Apeli vërteton pafajësinë e imamit Shefqet Krasniqi

Mos i humb

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, ishte shpallur i pafajshëm në akuzat për nxitje e urrejtjes, shtytje për terrorizëm dhe shmangie nga tatimi.

Lajmin për këtë vendim e konfirmoi për KALLXO.com, Arbër Jashari, zëdhënës i Gjykatës së Apelit.

Në mars të këtij viti, Krasniqi ishte shpallur i pafajshëm pas një procesi të gjatë gjyqësor.

Në vendimin 30 faqesh për pafajësinë të gjykatës në Prishtinë përshkruhen në detaje gjetjet e gjykatës që ndikuan në lirimin e Krasniqit nga akuzat për tri vepra penale- nxitje e urrejtjes, shtytje për terrorizëm dhe shmangie nga tatimi.

KALLXO.com e kishte zbardhur këtë vendim në maj të këtij viti.

Në lidhje me veprën e parë, atë të shtytjes në kryerjen e veprave terroriste, Gjykata Themelore ka gjetur se nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e veprës penale.

“Nuk është kontestuese se i akuzuari në cilësinë e imamit ka mbajtur ligjëratat siç janë ‘Revolucioni Sirian’ dhe ‘Ndihmoni Sirinë’, mirëpo në përmbajtjen e të njëjtave nuk mund të identifikohet asnjë lloj thirrjeje, rekomandimi apo mesazhi, qoftë i drejtpërdrejtë apo i tërthortë për shtytje në kryerjen e ndonjë akti terrorist, apo bashkëngjitjen në ndonjë organizatë terroriste”, shkruhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Më tej në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të përpiluar nga gjyqtari Beqir Kalludra, thuhet se në të gjitha publikimet e Shefqet Krasniqit, të përshkruara në aktakuzë, vërehen dy elemente.

“Së pari qëndrimi i tij i qartë në raport me besimet tjera fetare duke promovuar tolerancën ndërmjet tyre dhe kundërshtimin sa i përket shkuarjes në Siri dhe së dyti, mbajtja konstante e këtyre qëndrimeve përgjatë viteve, çka tregon  se përmbajtja e ligjëratave ‘Revolucioni Sirian’ dhe ‘Ndihmoni Sirinë’ nuk përmbajnë asnjë element shtytës apo nxitës”, përshkruan qëndrimet e Krasniqit aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Më tej në aktgjykim analizohen deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në procesin ndaj Krasniqit.

“Nëse u referohemi deklaratave të dëshmitarëve, njëri nga ta, Suad Mustafa ka deklaruar se vëllai i tij Iliri ka shkuar në Siri në vitin 2011, pra para periudhës për të cilën është akuzuar Shefqet Krasniqi, prandaj si dëshmi e tillë është jorelevante”, arsyeton aktgjykimi.

Po në lidhje me dëshmitarët e këtij procesi, Gjykata Themelore ka gjetur se edhe dy dëshmitaret tjera, Nasere Ademi dhe Minire Heta nuk kanë ofruar ndonjë dëshmi inkriminuese.

“Nga dëshmitë e dy dëshmitareve, Nasere Ademi dhe Minire Heta, nuk mund të vërtetohet asnjë element i shtytjes pasi që dëshmitaret flasin për atë që mendojnë se ka mundur të ndikojë, e që në këtë drejtim duhet të mirëkuptohen nisur nga afërsia me personat që janë bërë pjesë e atyre konflikteve, dhembjes së shkaktuar nga ato ikje dhe nevojës për të gjetur arsyen se pse të afërmit e tyre janë bërë pjesë e atyre zhvillimeve”, thuhet më tutje në aktgjykim.

Sipas arsyetimit të aktgjykimit ato që i thanë dy dëshmitaret nuk mund të shërbejnë si prova.

“Mirëpo kjo nuk mjafton dhe asnjë rast nuk mund të shërbejë si provë se të njëjtit janë ndikuar nga tani i akuzuari Shefqet Krasniqi”, vlerëson aktgjykimi.

Po ashtu në lidhje me këto dy dëshmitare, aktgjykimi i gjykatës vë në pah një element tjetër të rëndësishëm në lidhje me familjarët e tyre që përfunduan në Siri.

“Është i rëndësishëm të referohet fakti se të dy dëshmitaret kanë pohuar se të afërmit e tyre kane qenë pjese edhe e ambienteve tjera siç është rasti me dëshmitaren Minire e cila ka pohuar se djali i saj Blerimi ka shkuar në ligjërata edhe takime fetare edhe në Maqedoni, ndërsa dëshmitarja Nasere Ademi ka treguar se Venera ka qenë pjesë e një shoqate dhe po ashtu se djali i axhës së Venerës ka shkuar në Siri një vit para se ajo të udhëtojë drejt atij vendi dhe se letra që ka lënë Venera ka qenë në përmbajtje e ngjashme me letrën e djalit të axhës, duke treguar kështu për lidhjet e tyre dhe me këtë mundësinë që të ketë qenë e ndikuar nga i njëjti”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Pjesa e fundit e aktgjykimit i referohet veprës së shmangies nga tatimi. Në lidhje me këtë vepër gjykata ka gjetur se nuk ka prova se Shefqet Krasniqi ka deklaruar të dhëna të pavërteta në lidhje me veprimtarinë e tij biznesore.

“Gjykata nga të gjitha provat e administruara nuk ka vërtetuar së pari elementin se i akuzuari Shefqet Krasniqi ka deklaruar të dhëna të pavërteta në lidhje me veprimtarinë e tij biznesore, apo nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij, pasurinë, gjendjen ekonomike apo fakte tjera relevante për vlerësimin e detyrimeve që janë elemente qenësore, e që duhet të vërtetohen për të kaluar te elementi i dytë që kjo të jetë bërë me qëllim të fshehjes apo shmangies së pagesës së detyrimeve tatimore”, thuhet në aktgjykimin e gjykatës.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 23 mars të këtij viti e shpalli të pafajshëm Krasniqin duke e liruar nga të gjitha akuzat.

Krasniqi akuzohej për shtytje për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi.

Në aktakuzë pretendohej se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit