A ka koalicion Vetëvendosje me PDK-në në Prishtinë?

Mos i humb

Kundër pretendimeve të Partisë Social Demokrate, se Lëvizja Vetëvendosje ka koalicion me PDK-në në Prishtinë kundër Shpend Ahmetit, ka reaguar PDK-ja.

Asambleja e Komunës së Prishtinës në përbërje Lëvizjes Vetëvendosje, PDK e LDK morën vendim që të shkarkojnë Aksionarin e Ndërmarrjes Publike Banesore, Qëndrim Sahiti që vjen nga radhët e partisë së Shpend Ahmetit, PSD.

Shkarkimi i këtij zyrtari i ka mobilizuar dje gati të gjitha autoritetet e PSD-së, përfshirë edhe kreun, Shpend Ahemti duke drejtuar akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosjes se është bërë bashkë me PDK-në.

“Sot, edhe zyrtarisht e publikisht, nisi bashkëpunimi/koalicioni PDK-VETËVENDOSJE! në Prishtinë. Koalicion ky kundër të gjithë votuesve që e votuan Shpend Ahmetin me programin e tij qeverisës. Koalicion për të keqen e Prishtinës. E dhimbshme, por jo e papritshme. Por, qytetarët e Prishtinës do ta vlerësojnë punën e mirë të kryetarit Shpend Ahmeti dhe do t’i ndëshkojnë me votë ata që tentojnë ta bllokojnë zhvillimin e Prishtinës ashtu siç e ndëshkuan PDK-në në zgjedhjet e fundit”, ka thënë Dradan Molliqaj i PSD, shkruan lajmi.net.

Lidhur më pretendimet e PSD-së se PDK ka koalicion me VV-në kundër Shpend Ahmetit ka reaguar, Migjen Shala, asamblist i PDK-së në Kuvendin e Prishtinës.

Shala tha për lajmi.net se ka qenë i mjaftueshëm argumenti i VV-së për shkarkimin e atij Aksionari.

“Argumentimi i paraqitur nga propozuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në seancë ka qenë argument i mjaftueshëm për PDK-në që të votojë për shkarkimin e atij Aksionari. Pra, u paraqiten argument se edhe ministria ka gjetur shkelje në konkursin për Drejtor Bordi në NPB dhe argumente tjera, dhe për ne ishin të mjaftueshme dhe votuam për shkarkim. PDK nuk është në koalicion me asnjë parti, por  grupi jonë parlamentarë do të votojë pro ose kundër për të gjitha ato vendime që ne mendojmë se janë në të mirë të qytetarëve të Prishtinës. Madje, kjo do të bëhet dhe po bëhet pa pasur edhe ndonjë ndikim nga partia jonë”, tha Shala.

Asamblisti i PDK-së që është edhe nënkryetar organizativ i OVL të UÇK-së ia ka kujtuar Ahmetit se PDK po i voton shumicën e propozimeve që ai i dërgon në Kuvend,edhe pse nuk kanë koalicion me të.

“Siç e thash ne nuk kemi asnjë koalicion në Prishtinë, dhe lidhur më këtë dua të kujtojë se ne po i votojmë shumicën e vendimeve që po i bije Shpend Ahmeti. Tash a kemi koalicion me te ? Por më duhet të them se PDK-ja do të bëjë koalicion me çdo njërin që angazhohet për të mirën e Prishtinës, nëse është nevoja edhe me Shpend Ahmetin. Sa për fotografin nuk kam ndonjë komente. Është një fotografi e bërë e opozitës pas mbledhjes, pasi pozita nuk ishte andej. Nuk kam problem me dal në fotografi me asnjë kolegë asamblistë. Kjo as që duhet të diskutohet”, shtoi tutje Shala.

Ndryshe, në seancën e djeshme asamblisti i VV-së, Egzon Azemi i propozoi Kuvendit që të shkarkohet Aksionari i NPB-së, Qëndrim Sahiti, pasi i njëjti së bashku më Aksionarin tjetër Dren Kukaj –drejtor i Pronës të cilin mund ta shkarkojë vetëm Shpend Ahmeti, kishin marrë vendime të kundërligjshme për inicimin e konkursit për Drejtor të Bordit të NPB-së. Këto shkelje i kishte konstatuar edhe Ministria e Zhvillimit e Ekonomik.

Ndërkaq, pas vendimit për shkarkim, kishte reaguar edhe vetë kryetari Ahmeti.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka shkruar se “Nuk kam menduar asnjëherë që VV do të bëhet bashkë me LDK e PDK në Prishtinë për të shkarkuar një aksionarë dhe pastaj në mënyrë jubilante të fotografohen me ata që deri dje thonin se e shkatërruan qytetin. Përkundër dallimeve, për neve është e qartë kush ka bërë dëm në qytet e kush e ka luftuar krimin. Po ashtu është e qartë se kush duhet të bart përgjegjësi për keqqeverisjen në shtetin tonë”./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit