Ali ibnu Ebi Talib dhe pasuria

Mos i humb

Protagonisti i kësaj teme do të jetë Ali ibnu Ebi Talibi, një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet. Ne do të përpiqemi të depërtojmë brenda shtëpisë dhe familjes së tij, për të zbuluar disa fragmente nga jeta e tij private, sidomos aspektit të fitimit dhe shpenzimit të pasurisë.

Që në fillim, ne duhet të pranojmë që Ali ibnu Ebi Talibi përfaqëson një shkollë edukative më vete. Për këtë, ne do të përqendrohemi në dimensionin edukativ dhe shoqëror të kësaj figure, sidomos në trajtimin dhe vendin që zinte pasuria dhe jeta e kësaj bote në zemrën e tij.
Le të sjellim ndërmend një fragment dhe dialog që u zhvillua një ditë mes të dërguarit të Zotit dhe Aliut. Profeti a.s e pyeti Aliun një ditë:”O Ali! Si do të veproje ti, nëse njerëzit do të jepeshin me mish e me shpirt pas kësaj bote dhe do të harronin ahiretin, kur trashëgiminë e të dobtëve do e zhvasin me babëzi të pasurit, kur t’a duan pasurinë me një dëshirë të pakufishme…?”

Një pyetje e tillë nga ana e Profetit a.s ishte për të sprovuar mençurinë dhe urtësinë e Aliut.

Aliu iu përgjigj prerë:”Unë do i braktis, derisa të të arrij ty o i dërguar i Allahut.”

Profeti a.s i tha:”Të vërtetën ke thënë. Ashtu vepro o Ali!”

Dhe në fakt, Aliu ndoqi udhën që i kishte skicuar më parë Profeti a.s.

Një herë, Aliu hyri në shtëpinë e tij dhe gjeti Fatimen me dy djemtë, Hasanin dhe Husejnin të ulur në prehërin e saj duke qarë. Aliu e pyeti Fatimen:”Çfarë kanë që qajnë?”

Fatimeja i tha:”Qajnë për shkak të urisë. Nuk kemi asgjë për t’u dhënë për të ngrënë.”

Atëherë Aliu doli nga shtëpia i mërzitur dhe duke menduar se si do i ushqejë fëmijët e tij që qanin nga uria. Ai e luste Zotin që t’a furnizojë dhe t’ia lehtësojë të gjejë një punë. Ndërkohë që po bridhte rrugëve i mbytur në mendime, sytë i ranë mbi një dinar floriri në rrugë. Ai e mori menjëherë dhe me të vajti tek gruaja e tij Fatimeja, të cilës i tregoi menjëherë.

Ajo i tha:”Shko tek filan shitës çifut dhe blij miell.” Aliu vajti menjëherë dhe solli miellin para Fatimes.

Ajo i tha përsëri:”Tani shko dhe na blij mish tek filani.” Pasi Aliu e solli dhe mishin, Fatimeja filloi menjëherë të gatuajë. Pasi përfundoi nga gatimi i bukës dhe gjellës, i vendosi ato përtokë dhe të gjithë u grumbulluan rreth ushqimit. Fatimeja ndau një copë bukë dhe ia dërgoi Profetit a.s, babait të saj.

Pa filluar akoma të hanë, u bë një pyetje:”A na lejohet të hamë nga ky ushqim, ndërkohë që e dimë që është blerë me një dinar të gjetur në rrugë?” Para se të fusin gjë në gojë, ata pyetën dhe Profetin a.s, i cili i tha Aliut dhe Fatimes:”Jo.”

Ndërkohë që ata ndodheshin në dhomë dhe po debatonin rreth kësaj çështjeje, dëgjuan nga jashtë një zë që thërriste:”Më ka humbur një dinar. Kush e ka gjetur?”

Kur e dëgjoi këtë zë Profeti a.s, i tha Aliut:”Shko tek kasapi dhe kërkoji dinarin dhe premtoji se do ia kthesh sa më shpejt të jetë e mundur.” Menjëherë Aliu u nis bashkë me burrin tek kasapi, të cilit i kërkoi dinarin dhe atë ia dorëzoi burrit që e kishte humbur.” Ndërkohë që kasapit i premtoi se do ia shlyejë dhe për këtë ishte garant vetë Profeti a.s.

Ne e studiojmë jetëshkrimin e të përgëzuarve me xhenet, me qëllim që të përfitojmë nga mënyra e edukimit të tyre, konceptin që kishin për pasurinë dhe çfarë vendi zinte ajo në zemrat e tyre.

Ne sot jemi dëshmitarë që jo vetëm individë dhe familje, por ka shtete të cilat rrënohen plotësisht për shkak të pasurisë haram.

Ata ishin të interesuar që të mos ushqeheshin veçse me hallall. Vetë Profeti a.s i kishte edukuar me këtë frymë, duke i porositur se:”Çdo organ që rritet me ushqim haram, meriton zjarrin.”

Për këtë, Aliu ishte i kujdesshëm që as vetë dhe as familja e tij të mos ushqeheshin me ushqim të fituar në rrugë haram.

Nëse një njeri ushqehet me haram, ai nuk do të ketë bereqet në rizkun, kohën, jetën dhe madje as në marrëdhëniet bashkëshortore dhe edukimin e fëmijëve.

Me këtë rast, më kujtohet një ndodhi ku një nëpunës në shtet, kishte arritur me anë të dredhive të vjedhë një sasi të madhe të hollash nga shteti. I gëzuar, ai morri gruan dhe të dy udhëtuan jashtë shteti për pushime. Tregon vetë personi:”Kalova me gruan kohë shumë të bukura dhe të lumtura. Por tre ditët e fundit, filluan zënkat dhe mosmarrëveshjet. Aq shumë u thellua mosmarëveshja dhe zënka, saqë gjatë udhëtimit të kthimit, unë e divorcova.”

Po ky person erdhi dhe ma rrëfeu vetë këtë ndodhi. Në fund më tha:”Për Zotin nuk e kuptoj as vetë sesi ndodhën gjithë këto gjëra dhe si e divorcova gruan të cilën e doja.” Pasi bisedova me të më shtruar, ai pranoi se kishte vjedhur një shumë të konsiderueshme të hollash. Atëherë unë i thashë:”Janë pikërisht ato të holla që ke vjedhur, shkaku i të gjithë atyre problemeve që të kanë shoqëruar kohët e fundit.”

CV-ja e Ali ibnu Ebi Talibit.

Kushdo që studion jetëshkrimin dhe biografinë e Ali ibnu Ebi Talibit, e gjen atë plot e përplot me ngjarje dhe qëndrime të guximshme.

Secili prej nesh kur bën një kërkesë për punë në ndonjë institucion, paraqet dhe një CV të tij dhe të shkruash një CV është një art më vete.

Po çfarë mund të shkruante Ali ibnu Ebi Talib, nëse do i kërkohej një CV?

Fillimisht do të shkruante emrin dhe mbiemrin e tij, emrat e prindërve, ditëlindjen dhe arsimin… Po çfarë mund të shkruajë rreth arsimit Aliu? Në çfarë shkolle ka mësuar ai?

Shkolla në të cilën studioi dhe u diplomua Ali ibnu Ebi Talibi është shkolla e profetit Muhamed a.s. Dijet dhe moralet më të larta, ai i përvetësoi në shkollën e Profetit a.s.

Në CV-në e tij, Aliu do të shënonte që është martuar me vajzën e të dërguarit të Zotit a.s, Fatimen. Ajo ishte një vajzë të cilën kush e donte kishte dashur vetë Profetin a.s dhe kush e urrente kishte urryer vetë Profetin a.s. Këtë e kishte thënë vetë i dërguari i Zotit a.s.

Aliu do të shënonte gjithashtu që fëmijët e tij janë dy fisnikët e banorëve të xhenetit, Hasani dhe Husejni.

Në CV, zakonisht përmenden dhe eksperiencat e ndryshme, fushat ku ke punuar më parë, si dhe trajnimet e ndryshme. Vallë cilat janë trajnimet ku Ali ibnu Ebi Talibi ka përfituar eksperiencë dhe përvojën e duhur?

Trajnimi i parë është në shtëpinë e Erkam ibnul Erkam. E dyta është gjatë emigrimit të Profetit a.s, ku Aliu pranoi të sakrifikojë dhe fjeti në shtratin e Profetit a.s, pasi u kishte kthyer emanetet jomuslimanëve të Mekes. Për këtë, Profeti a.s thotë:”Kush don Aliun më ka dashur mua.” Ndërkohë që në një transmetim tjetër thotë:”Kush është mik i Aliut është miku im.” Hadithet e Profetit a.s mbi dashurinë dhe respektin ndaj Aliut janë të shumta.

CV-ja e imam Aliut është shumë e pasur dhe me vlerat e tij mund të hartohet një libër.

Një autor amerikan që ka shkruar një libër rreth mënyrës së shkrimit të një CV-je, në fund thekson që CV-në në fund duhet t’a mbyllësh me shkrimin e emrit dhe adresën ku mund të kontaktohet me ty.

Nëse ne do të kërkonim një linjë kontakti me Ali ibnu Ebi Talibin, nëse do të kërkonim një nr telefoni, një email një adresë banimi, duhet t’u drejtohemi librave që janë shkruar rreth kësaj figure. Në këto libra, ne do të zbulojmë që ai ishte personi i katërt që pranoi islamin dhe ishte nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet.

Një herë, Profeti a.s hyri në shtëpinë e Aliut dhe nuk e gjeti atë në shtëpi. Ai pyeti vajzën e tij Fatimen:”Ku është burri yt?” Fatimeja i tha:”Ndodhet në xhami.” Profeti a.s doli dhe e gjeti Aliun të shtrirë duke fjetur në xhami. Ai ishte shtrirë përtokë dhe rrobat i ishin bërë gjithë pluhur. Profeti a.s iu afrua, u përkul dhe duke e prekur në sup i tha:”Çohu o babai i pluhurit! Çohu o baba i pluhurit!”

Pasi Aliu u zgjua, u ngrit dhe të dy vajtën në shtëpi.

Në disa kronika, përmendet që shkaku që e detyroi Aliun të braktisë shtëpinë dhe të shtrihej për të fjetur në xhami, ishte një zënkë me Fatimen. Dhe ishte Profeti a.s ai që ndërhyri dhe i pajtoi me urtësi dhe mençuri.

Morali i kësaj ndodhie është në fjalët “Çohu o baba i pluhurit!”, ku duket qartë afërsia dhe lidhjet e forta mes tyre. Gjithashtu, i rëndësishëm është dhe fakti që Fatimeja e dinte vendin ku ndodhej Aliu, gjë e cila tregon lidhjet mes tyre.

Një doktor erdhi dhe më tregoi se kërkonte të divorcohej nga gruaja e tij. Kur unë e pyeta mbi shkakun e këtij divorci, ai më tha:”Unë jam martuar me të që kur isha në shkollën e mesme. Më vonë unë përfundova fakultetin, më pas magjistraturën dhe tani dhe doktoraturën. Të gjitha këto, ndërkohë që ajo është akoma me tetëvjeçare.

Unë e pyeta:”O doktor i nderuar! A kështu ia shpërblen mundin dhe mbështetjen që ke gëzuar prej saj gjatë këtyre viteve?! A nuk të ka qëndruar në krahë gjatë ngjitjes së shkallëve të karierës tënde?! A nuk u kujdes për fëmijët e tu, duke të siguruar kohën dhe qetësinë e duhur për të studiuar?! Nëse do të kishte një shkak të fortë për divorc, unë do të ofroja ndihmën time në përfundimin e proçedurave. Por shkaku që përmende ti, është një shkak dhe arsye tejet meskine.”

Kurse marrëdhëniet bashkëshortore mes Aliut dhe Fatimes ishin të ngrohta dhe të forta. Ishin pikërisht këto lidhje, ato që e ndihmuan Profetin a.s të ndërhyjë mes tyre në raste krizash dhe zënkash.

Zgjuarsia e Ali ibnu Ebi Talibit

Zoti i madhëruar e kishte pajisur Aliun me një mprehtësi dhe zgjuarsi të rrallë. Kur ndonjë nga muslimanët haste probleme matematikore gjatë ndarjes së trashëgimisë së dikujt, kërkonte ndihmën e Ali ibnu Ebi Talibit. Ishte kjo zgjuarsi, mendjemprehtësi dhe intuitë ajo që e bënë Umer ibnul Hattabin t’a emërojë Aliun si gjykatës gjatë Kalifatit të tij.

Një herë, një grua akuzoi një të ri për përdhunim dhe si fakt solli një copë pëlhurë me shenjat e spermës, të cilën pretendonte se ishte e djalit që e kishte përdhunuar. Kur kjo çështje iu paraqit Umer ibnul Hattabit, ai menjëherë kërkoi ndihmën e Aliut, gjykatësit të muslimanëve. Aliu kërkoi një enë me ujë të nxehtë dhe pëlhurën me spermë e futi në enë. Në çast, vendi ku dukej sperma u zbardh dhe ngriu. Aliu iu drejtua Umerit dhe i tha:”O Prijës i besimtarëve! Kjo grua është gënjeshtare. Kjo këtu nuk është sperma e këtij djaloshi.”

Umeri mbeti gojëhapur nga kjo dhe e pyeti Aliun:”Nga e nxorre këtë përfundim?”

Aliu i tha:”O Prijës i besimtarëve! Nëse do të ishte spermë, nuk do të ngrinte. Ajo që ndodhet në këtë pëlhurë nuk është gjë tjetër veçse e bardha e një veze.”

Kështu, kjo grua e kishte lyer pëlhurën me të bardhën e një veze dhe kishte pretenduar se ishte sperma e të riut që e kishte përdhunuar.

Me gjithë sa përmendëm, Ali ibnu Ebi Talibi ishte model dhe shembull i mirë për të gjithë njerëzit e suksesshëm dhe gjeni. Ai ishte i veçantë dhe i dalluar në punën dhe sjelljet e tij. Ai përfaqëson një shkollë të vetme përsa i përket moraleve, vlerave, zuhdit, përkushtimit ndaj Zotit, adhurimit dhe lidhjeve shoqërore.

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!/Ardhmeria/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit