A mund të mos kemi fëmijë për shkak të sihrit?

Mos i humb

Pyetje: Burri eshte ne pune her pas here, por sa her shkon ne pun dy dit qe i ban ne pun lendohet. Ka koh qe me ka vdek nje femij e burri ka qene te nje hoxh dhe i ka thon qe keni sehire per me ju vdek femija dhe ti mos me punu kurr e me pas perlamje ne shpi. I ka than burrit qe me shku te vorri djalit dhe te i gjyshes vet me marr dhe te vorrit dhe me ate ujin e dheut me la fytyren une edhe burri qe me pas do te lindim femij te shnosh edhe burri nuk do ket probleme ne pune. E burri don me shku me ba si i ka thon hoxha po une nuk kam deshir se kam frike Allahut. Ju lutem mu pergjigjni urgjent ne kete pytje. Allahu ju shperbleft hoxha efendi Omer Bajrami.

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Për të qartësuar problemin tuaj dhe për të ju ndihmuar sadopak në zgjidhjen e tij, do të ndalemi në disa pika:

Së pari: Në çdo shtëpi dhe në çdo familje ka probleme. E nëse nuk ka shenja të sihrit në shtëpinë tuaj, mos mendoni në këtë aspekt, ngase problemet nuk vijnë vetëm nëpërmjet tij.

Së dyti: Sipas besimit të Ehli Sunetit sihri është i vërtetë dhe ka ndikimin e tij.

Thotë Allahu (azzevexhel): “E mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (sihrin) me të cilin ndanin burrin prej gruas së tij, edhepse nuk mund t’i bënin dëm askujt pos me lejen e Allahut. Dhe mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre“. (Bekareh – 120)

Gjithashtu është vërtetuar se jehudët ju kishin bërë sihër muslimanëve në Medine, që mos të ju lindin fëmijë. E kur lindi fëmiu i parë i tyre, i cili ishte Abdullah ibn Zubejri muslimanët u gëzuan shumë. Ngase ju kishin thënë atyre se jehudët ju kanë bërë sihër dhe nuk do të mund të lindni fëmijë. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Thotë Imam Ibn Kudameh: Sihri është i vërtetë dhe ka ndikim. Prej tij ka sihër (magji) që e mbytë njeriun, që e sëmurë atë, që e pengon burrin prej marrëdhënieve me gruan e tij, që e ndanë burrin prej gruas dhe që e futë urrejtjen apo dashurinë në mesin e tyre. (El-Mugni 10/104)

Gjithashtu Shejh Ibn Xhibrini kur u pyet se: A ka mundësi që njeriu të mbetet steril dhe mos të ketë fëmijë për shkak të sihrit? Tha: Në esencë steriliteti është në dorën dhe caktimin e Allahut, sikur që thotë Ai: “Dhe e bën kënd të dojë steril“ (Shura-50) … Dhe ka mundësi që steriliteti të jetë prej ndonjë vepre të shejtanit e cila bëhet nëpërmjet magjistarëve, të cilët mund t’i bëjnë burrit apo gruas ndonjë gjë e cila e pengon shtatzëninë e saj dhe këtë e bëjnë me hile të fshehta në të cilat i ndihmojnë shejtanët… (Es-Savaikul Murseleh 184/186)

Thotë Shejh Usameh ibn Jasin (i specializuar në këtë lëmi): Varet nga qëllimi i sihirbazit. Nëse qëllimi i sihrit të tij është që të dëmtohet apo mbytet foshnja, ka mundësi të ndodhë kjo me caktimin e Allahut universal dhe jo me caktimin e Tij fetar. (Munteda Rukjeh Sher’ijeh)

Kështuqë një gjë e tillë mund të bëhet nëpërmjet sihrit, edhepse pa dyshim asgjë nuk mund të ndodhë pos me lejen dhe caktimin e Allahut (azzevexhel).

Andaj nëse në bazë të rrethanave që i keni, mendoni se ka mundësi që dikush t’u ketë bërë sihër, atëherë mund të kontaktoni me ndonjë prej hoxhallarëve të cilët fryjnë me Kur’an dhe ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi (salallahu alejhiveselem).

Së treti: Hoxha i cili e ka porositur burrin tuaj që të merr dhe në varreza dhe të përshkojë me të fytyrën e tij, ai nuk është gjë tjetër përveçse një prej sihirbazëve, nxënësve të Iblisit dhe ndihmues i devijimit në rrugën e tij. Dhe shkuarja tek ai person i ashtuquajtur “hoxhë” është e ndaluar në Islam.

Thotë Pejgamberi (salallahu alejhi veselem): ”Kush shkon te falltori dhe kërkon ndonjë gjë prej tij, nuk i pranohet namazi katërdhjetë ditë”. (Transmeton Muslimi) E në një transmetim tjetër thotë: “Kush shkon te falltori dhe e beson atë që ai e thotë, ka bërë kufër në atë që i ka zbritur Muhamedit (salallahu alejhiveselem)”. (Transmeton Imam Ahmedi dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të vërtetë)

Së katërti: Marrja e dheut në varreza dhe përshkimi i fytyrës dhe trupit me të, duke shpresuar në dobinë e tij, apo duke besuar në ndonjë mbrojtje të ndonjë dëmit prej tij, është shirk në Allahun (azzevexhel). Ngase çdo gjë është në dorën e Allahut dhe nuk mund të sjellë askush ndonjë dobi pos me lejen e Allahut. E çfarë dobie mund të sjellë dheu i varrezave?

Thotë Allahu (azzevexhel): “Thuaj (o Muhamed): Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shtoja për vete të mirat, dhe nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëmse qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë”. (A’raf – 188)

Së pesti: Mundohu që ta ndalosh burrin tënd nga kjo vepër e shëmtuar dhe kërko prej tij që të sjellë ndonjë hoxhë i cili pason Kur’anin dhe Sunetin në vendin tuaj dhe i cili mund të ju ndihmojë prej së afërmi në zgjidhjen e problemit tuaj. Si dhe mundohu që t’ia mundësosh burrit tënd që ta lexojë këtë përgjigje, e që ndoshta sadopak do të ndikojë në zemrën dhe ndryshimin e bindjes së gabuar të tij.

Ndërsa nëse kjo përgjigje ju arrin pas veprimit të tij të gabuar, atëherë kërkoni prej tij të pendohet tek Allahu (azzevexhel) dhe të ndryshojë këtë bindje të devijuar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit