114 mijë euro për bileta- Dallaveret me udhëtimet zyrtare në MZHE

Mos i humb

Hiç më pak se 114 mijë euro i ka shpenzuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik vetëm në vitin 2017 për bileta të udhëtimit. Kjo edhe pse për një gjë të tillë ishin paraparë vetëm 30 mijë euro.

Kjo është vetëm një nga të gjeturat e Auditorit në këtë ministri, ku janë evidentuar disa parregullsi sidomos me udhëtime zyrtare.

“Shpenzimet për bileta të udhëtimit jashtë vendit kanë shënuar tejkalim në raport me planifikimin/kontraktimin e tyre. Në kontratë janë parashikuar 30,000€ për vit, ndërsa vetëm në vitin 2017 janë realizuar/shpenzuar 114,076€. Ministria ka kontratë kornizë “Shërbime udhëtimi me aeroplan për nevojat e MZHE-së”, për 36 muaj (nga dt. 23.03.2015 deri 23.03.2018), që ishte para ndryshim/plotësimit të ligjit të prokurimit. Në nenin 3.1 të kontratës është përcaktuar se vlera e kontratës të jetë përafërsisht 30,000€ për vit. Mirëpo, vetëm gjatë vitit 2017 nga kjo kontratë është paguar vlera prej 47,248€ apo 57% më shumë se vlera e përcaktuar në kontratë. Për më tepër, nga data 13.04.2017, ministria ka lidhur marrëveshje me OE për shfrytëzimin e kontratës së AQPsë4, dhe me këtë kontratë janë bërë pagesa për bileta në vlerë prej 66,828€”, thuhet në raportin e Auditorit, raporton lajmi.net.

Dallavare me udhëtime jashtë vendit janë evidentuar sidomos në arsyetimin e shpenzimieve, dhe mungesën e faturave.

Në tri raste është gjetur se mungojnë faturat për shpenzimet e fjetjes, e në 11 raste ajo e udhëtimit.

“Lidhur me shpenzimet e udhëtimit kemi vërejtur se, në tri raste mungojnë faturat për shpenzimet e fjetjes6. Ndërsa në 11 raste mungon dëshmia e udhëtimit (boarding pass), si dhe arsyeshmëria e udhëtimit nuk ishte e duhur në shumicën e rasteve. Po ashtu formulari i kërkesës për udhëtim nuk është nënshkruar nga zyrtarja e personelit dhe nuk është përdorur formulari zyrtarë për llogaritjen e shpenzimeve për udhëtime zyrtare”, ka gjetur Auditori.

Madje në një rast edhe pse zyrtarja e ministrisë ishte angazhuar me punë vullnetare pas pensionimit, për një udhëtim në Turqi ajo u pagua 996 euro.

“Për më tepër, udhëtimi zyrtar për në Turqi në vlerë prej 996€ ishte bërë për ish zyrtaren e ministrisë, e cila në ministri është e angazhuar me punë vullnetare pas moshës së pensionimit. Sipas rregullores nr. 20/2012 për punë vullnetare të nëpunësve civil, neni 7 përcakton përgjegjësitë e institucionit, me rastin e angazhimit në punë vullnetare të nëpunësve civil pas pensionimit, mirëpo mbulimi i këtyre shpenzimeve nuk parashihet”, ka gjetur Auditori.

Problem tjetër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik mbete niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve që Auditori i ka dhënë në vitin paraprak.

Gjë që është evidentuar edhe në shumicën e institucioneve tjera./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit