Akar: Avionët që transportuan pjesë të sistemit S-400 arritën në Ankara

Mos i humb

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se dërgesat e para të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 kanë arritur në Ankara.

“Ashtu siç ishte planifikuar, tre avionë që transportuan pjesë të sistemit S-400 arritën në Ankara”, tha Akar duke folur për gazetarët.

Ministri turk i mbrojtjes po ashtu bëri të ditur se trajnimi i stafit turk për instalimin dhe operimin e sistemeve S-400 po vazhdon si në Turqi, ashtu edhe në Rusi.

Akar foli edhe për raketat amerikane Patriot, duke theksuar se “blerja e mundshme e raketave amerikane Patriot po shqyrtohet nga zyrtarët dhe institucionet turke”.

Më herët gjatë ditës, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se transferimi i grupit të parë të pajisjeve të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400 për në Turqi ka filluar.

“Dërgesa e grupit të parë të pajisjeve të Sistemit Ajror me Rreze të Gjatë dhe të Mbrojtjes Raketore S-400 në Bazën Ajrore Mürted/Ankara ka filluar nga data 12 korrik 2019”, thuhet në një njoftim të ministrisë. Agjencia e lajmeve TASS, duke cituar burime diplomatike, tha se transferimi i pjesëve të sistemit rus do të realizohet në tri grupe, duke shtuar se dërgesa e dytë do të kryhet me avion dhe e treta përmes rrugëve detare.

Turqia firmosi marrëveshjen për furnizim me sistemin S-400 më 11 prill të vitit 2017, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin amerikan Patriot.

Zyrtarët e SHBA-së kanë kundërshtuar blerjen e S-400 nga Turqia, duke argumentuar se sistemi rus nuk përputhet me sistemet e NATO-s.

Megjithatë, Turqia ka theksuar se S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbëjë kërcënim për aleancën.

Turqia gjithashtu ka potencuar se ka qenë refuzimi i SHBA-së në lidhje me sistemet Patriot që i ka detyruar të kërkojnë shitës të tjerë, duke shtuar se Rusia i ofroi Ankarasë një marrëveshje më të mirë, duke përfshirë edhe transferimin e teknologjisë.

Ankaraja po ashtu ka argumentuar se Turqia nuk është vendi i vetëm i NATO-s që do të përdorë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit