84 gjoba për ata që ndotën ambientin, sfidë mbetet mungesa e tiketave

Mos i humb

84 gjoba janë shqiptuar ndotësve të mjedisit vetëm gjatë muajit dhjetor, bën të ditur Let`s Do It Kosova.

Në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, kjo organizatë joqeveritare është duke monitoruar zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor.

Listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuar i prin ajo e Prishtinës me gjithsej 25, pasuar nga Komuna e Mitrovicës dhe Junikut, me nga 10 gjoba të shqiptuara, për të vazhduar me Pejën, ku janë shqiptuar 6 gjoba dhe Prizrenin me 4 gjoba të shqiptuar për ndotësit e mjedisit.

Me nga tri gjoba të shqiptuara janë Komuna e Vushtrrisë, Malishevës, Deçanit, Rahovecit dhe Gjilanit.
Në Komunën e Lipjanit dhe atë të Drenasit janë shqiptuar vetëm nga dy gjoba për ndotësit, ndërsa në Komunat, si: Suharekë, Shtime, Istog, Gjakovë dhe Obiliq janë shqiptuar vetëm nga një gjobë për ndotësit.

Sipas të dhënave nga monitorimi i Let`s Do It Kosova, në komunat, si : Fushë Kosovë, Skenderaj, Podujevë, Viti, Kamenicë, Kaçanik, Hani i Elezit dhe Klinë, nuk është shqiptuar asnjë gjobë.

Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara.

Sipas, Let`s Do It Kosova, sfidë për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore vazhdon të mbetet mos pajisja e Policisë së Kosovës me tiketa të gjobave mandatore si dhe mungesa e inspektorëve mjedisor në disa prej komunave.

Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit