Ankesat e pacientëve ndaj stafit mjekësor, 40 për qind e tyre nuk e dinë se mbrohen me ligj

50
0

Pritjet e gjata për trajtim mjekësor, trajtimi apo sjellja jo e mirë nga stafi mjekësor dhe referencat që marrin për trajtim mjekësor nga institucionet publike në ato private, janë disa nga ankesat kryesore të pacientëve në Kosovë.

Të drejta e pacientit, në bazë të ligjeve në fuqi të Kosovës, përbëjnë të drejtat e njeriut në kujdesin shëndetësor dhe përfshijnë çështjet ligjore dhe etike në marrëdhëniet midis profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve.

Kujdesi shëndetësor me pacientin në qendër, nënkupton pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në hartimin e politikave dhe trajtimin individual të tyre.

Ndonëse në Kosovë pacienti mbrohet me ligj, bazuar në një hulumtim të bërë gjatë këtij viti nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, rezulton se shumë qytetarë nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre.

Hulumtimi i fundit tregon se rreth 40 për qind e tyre nuk e dinë se mbrohen me ligj.

Suzana Canolli, një qytetare nga Prishtina, thotë se nëna e saj pasi ishte shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për operim, familjarët e kishin marrë në shtëpi të pa operuar, me arsyetimin se listat e gjata të pacientëve nuk e kanë lejuar atë të operohet, pasi që si rast nuk kishte qenë urgjent.

“Nëna ime ka qenë një javë e shtrirë në Klinikën Kirurgjike, para rreth një muaji. E kanë hapur historikun për të. Por, më pas na kanë thënë ta marrim në shtëpi, pasi ajo nuk ishte rast urgjent. Ne kemi bërë ankesë pasi ajo i ka kryer gjitha procedurat para-operative. Kemi bërë ankesë, por ende nuk kemi përgjigje”, thotë Canolli.

Udhëheqësi i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, thotë se Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk ka bërë fushata vetëdijësuese për t’i njoftuar pacientët me të drejtat që i kanë si dhe për të rritur transparencën brenda institucioneve publike shëndetësore.

Ai tha se çdo qytetar ka të drejtë për shërbim të duhur shëndetësor me qëllim të parandalimit të sëmundjeve, si dhe ka të drejtën e qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore pa asnjë lloj diskriminimi.

“Gjendja në teren nuk është mirë, pasi nuk ka barna, kushte higjienike dhe e bëjnë një trajtim të padinjitetshëm për qytetarin. Në një hulumtim që kemi bërë këtë vit, del se rreth 40 për qind e qytetarëve nuk e dinë se kanë të drejta gjatë marrjes së trajtimit shëndetësor dhe kjo na vështirëson punën, pasi ata nuk dinë të kërkojnë të drejta”, thotë ai.

Kodra thekson po ashtu se aktualisht “nuk ka një sistem të mirë të terminëve dhe pacientët e humbin besimin se do të trajtohen me kohë pasi listat janë të gjata, sidomos të rastet e ndërhyrjeve kirurgjike”, tha Kodra.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se gjatë vitit 2019, përmes linjës falas për ankesa të qytetarëve në shërbim shëndetësor, kanë pranuar 163 ankesa.

Gjylferie Zabeli, zyrtare për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se numri më i madh i ankesave i referohet sjelljes jo të mirë të stafit mjekësor me pacientët, pastaj mungesa e mjekëve në vendin e punës si dhe referimi nga sektori publik në atë privat.

“Ne si institucion ende nuk e kemi bërë shqyrtimin e ankesave, pasi këto të dhëna janë për muajin janar-nëntor të këtij viti. Pritet që të publikohet raporti përfundimtar me informata të sakta se çka ka ndodhur edhe me pacientët, por edhe me mjekët, ankesat e të cilëve janë proceduar në inspektoratin shëndetësor. Në janar të vitit 2020 do të dalim me një raport përfundimtar”, tha Zabeli.

Ndërkaq Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se përpos Ministrisë së Shëndetësisë, edhe në kuadër të QKUK-së, është komisioni që i shqyrton ankesat e qytetarëve, respektivisht pacientëve.

Nëpër klinika brenda QKUK-së, ka kuti për ankesa, e që në baza ditore ato i merr komisioni dhe varësisht nga pesha e ankesës, ose zgjidhen menjëherë ose procedohen.

“Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me listat e pritjes ose pritjet brenda klinikave të QKUK-së. Shumë nga ankesat zgjidhen aty për aty, por ka edhe ankesa që procedohen në mënyrë të rregullt. Ndonjëherë ka edhe keqkuptime nga ana e pacientëve, por gjithsesi pala merr përgjigje në lidhje me ankesën ose shqetësimin që e ka”, tha Fazliu.

Institucionet publike shëndetësore janë të obliguara me Ligjin për Shëndetësi që t’i vendosin në hapësira spitalore kartat e të drejtave të pacientëve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here