AKP: Deklarimet e Mustafës, paragjykime të pasakta, të dëmshme që lëndojnë rëndë imazhin e Bordit

Mos i humb

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është befasuar me deklarimet e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa në lidhje me AKP-në dhe Bordin e që lidhen me shkarkimin e drejtorit menaxhues dhe më pas dorëheqjen e kryesuesit të Bordit.

“Kryetari i LDK-së, ish kryeministri Mustafa duhet ta ketë parasysh se është obligim ligjor që vendimet e Bordit të Drejtorëve të respektohen nga të gjithë, edhe atëherë kur vendimet për ndonjë arsye mund të mos pëlqehen, ashtu siç është detyrë e obligim i të gjithëve që të respektohet integriteti i anëtarëve të Bordit si të emëruarit e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Rikujtojmë se struktura aktuale e Bordit të Drejtorëve është votuar në Kuvendin e Kosovës edhe nga deputetët e partisë që udhëheqë z.Mustafa”, thuhet në reagim.

Për më tepër në reagim thuhet se AKP nuk është agjenci qeveritare dhe as politike, por është institucion i Kuvendit, mbikëqyret nga Kuvendi dhe i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Vlerësimet selektive e subjektive për anëtarë të caktuar të Bordit në njërën anë e paragjykimet për kinse veprime joligjore për anëtarë të tjerë të Bordit janë të pasakta, të dëmshme që lëndojnë rëndë imazhin e shtatë Drejtorëve të Bordit, të Agjencisë si institucion i të qindra të punësuarve në AKP që punojnë me përkushtim e sakrificë në procesin ndër më të ndjeshmit për vendin tonë”, thuhet në reagim, shkruan ksp.

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbetet i përkushtuar për të kryer mandatin e vet ligjor dhe kërkon nga të gjithë institucionet e nga përfaqësuesit e tyre që të japin kontributin e tyre në funksion të ndihmës e zhvillimit të procesit të privatizimit në Kosovë.

Petrit Gashi para dy ditësh ka ofruar dorëheqjen nga pozita e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Për këtë ka reaguar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se “ata që nuk vodhën dhe nuk manipuluan as për vete as për të tjerët u detyruan të largohen”.

Sipas tij, është e dhimbshme që pas një pune të suksesshme dhe vënie të rregullit në AKP, drejtuesit e këtij agjensioni të detyrohen të shkarkohen dhe të japin dorëheqje./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit