“Ai që humbet amanetin dhe pranon tradhëtinë, është zhveshur nga fetarizmi!”

Mos i humb

Vazhdojmë të flasim mbi kuptimet e besës në Islam. Dhe, pa dyshim, kjo është një temë e ndërlikuar, sepse ka të bëjë me përkushtimin e njerëzve dhe natyrën e tyre.

Fjala bie, është transmetuar se: “Mexhliset janë amanet”, dmth, ajo që flitet në një ndenje të caktuar, duhet të mbetet aty. Ndodhesh në një mexhlis së bashku me dy, tre a më shumë miq e shokë. Në fund të fjalës thua: Ju lutem, kjo bisedë të ngelet në mes nesh!

Për çudi, ndodh që sa më tepër që e përmend këtë shprehje, (që në fakt nuk ka nevojë të përmendet, sepse është e natyrshme që bisedat e ndenjave të ngelen amanet i tyre), aq më shumë ajo përhapet në mesin e njerëzve!? Dhe ti befasohesh që fjala ka dalë. Hajr, çfarë ka ndodhur? Asgjë! Thjeshtë, dikush nuk e ka mbajtur fjalën dhe ka prishur amanetin e mexhlisit!? Ia ka thënë dikujt dhe ai dikushi, dikujt tjetër dhe kështu me radhë… Dhe, dalëngadalë, shoqëria humbet besën, amanetin, vlerat..!?

Në Kur’anin Famëlartë ka një sure që quhet El-Mu’minunë, sureja e Besimtarëve. “Kanë shpëtuar besimtarët. … Edhe ata që amanetet dhe besën e tyre ruajnë…” – (ajeti 8).

Ndërsa Resulull-llahu (a.s.) na mëson se: “Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tre: Kur flet gënjen, kur premton nuk e mban fjalën dhe, kur zihet në besë tradhëton!”, siç transmetohet nga Imam Bukhariu.

Muslimani nuk gënjen. Nuk ka nevojë të betohemi, sa herë flasim për të dëshmuar se nuk gënjejmë!? Unë jam musliman dhe nuk gënjej. Mesele e mbyllur! (Kështu duhet të jetë, pavarësisht se në jetë jemi sprovuar edhe me njerëz afër nesh, që gënjejnë, vjedhin e presin në besë, pavarësisht pretendimit të besimit e fesë!? Ai që të gënjen e të mashtron, të vjedh e të pret në besë, nën maskën e besimit e fesë është njeri i sëmurë dhe i prishur, dyfish i djallëzuar!?)

Në Kur’anin Famëlartë, në suren El-Isra, urdhëron: “Ruajeni besën, sepse do të pyeteni për të!”.

Resulull-llahu (a.s.) i tha një ditë sahabëve të tij: “Kur të humbasë besa, pritni kijametin!”. Ata u habitën dhe e pyetën: Kur do të humbasë besa? Ai ia ktheu: “Kur çështja t’i lihet në dorë jofamiljarëve të saj, prit kijametin!”.

Që të mos shkojmë tek kijameti i madh, që e kemi në majë të gjuhës, saqë duket se disa sot, janë kthyer në gjuetarë të shenjave të kijametit!? Rrini të qetë dhe mos i frikësoni njerëzit se nuk bëhet kijameti, përderisa jetojmë e punojmë me “La ilahe il-lall-llah”! Ne nuk jemi thirrës të kijametit! Lërini njerëzit e qetë se nuk bëhet kijameti, përderisa dëshmojmë fenë tonë dhe e përhapim mirësinë e saj me sa të kemi mundësi, pa ndrojtje, pa frikë, pa hezitim!

Ata, që nuk janë të aftë të edukojnë një brez me moralin dhe vlerat e “La ilahe il-lall-llah”, garojnë për të mbushur jetën e njerëzve me shenja kijameti e frikësime të stisura. Feja islame nuk ka ardhur për të frikësuar racën njerëzore!

Kijamet është, kur i paafti merr në dorë drejtimin e një ndërmarrjeje me vlerë! Kijamet është, kur drejtuesit e institucioneve vendosen mbi bazën e devotshmërisë në parti e shoqëri, jo aftësive profesionale! Kijamet është, kur i afti mënjanohet dhe njeriu-numër mbush boshllëkun në drejtimin e një iks funksioni në jetë! Etj., etj.!

Kijameti është shkatërrimi, shpërbërja, prishja! Dhe, Resulull-llahu (a.s.) e lidhi kijametin me humbjen e besës! Prandaj, kanë thënë të shkuarit: “Ai që humbet amanetin dhe pranon tradhëtinë, është zhveshur nga fetarizmi!”.

Muslimani është me vepra, jo me fjalë e pretendime!

(Nga Muhamed Sytari, dersi i sabahut, më 21 janar 2020, në xhaminë e Parrucës)

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit