ALSAR në Shqipëri organizoi simpoziumin ndërkombëtar shkencor “Qytetërimi Osman”

Mos i humb

Pasi e ka sjellë me mjaft sukses në shqip një vepër të tillë madhore si “Qytetërimi Osman”, Fondacioni “ALSAR” ka organizuar këtë të hënë dhe një simpozium shkencor për këtë botim mjaft me vlera historike.

I mbajtur në Tiranë, ky simpozium ka patur në qendër të tij njëkohësisht dhe figurën e historianit të mirënjohur turk, Halil İnalcık,bashkëpërgatitës i kësaj vepre.

Personalitete të jetës akademike shqiptare dhe turke e kanë nderuar këtë simpozium me pjesëmarrjen e tyre. Të pranishëm kanë qenë dhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, si dhe kryetari i YTB-së, Departamentit për Turqit që jetojnë Jashtë Atdheut dhe Marrëdhëniet me Komunitetet Mike, Abdullah Eren.

Fjalën e hapjes e ka mbajtur mikpritësi, drejtuesi i Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra. Duke iu drejtuar të pranishmëve fillimisht në shqip, e më pas dhe në turqisht, në respekt të miqve nga Turqia, ai u ka kushtuar disa fjalë veprës në dy vëllime dhe dy përgatitësve të tij, historianëve Halil İnalcık dhe Günsel Renda.

Më pas, ai është treguar i drejtpërdrejtë teksa ka vënë në pah domosdoshmërinë për përkushtim dhe seriozitet maksimal për sjelljen në shqip të veprave të ngjashme, aq të nevojshme për një përshkrim sa më të saktë të një periudhe qindravjeçare, asaj që i përket Perandorisë Osmane.

“Instituti i Historisë Turke duhet të sugjerojë vepra mbi Perandorinë Osmane që meritojnë të përkthehen, duhet të japë mbështetje në këtë aspekt. Kjo periudhë duhet ndriçuar plotësisht. Ne, nga ana jonë, jemi të përkushtuar për botimin e veprave të ngjashme me ‘Qytetërimin osman’. Kemi nevojë për literaturë të përzgjedhur, për një listë të mirëhartuar të veprave të historisë, të historianëve që vlen të përkthehen. Është detyrë e autoriteteve përkatëse turke të na e japin një të tillë,” u shpreh z. Gurra.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Persida Asllani, e cilësoi një projekt madhor veprën “Qytetërimi Osman” në fjalën e saj përshëndetëse.

“Libri: Qytetërimi Osman, është një projekt madhor që ka përfshirë në realizimin e tij shumë potenciale njerëzore dhe personalitete të dijes. “Në të kanë kontribuar njohësit më të mirë të historisë dhe Qytetërimit Osman, si dhe një rrjet i gjerë bashkëpunëtorësh, specialistësh, madje dhe figura politike të Turqisë bashkëkohore dhe kanë të drejtë të ndihen krenarë për këtë rezultat të shkëlqyer”.

Profesori turk Hakan Kırımlı, i ardhur në këtë simpozium për të folur në emër të familjes së historianit Halil İnalcık, kërkoi ndjesë për mungesën për arsye shëndetësore të së bijës së këtij të fundit. Një përshkrim i mrekullueshëm i figurës së Halil İnalcık-ut mbizotëroi në fjalën e profesorit, që ka patur fatin të ketë njohje të afërt me historianin e madh në të gjallë të tij.

Abdullah Eren, kryetari i YTB-së, organizmit që ka bashkëpunuar për botimin në shqip të veprës “Qytetërimi Osman” dhe për organizimin e këtij simpoziumi shkencor, e vuri theksin në fjalën e vet te trashëgimia e përbashkët e dy popujve dhe te nevoja për botimin e veprave të tjera të këtij niveli.

“Marrëdhëniet e ngushta të Shtetit Osman me këtë pjesë gjeografike kanë pasqyrimet e tyre në gjitha fushat e jetës deri sot. Poeti i himnit tonë kombëtar me orgjinë shqiptare është një nga figurat që e përfaqësojnë më së shumti këtë bashkëjetesë. Një personalitet tjetër në këtë drejtim është edhe Sami Frashëri”, theksoi Eren.

Mirënjohje për të tërë kontribuesit për përkthimin në shqip të kësaj vepre shprehu në përshëndetjen me këtë rast ambasadori turk, Murat Ahmet Yörük.

“Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuuan në përkthimin në gjuhën shqipe të kryeveprës me titull ‘Qytetërimi Osman’. Profesori i shquar İnalcık është në krye të personaliteteve botërore që na ka bërë ne të kuptojmë sa më mirë Shtetin Osman, që përfaqëson një ndër qytetërimet më të rëndësishme shtetërore dhe kulturore në historinë botërore”, tha ambasadri turk.

Ai shtoi se ky simpozium është organizuar për njohjen sa më mirë dhe sa më të saktë në këtë rajon gjeografik të Shtetit Osman, i cili sipas tij, është krijuar si një shtet ballkanik, por ka qenë pjesë e pandashme e kontinentit evropian, duke vënë në pah përpjekjet për ndriçimin e periudhës historike të qytetërimit osman, ambasadori kujtoi se po vijohet me punën për ngritjen e një qendre të përbashkët të studimeve turko-shqiptare. “Punimet e tilla të kësaj fushe të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Si  Ambasadë e Turqisë bëjmë përpjekje që të ndriçohet kjo periudhë historike dhe të sigurohet vazhdimësia i ndriçimit të saj. Ne aktualisht po vazhdojmë përgatitjet për të krijuar qendrën e përbashkët të studimeve turko-shqiptare”, tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Simpoziumi do të vijonte me kumtesa nga tre personalitete me mjaft emër në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Prof. dr. Ferit Duka, prof. dr. Ismail Bardhi dhe prof. dr. Hysen Matoshi folën për historianin Halil İnalcık si personalitet i madh i osmanologjisë dhe albanologjisë, si emër i paharruar për historinë e historisë, dhe për “Qytetërimin Osman” si sintezë e madhe shkencore.

-Rama: Marrëdhëniet shqiptaro-greke historike dhe tradicionale

Historike dhe tradicionale i përshkroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, në një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, Michalis Psilos, në kuadër të konferencës “News agencies vs Fake News”, që e organizon Agjencia Telegrafike Shqiptare në Tiranë.

“Kjo është një marrëdhënie historike dhe tradicionale fqinjësie dhe siç ndodh gjithmonë me fqi njët, jo çdo gjë shkon gjithmonë mirë. E dimë këtë nga fqinjët tanë, me çdo fqinj tonin, qoftë në fshat apo në qytet, është gjithmonë e njëjta gjë”, theksoi Rama.

“Ju mund ta kuptoni plotësisht këtë, nëse shikoni një ndeshje futbolli midis fqinjëve, është si… luftë”, thotë Rama duke qeshur.

Rama theksoi se, megjithatë, “ne jemi shumë të gatshëm të përmirësojmë këtë marrëdhënie ditë pas dite dhe ne po e bëjmë këtë”.

Rama theksoi se ‘’ndonjëherë ka edhe gjëra për të ardhur keq dhe ne duhet të merremi me to’’, por, ”e rëndësishme është që mes popujve tanë nuk ka armiqësi’’.

“Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë. Pjesa tjetër është vetëm politike”, theksoi kryeministri Rama.

I pyetur nëse është planifikuar një takim mes tij dhe homologut grek, Aleksis Cipras, Rama tha se “ne presim të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por ne presim që të takohemi së shpejti’’.

‘’Ne jemi në një proces dialogu dhe diskutimesh për shumë çështje, që mbulojnë shumë vite dhe që të tjerët kurrë nuk kanë qenë në vullnetin dhe kurajon për t’i zgjidhur”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

“Unë mendoj se ne jemi shumë afër zgjidhjes së gjithë këtyre çështjeve dhe kjo do të ishte e mrekullueshme”, shtoi Edi Rama.

-Në Tiranë organizohet program me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed a.s

Në kuadër të përkujtimit të Mevludit Sherif, ditëlindjes së Profetit Muhamed a.s, Zyra e Këshilltarit të Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë organizoi një program kulturor.

Në aktivitetin e organizuar në Paskuqan të Tiranës, ishin të pranishëmkryetari i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, nxënës, studentë dhe besimtarë.

Programi filloi me leximin e Kur’anit, ndërsa të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

“Jemi mbledhur për të përkujtuar ditëlindjen e profetit tonë Muhamed, për t’u lutur për të. Ju e dini që vëllazëria turko-shqiptare ka jetuar në shekuj dhe do të vazhdojë të jetojmë bashkë me njëri-tjetrin. Një shembull i mirë i kësaj miqësie ndërmjet dy popujve është dhe ky aktivitet që jemi mbledhur sot”, tha ambasadori turk.

Programi vazhdoi me një ligjëratë me temë: “Shembulli i Profetit Muhammed dhe Rinia”  nga kryekëshilltari i zyrës së çështjeve fetare, Bekir Yanilmaz.

“Dëshira ime është që ne të mësojmë mirë jetën e Profetit, moralin e tij, por të mos mjaftohemi vetëm duke mësuar këtë, por edhe ta zbatojmë atë në jetën tonë”, tha gjatë ligjëratës së tij Yanılmaz.

Programi u mbyll me ilahi nga nxënësit e kursit të Kur’anit të Xhamisë së Paskuqanit në Tiranë, në shqip, turqisht dhe arabisht.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit