“Al-Bashir dhe të gjitha figurat kryesore të regjimit janë në burg”

Mos i humb

Kryetari i Këshillit Ushtarak të Sudanit, Abdelfattah Burhan tha se presidenti i përmbysur i vendit, Omar al-Bashir dhe zyrtarë të tjerë të lartë të regjimit të tij, janë në burg.

“Zyrtarë të rëndësishëm dhe komandantë të regjimit të mëparshëm, përfshirë Al-Bashir, janë të gjithë në burg dhe pasuritë e tyre janë konfiskuar”, tha Burhan gjatë adresimit të tij para publikut përmes televizionit shtetëror.

Burhan tha se në rezidencën e presidentit të përmbysur sudanez Al-Bashir janë gjetur 7 milionë euro, 350 mijë dollarë dhe disa miliarda paund sudanez, para të gatshme.

Ai shtoi se autoritetet sudaneze do të nisin një proces për kthimin e aseteve të liderëve të regjimit të mëparshëm nga bankat e huaja në Khartoum.

Duke vënë në dukje se qeveria e përkohshme në Sudan drejtohet nga Këshilli Ushtarak, Burhan tha se aktualisht nuk ka të burgosur politikë në Sudan dhe se procesi i kalimit të qeverisë në qeverinë civile do të përshpejtohet nag puna konstruktive e grupeve politike.

“Ne nuk erdhëm në pushtet me grusht shteti ushtarak, por me revolucion popullor. Nuk kemi për qëllim të qëndrojmë në pushtet. Qeverinë do t’ia dorëzojmë qeverisë civile për aq kohë sa grupet politike të arrijnë konsensus”, tha Burhan.

Duke theksuar se korrupsioni ka qenë thellë i rrënjosur në aparatin shtetëror dhe se për reformat në institucionet shtetërore nevojitet një periudhë më e gjatë, Burhan tha se qeveria teknokratike do të ishte opsioni më i mirë për Sudanin.

Ushtria sudaneze kohët e fundit, pas protestave disa mujore, përmbysi presidentin Omar al-Bashar, i cili sundoi Sudanin që nga viti 1989.

Ushtria gjithashtu ngriti Këshillin Ushtarak i cili do të udhëheq vendin në një periudhë dyvjeçare të tranzicionit. Në krye të këshillit fillimisht u emërua ministri i Mbrojtjes Ahmed Awad Ibn Avf i cili një ditë më vonë dha dorëheqje. Në vend të tij u emërua gjeneral lejtnant Abdelfattah Burhan.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit