Akar: Përgatitjet për operacionin e afërt në veri të Sirisë janë “në vazhdim”

Mos i humb

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar ka deklaruar se përgatitjet për operacionet e planifikuara ushtarake në lindje të lumit Eufrat janë në vazhdim.

Ministri Akar, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Yağar Güler dhe komandantët e përgjithshëm të forcave të armatosura morën pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit akademik 2019-2020 të akademisë së forcave ajrore.

“Transferimet dhe operacionet ushtarake janë duke vazhduar. Ne me komandantët jemi duke ndjekur procesin nga afër”, u tha Akar gazetarëve para ceremonisë.

Në tre vitet e fundit, rrethi verior Tel Rifat i Sirisë është pushtuar nga YPG/PKK-ja, me shpresën për të lidhur qytetin veriperëndimor Afrin me zonat nën kontrollin e grupit terrorist në lindje të lumit Eufrat, duke krijuar kështu një zonë ndikimi përgjatë kufirit të vendit me Turqinë.

Grupi terrorist YPG/PKK përdor akronimin SDG si një mbulesë për të marrë mbështetjen e SHBA-ve. Terroristët kanë pushtuar 28 për qind të territorit sirian.

Turqia është e gatshme të fillojë operacionin “Pranvera e Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste, me qëllim kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Turqia ka theksuar se grupi terrorist PKK dhe dega e saj YPG/PYD përbëjnë kërcënimin më të madh për të ardhmen e Sirisë, duke rrezikuar integritetin territorial dhe strukturën unitare të vendit. Turqia po ashtu ka theksuar se mbështetja e terroristëve nën pretekstin e luftimit të DEASH-it është e papranueshme.

Vendi ka një kufi prej 911 kilometrash me Sirinë dhe që moti ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit dhe formimin e një “korridori terrorist” atje.

Ankaraja planifikon të rikthejë 2 milionë sirianë në një zonë të sigurtë prej 30 kilometrash që do të krijohet në Siri nga lumi Eufrat në kufirin e Irakut, përfshirë Munbixhin. Megjithatë, prania e grupeve terroriste si PKK, PYD dhe YPG rrezikojnë formimin e zonës.

Turqia ka çliruar nga grupet terroriste një sipërfaqe prej 4.000 kilometra katrorë në Siri në dy operacione të ndara ndërkufitare. Që nga viti 2016, Turqia ka kryer dy operacione të mëdha ushtarake në veri-perëndim të Sirisë, atë “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, për të pastruar rajonin nga grupet terroriste të DEASH-it dhe YPG-së, e cila është dega siriane e grupit terrorist PKK.

Të dy operacionet ishin në përputhje me të drejtën e vendit për vetëmbrojtje të mbështetur në ligjin ndërkombëtar, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe nën të drejtën për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së, përderisa ka respektuar integritetin territorial të Sirisë.

Gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit” forcat turke neutralizuan 3.060 terroristë të DEASH-it. Turqia ka pësuar shumë nga sulmet e DEASH-it brenda vendit. Në vitet e fundit, mbi 300 persona janë vrarë në sulmet e pretenduara nga DEASH-i në Turqi, ku grupi terrorist ka shënjestruar civilë me bomba vetëvrasëse dhe sulme të armatosura.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit