Apostolova: BE dëshiron të sigurohet se paratë e saj shpenzohen në reforma

Mos i humb

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalya Apostolova deklaroi se Kosova nuk ka përparuar shumë në zhvillimin e sistemit arsimor prandaj duhet zbatuar rekomandimet e raportit “Rishikimi funksional i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”.

Apostolova në prezantimin e gjetjet të këtij raporti, të bërë nga GIZ, ndërsa financuar nga Zyrja e BE-së në Kosovë, porositi se është me rëndësi që rekomandimet e GIZ-it të kuptohen seriozisht, ndërsa sa dhe si do të realizohen këto reforma varet nga përkushtimi ministrit dhe Qeverisë.

Ajo vlerësoi se ky raport është shumë i rëndësishëm për Kosovën, veçmas duke marrë parasysh popullatën shumë të re të banorëve kosovarë. Ajo theksoi se BE-ja planifikon të shpenzojë në arsimin kosovar rreth 35 milionë euro, por paraprakisht dëshiron të jetë e sigurtë që këto financa do të shpenzohen në mënyrë transparente dhe efikase. Apostolova po ashtu bëri thirrje për riorganizimin e administratës publike dhe uljen e numrit të zëvendës-ministrave.

“Kosova ka 80 zëvendës-ministra. Nuk dëshiroj të bëj krahasim me vendet tjera të rajonit, por kur për reforma të administratës publike shpenzojmë nga buxheti rreth 75 milionë euro, dëshirojmë të shohim që këto para përdoren për reforma të duhura, e jo vetëm për paga të zëvendës-ministrave”, tha Apostolova.

Mark Barrett nga GIZ duke prezantuar raportin theksoi disa mangësi në funksionimin e MASHT-it.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se tashmë janë theksuar dobësitë që ka institucioni i tij, për çka raporti profesional i përpiluar është tejet i rëndësishëm.

Ai tha se MASHT sa më parë do të realizojë rekomandimet në mënyrë që të eliminojë mangësitë, për të shtuar se lidhur me këtë është themeluar një njësit Special i cili është duke punuar për harmonizim të punës me BE-në.

“Pasi të ndërmarrim hapat e parë në drejtim të realizimit të qëllimeve nga Raporti, besoj se do të kemi një tjetër Ministri për Arsim Shkencë dhe Teknologji, ku secili zyrtar i saj, deri tek më i ulëti në hierarki do të ketë detyra të qarta duke dhënë llogari për punën e tij”, tha Bytyqi.

Koordinatori Nacional për reformat shtetërore Besnik Tahiri, foli në emër të kryeministrit të Kosovës. Ai vlerësoi se rekomandimet janë në harmoni të plotë me përkushtimin e qeverisë për reforma në administratën publike.

Tahiri tha se nuk ka reforma të lehta, prandaj rekomandimet duhet trajtuar Raporti për funksionimin e MASHT-it që është në kuadër të instrumentit të cilin e financon BE-ja dhe ka për qëllim të rrisë kapacitetet e administratës kosovare në lëmin e planifikimit, programimit dhe zbatimit të fondeve të BE-së./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit