Antalya pret 6 milionë turistë nga Rusia dhe 3 milionë nga Gjermania

Mos i humb

HATİCE ÖZDEMİR TOSUN

Qyteti i Antalyas në Turqi i cili është një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit në botë, synon një rritje me 20 për qind këtë vit në tregjet ruse dhe gjermane sipas shifrave të rezervimeve të hershme.

Kryetari i Shoqatës së Hotelierëve dhe Operatorëve Turistikë të Mesdheut (AKTOB), Erkan Yağcı, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha se si sektor e kanë filluar mirë vitin 2020, pasi kanë realizuar një rritje prej 30 për qind në muajin janar.

Ai tha se kjo shifër tregon një trend të mirë edhe për të gjithë vitin. Yağcı theksoi se presin një rritje dyshifrore nëse vlerësojnë kushtet aktuale gjatë gjithë sezonit.

Sipas tij, Antalya vitin e kaluar e mbylli sezonin me një shifër rekord prej rreth 16 milionë turistë, ndërkohë që sipas rezervimeve të hershme dhe të dhënave të marra nga panairet edhe këtë vit do të ketë rritje të rëndësishme.

Yağcı shpjegoi se në krahasim me vitet e kaluara, ata parashikojnë rritje në dy tregjet kryesore si Rusia dhe Gjermania.

“Vitin e kaluar nga Rusia erdhën 5.5 milionë turistë dhe kjo shifër do të rritet edhe më shumë këtë vit. Nga tregu rus këtë vit duhet të arrijmë në shifrën 6 milionë. Shitjet vazhdojnë. Tregu gjerman gjithashtu është i rëndësishëm për turizmin në Antalya. Vitin e kaluar erdhën 2.6 milionë turistë ndërkohë që në vitin tonë më të mirë ne kemi arritur 3.2 milionë”, tha Yağcı duke shtuar:

“Duhet të kalojmë nivelin prej 3 milionë në tregun gjerman, ku presim rritje mes 15 dhe 20 për qind. Vitin e kaluar në janar në Antalya erdhën 37.314 turistë nga Rusia ndërsa 29.607 nga Gjermania. Këtë vit në të njëjtën periudhë ka patur rritje pasi nga Rusia erdhën 57.177 turistë ndërsa nga Gjermania 40.699”.

Më tej ai tha se edhe në muajin shkurt rritja do të vazhdojë nga të dy tregjet.

“Përveç tregjeve kryesore, rritja e qëndrueshme duhet të arrihet edhe në tregjet anësore”

Antalya e cila llogaritet si “kryeqyteti i turizmit” pret mysafirë nga 193 vende, tha Yağcı duke shtuar se përveç Rusisë dhe Gjermanisë në mesin e 10 vendeve që dërgojnë më shumë turistë në Antalya janë Izraeli, Polonia, Britania e Madhe, Jordania, Irani, Holanda, Belgjika dhe Kazakistani.

“Përveç tregjeve kryesore, rritja e qëndrueshme duhet të arrihet edhe në tregjet anësore” deklaroi Yağcı, duke vënë në dukje se janë zhvilluar punime në këtë drejtim. Ai thotë se frytet e këtyre punimeve kanë filluar t’i marrin në panairet ku marrin pjesë dhe se gjatë vitit 2020 presin një rritje në të gjitha tregjet.

Lidhur me epideminë e koronavirusit (Covid-19) që është shfaqur në Kinë, Yağcı bëri të ditur se kjo nuk do të ndikojë shumë ndaj Turqisë. Nga kjo më shumë do të ndikohen vendet e Lindjes së Mesme dhe pozita e tyre gjeografike të cilat e shohin tregun e Kinës si tregun kryesor të tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit