Aksioni i ujit, Bashkia e Tiranës: Të vendosur për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme

Mos i humb

Në kuadër të aksionit kundër lidhjeve të paligjshme dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm, që ka nisur prej korrikut të vitit të kaluar, grupet e punës së Bashkisë së Tiranës vazhdojnë punën në terren për verifikimin e shkeljeve, ndërkohë që njoftohet se në pikat e UKT-së është rritur numri i qytetarëve, që paraqiten për pagimin e faturave të prapambetura, apo për lidhjen e kontratave të reja.

Nënkryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Arbjan Mazniku u ka bërë thirrje qytetarëve që deri më 31 janar të formalizojnë lidhjet e tyre.

“UKT-ja, si pjesë e fushatës mbarëkombëtare për reformën e ujit, ka nisur prej kohësh aksionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, si dhe lidhjen e kontratave të reja, për të gjithë ata qytetarë apo kompani që kanë lidhje uji të paligjshme. Ka pasur një përgjigje shumë të madhe nga ana e njerëzve për të gjithë këtë sipërmarrje dhe gjatë këtyre dy ditëve, vërtet kemi një volum shumë të madh njerëzish në secilën prej pikave të Kujdesit ndaj Klientit. U bëjmë thirrje qytetarëve, që deri në datën 31 janar të aplikojnë dhe të lidhin kontratat e tyre”, tha Mazniku.

Kjo, sepse nga muaji shkurt, grupet e “task forcës” do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike, një shenjë kjo e vullnetit të Bashkisë së Tiranës për disiplinimin e përdorimit të ujit dhe përmirësimin e furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm.

“Kontrollet do të vijojnë edhe gjatë muajve shkurt e mars. Lidhjet e paligjshme do të ndërpriten, qofshin këto për biznese apo individë. UKT-ja është angazhuar që ky proces të jetë sa më i butë, sa më i mirë, por nga ana tjetër mbetemi të vendosur që çdo person, i cili merr shërbimin e ujit, çdo kompani që merr shërbimin e ujit, ta paguajë atë në mënyrë të rregullt. Uji është një shërbim, i cili kushton për t’u ofruar, ndaj dhe duhet paguar nga kushdo”, nënvizoi Mazniku.

Prej korrikut, kur nisi aksioni, arkëtimet janë rritur me 17%. Deri në datën 31 dhjetor 2017 janë evidentuar dhe është ndërprererë furnizimi me ujë në 5.935 subjekte familjare apo privatë që furnizoheshin me ujë nëpërmjet lidhjeve të paligjshme./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit