nga Haradinaj ku përmendin nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, me kompaninë amerikane “Contour Global” në vlerë prej 1.3 miliard euro, projekt ky energjetik, ndarjen e mbi 33 milionë euro për të gjithë invalidët e luftës çlirimtare e vendime tjera.

Ja ç’mendojnë analistët…

Analistët politikë nuk i japin notë aq të lartë tre mujorit të parë të qeverisë ku përmendin dështimin në arenën ndërkombëtare që lidhet me mosheqjen e vizave, ndërsa ja njohin sukseset që lidhen me energjinë.

Politologu Mentor Tahiri, si pozitive sheh vullnetin për të shtyrë përpara disa probleme të cilat një kohë të gjatë janë heshtur, sikurse aspekte të cilat kanë të bëjnë me kapacitetet energjetike të Kosovës, apo edhe Ligji për Prishtinën i cili po del nga sirtarët.

“Megjithatë, kabineti aktual qeverisës ka qenë i pakujdesshëm në planin e bashkëpunimit ndërkombëtarë. Kjo pjesërisht mund të shihet edhe si mungesë e një përvojë për të vepruar si faktorë bashkëpunues në raport me aleatët tanë. Kjo papjekuri nuk është diçka që mund të kaloj pa ndëshkime, andaj është shumë me rëndësi që qeveria e Kosovës të reflektojë dhe të mos shkelë ‘vija të kuqe’ të durimit të aleatëve tanë. Qëndrimi për çështjen e Demarkacionit me Malin e zi, dhe së fundmi përpjekjet për shfuqizim të Gjykatës Speciale, janë aventura të pamenduara mirë, të cilat kushtojnë”, thotë Tahiri për tesheshi.com.

Njohësi i rrethanave politike, Faik Krasniqi, thotë se në 100 ditëshin e parë kryeministri nuk ka mbajtur shumicën e premtimeve që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore.

“Gjatë fushatës zgjedhore kryeministri Haradinaj bëri premtime të mëdha, duke filluar nga rritja e madhe ekonomike e deri tek liberalizimi i vizave brenda tre muajve, por asnjëra e as tjetra nuk ndodhi.
Kjo qeveri në këto 100 ditë mund të mburret për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Çfarë bie më së shumti në sy gjatë këtyre tre muajve është numri enorm i zv.ministrave dhe rritja e pagave të kabinetit qeveritar dhe këshilltarëve të tyre. Nëse brenda 6 muajve të parë të 2018-ës kryeministri Haradinaj nuk siguron liberalizimin e vizave dhe hapjen e mijërave vendeve të punes, duke mbështetur ndërmarrësit e rinj për hapjen e bizneseve të reja, gjë të cilën e ka premtuar edhe gjatë fushates por vazhdimisht edhe si kryeministër, nga presioni i madh publik e ka shumë vështirë të mbijetoj”, thotë Krasniqi për tesheshi.com.

Lulzim Peci, ish-ambasador, njëherit njohës i rrethanave politike mendon se qeveria ka ngecur në raport me integrimet, kurse ka bërë hap pozitiv me marrëveshjen e nënshkruar për energjinë.

“Ka ngecje me çështjet që lidhen me integrimet evropiane, dhe kjo si pasojë e krijimit të koalicionit të tanishëm qeveritar me një elefant të madh në dhomë – gjegjësisht me mospajtimet për marrëveshjen e Demarkacionit e kufirit me Malin e Zi, që në të njëjtën kohë krijon jostabilitet dhe mungesë të kohezionit jo vetëm në mes të partnerëve të koalicionit, por edhe në raportet Qeveri – Presidencë. Kurse ndër të arritura në qeverisjen qendrore që mund të përmenden gjatë kësaj kohe, është kontrata me kompaninë ‘Contur Global’ që ka të bëjë me ndërtimin e termocentralit të ri si dhe pajtimi me Maqedoninë për hetimin ndërkombëtarë të rastit ‘Kumanova’”, thotë Peci./tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit