A është e bashkuar opozita për ta rrëzuar Qeverinë?

Mos i humb

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda   ka thënë se kanë grumbulluar 27 nënshkrime të deputetëve  të Kuvendit të Kosovës për të nisur mocionin për rrëzimin e qeverisë. Dy deputetët e Alternativës, 24 të LDK-së dhe nënshkrimi i deputetit të Pavarur, Korab Sejdiut tashmë figurojnë në listën e kësaj iniciative.

Sipas tij, deklaratat e partive opozitare se do ta rrëzojnë shpejt qeverinë, janë të rreme, pasi nuk po merret asnjë hap konkret. Sidoqoftë, Deda ka kërkuar  mbështetjen e pjesës tjetër të opozitës, Vetëvendosjes dhe PSD-së që të japin nënshkrimet e tyre dhe të nisin mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se partia e saj vazhdimisht ka qenë pro rrëzimit të qeverisë, por që nuk ka marrë mbështetje të plotë nga partitë e tjera opozitare.

Ajo thotë se kjo qeveri është shumë e dëmshme për vendin prandaj duhet larguar sa më parë.

‘Vendi sot është në një  krizë të thellë dhe po rrezikohet në vazhdimësi nga kjo qeveri. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e Haradinajt për shkak të skandaleve të çdojavshme, ndoshta edhe më shumë. Kemi kërkuar edhe mocion votimi, pra kjo qeveri e pakicës nuk e ka legjitimitetin. Duke parë se si po shkojnë rrethanat, natyrisht që jemi të detyruar që të  angazhohemi për formën e tretë të mundshme, që është rrëzimi i Qeverisë.’tha Haxhiu.

Haxhiu thotë se VV do të jetë pjesë e këtyre iniciativave sepse qeveria Haradinaj po sjell vetëm të këqija.

‘Natyrisht që VV do të jetë pjesë e nismave të tilla për shkak se ne konsiderojmë që kjo qeveri është jashtëzakonisht e dëmshme  dhe çdo ditë të saj në krye me Haradinajn, është humbje shprese për qytetarët e vendit. Natyrisht ne si VV do të angazhohemi maksimalisht që kjo të mos ndodh.’, thotë ajo.

E pyetur nëse do të bëheshin votat kundër qeverisë, pa ato të Listës Serbe, Haxhiu mendon se do kishte një angazhim në këtë drejtim, duke marrë parasysh faktin që brenda koalicionit ka që nuk pajtohen me mënyrën e qeverisjes Haradinaj.

‘’Ka pasur shumë akuza të qëllimshme të pozitës se po dëshironi që ta rrëzoni Qeverinë me votat e Listës Serbe. Unë besoj që kjo qeveri është e dëmshme dhe shumë më mirë është që të rrëzohet se sa të  lihet të vazhdojë. Duke marrë parasysh faktin që janë duke bërë përgatitje për Zajednicën, pastaj negociatat me Serbinë, prandaj Haradinaj  është i pafuqishëm karshi një personi si Hashim Thaçi dhe në fakt  të shërbejë si vegël e Thaçit  dhe natyrisht kjo është e rrezikshme për vendin. Unë besoj nëse do të kishte një angazhim në këtë drejtim, natyrisht që do të mund të bëhej  e mundur edhe duke marrë parasysh faktin  që brenda koalicionit  nuk pajtohen me mënyrën e qeverisjes, prandaj edhe po them që nevojitet një angazhim i përbashkët që të kemi sukses’,ka thënë ajo për Periskopin.Deputetja e VV-së ka akuzuar partitë opozitare për mos gatishmëri të plotë në këtë aspekt, në veçanti  Partinë Socialdemokrate-PSD.

‘Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka qenë pro rrëzimit të qeverisë, por nuk ka marrë mbështetje nga partitë opozitare, me theks të veçantë nga PSD-ja. Pra siç e kemi dëgjuar edhe vetë, kanë dilema nëse vendi do të shkojë në zgjedhje dhe kjo natyrisht është për shkak të interesave të tyre dhe dyshimeve nëse do të mund të kenë sukses në zgjedhje të reja, por besoj që asnjëra prej subjekteve politike do të mund të vendoste subjektin përpara Republikës së Kosovës’, thotë ajo.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë për Periskopin se kjo po bëhet temë për konsum politik por nuk po ka asgjë konkrete, por nëse bëhen votat për rrëzimin e Qeverisë, mbështetjen do ta marrë edhe nga partia që ai përfaqëson.

“Partia Socialdemokrate nuk e mbështet në asnjë rrethanë dhe asnjë çmim këtë qeverinë aktuale të Republikës së Kosovës dhe si gjithnjë është e gatshme me u dakordu dhe me hap diskutimin me partitë tjera opozitare të cilat janë të gatshme me çu vendin në zgjedhje”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, është e pandershme që kjo temë po përdoret me muaj të tërë për konsum politik por asnjëherë nuk po merret iniciativë konkrete për mbledhjen e nënshkrime për mocionin e mosbesimit.

“Besoj që është edhe e padrejtë e deri diku edhe e pandershme nga disa eksponent të partive opozitare të cilët po vazhdojnë për muaj të tërë me majtë këtë temë si temë publike, e në anën tjetër asnjëherë nuk e marrin iniciativën konkrete për mbledhjen e nënshkrimeve dhe për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Çdo diskutim I cili nuk I paraprinë veprimeve mendoj që është vetëm për konsum politik”, u shpreh ai.

Molliqaj tha se PSD’ja, ditën kur t’i ofrohet një mocion për rrëzimin e Qeverisë, do ta mbështesë atë me kushtin që ky mocion e ka mbështetjen.

“Nëse mocioni është vetëm sa për konsum politik të kujdo qoftë, atëherë ne nuk besojmë që duhet të bëhemi pjesë e dickaje që nuk është serioze. Përndryshe nëse njëra nga partitë opozitare siguron votat e mjaftueshme, atëherë edhe PSD do ta mbështetë”, tha Molliqaj.

Partitë politike në vend ka javë që organizojnë tryeza për një koncensus politik, madje edhe për zgjedhje të mundshme, por ende nuk është arritur asgjë në këtë drejtim./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit