6 aplikacione për ju që doni ta shfrytëzoni ditën në maksimum!

Mos i humb

Që kur iOS 12 më vuri në celular opsionin Screen Time, shumica e kohës sime kalon duke parë sa orë shpenzoj me sytë mbi ekran sesa duke harxhuar minuta të vyera në Instagram a gjetkë.

Screen Time gjendet në Settings dhe çdo javë më përpilon një raport ku radhiten sa orë kam shpenzuar në celular dhe ç’kam bërë. Raporti i parë që mora, shkruante e zeza mbi të bardhë, se unë kisha harxhuar plot 30 orë në celular… Unë punoj 38 orë në javë dhe shpërdoroj 30 orë të tjera. E trishtë.

Shumë prej jush mund të gjenden në situatën time dhe prandaj listova disa aplikacione që supozohet të limitojnë kohën e çuar dëm duke parë foto të njerëzve që s’u flet prej vitesh apo duke postuar foto që t’i shohin njerëz që s’të flasin prej vitesh. Është momenti të thyejmë rrethin vicioz, qofsh student, i vetëpunësuar apo punonjësi tipik 9 me 5.

Be Focused

Ky aplikacion ju ndihmon të menaxhoni ditën e punës duke e segmentuar në intervale kohore të përcaktuara me pushime nga një interval në tjetrin. Mund të zgjidhni teknikën standarte, e njohur si Teknika Pomodoro, e cila konsiston në intervale pune 25 minutëshe me pushime 5 minutëshe përmidis. Sipas kësaj teknike, njerëzit janë më produktivë kur punojnë të pashpërqëndruar për 25 minuta.

Çmimi: $1.99

Todoist

Todoist është një menaxher angazhimesh që të lejon të shtosh ç’po mendon për momentin pa u shqetësuar shumë dhe aplikacioni i ndan në kategori për ty. Mund t’u përcaktosh ngjyra angazhimeve dhe punëve për t’i ndjekur më me lehtësi. Gjithashtu, listat e gjërave për t’u bërë mund të sinkronizohen me aplikacione të tjera organizative që përdorni. Ndërfaqja është e pastër dhe e thjeshtë.

Çmimi: Falas

Forest

Aplikacioni më i lezetshëm në këtë listë, Forest, të lejon të mbjellësh një pemë kur do të fokusohesh. Pema rritet dhe rritet sa më gjatë të rrish ti pa e prekur telefonin dhe pa u shpërqëndruar. Nëse i dorëzohesh tundimit të Instagramit a diçkaje tjetër, gjethet vyshken e varen. Sa më shumë pemë të mbjellësh, aq më i dendur pylli yt. Në këtë mënyrë, i sheh frytet e punës në kuptimin e parë të fjalës. Aplikacioni është partner i Trees for the Future dhe mbjellin pemë në jetën reale.

Çmimi: $1.99

Doo – Get Things Done

Nëse një listë e pafund me gjëra për t’u bërë të merr frymën dhe të streson, ky aplikacion të gjendet pranë. Doo i ndan detyrat në hapa më të menaxhueshëm, më lehtësisht të arritshëm. Faqja e parë të tregon një detyrë, në formën e një karte nga një tufë (si puna e Tinder), në vend të të gjithë detyrave në një vend të vetëm.

Çmimi:$ 4.99

Remember The Milk

Ky aplikacion është perfekt për atë që do t’i bëjë të gjitha në të njëjtën kohë. Mund të krijosh etiketa, detyra, lista smart, nëndetyra, mund të kërkosh listimet e mëparshme, të vendosësh përkujtues dhe alarme. Gjithçka mund të organizohet sipas dëshirës sate, në këtë mënyrë s’të humbet asgjë nga sytë.

Çmimi: Falas

Class Timetable

Ky aplikacion u vlen më së shumti studentëve. Mund të përdoret si kalendar, për të parë javën në tërësi, ose një ditë të vetme. Ndërfaqja është e pastër dhe e qartë. Gjithashtu mund të shënoni ç’keni për të bërë në secilën lëndë. Plus, të njofton kur është leksioni a seminari i radhës dhe ç’detyra duhet të kesh përfunduar deri atëherë.

Çmimi: Falas

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit