Apostolova: Kosova ka dështuar në misionin për arsim të mirë për të rinjtë

Mos i humb

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deklaroi se Kosova ka dështuar në misionin për të ofruar arsimim të mirë për të rinjtë e vet.

Ajo pas publikimit të raportit “Zbatimi i Planit Strategjik për Arsimin në Kosovë në vitin 2017, është shprehur e zhgënjyer me rezultatet e zbatimit të këtij plani strategjik.

Apostolova tha se Kosova për të pasur shans në tregun evropian të rinjtë e Kosovës duhet të pajisen me shkathtësi, me arsim në mënyrë që të konkurrojnë dhe të ja dalin në konkurrencën evropiane.

“Jam shumë e zhgënjyer me rezultatet e zbatimit të këtij plani strategjik të veprimit në vitin 2017 siç dëgjuam nga parafolësi. Ne, si BE, kemi kuptuar se pa investime në arsim vendet tona nuk kanë shans të konkurrojnë në nivel global dhe kjo është me aq rëndësi për Kosovën që ka më shumë se 70 për qind të popullsisë që është ende në moshë të tillë, që mund ta përmirësojë arsimin. Shpesh kam thënë dhe prapë do ta përsëris, se për Kosovën për të pasur shans në tregun evropian, të rinjtë e Kosovës duhet të pajisen me shkathtësi, me arsim, në mënyrë që të konkurrojnë dhe t’ia dalin në konkurrencën evropiane, sepse Kosova do të jetë një ditë anëtare e Evropës. Mirëpo, për fat të keq Kosova deri më tash dhe që shumë vjet ka dështuar në këtë mision për të ofruar vërtet arsimim të mirë për të rinjtë e vet”, tha ajo.

Apostolova ka thënë se me përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri i Sigurimit të Cilësisë po përballemi me pasojat e kësaj praktike të rrezikshme dhe sipas saj viktimat në fund të fundit janë rinia e Kosovës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se ndërtimi i sistemit të arsimit është i ndërtuar asisoj që shumë ligje janë me mundësi që institucioni i Ministrisë së Arsimit të ndërhyjë në anë ligjore dhe quhen pastaj edhe ndërhyrje legale politike.

“Mbetet sfidë e madhe për neve si ministri arritja e parametrave që kërkohen me bashkësinë evropiane deri në vitin 2020, besoj që e keni parë statistikat ku kërkohet pjesëmarrja e parashkollorëve të jetë nga mosha 5-vjeçare të jetë 95 për qind. Vërtet, konsideroj që do të jetë shumë e vështirë të realizohet nga ana jonë, aq më shumë në mandatin katërvjeçar të një qeverie që nuk shoh një optimizëm të madh që ne mund ta arrijmë këtë nivel. Por, megjithatë nuk do të thotë kjo që neve duhet të na bëjë që të mos marrim hapa dhe përpjekjet tona të ndalen për shkak të pamundësisë që ndoshta të arrihen nivelet e parametrave evropian. Ne duhet të bëjmë angazhim, duhet të bëjmë angazhim të përbashkët, konsideroj edhe me qeverinë që të kemi buxhet shtesë, të punësuar shtesë, shpenzime tjera shtesë që ka nevojë kjo pjesë e fëmijëve nga 0-5 vjeç”, tha ministri Bytyqi.

Ai ka folur edhe për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, për të cilën tha se do të bëjnë përpjekje maksimale që shumë shpejt të funksionalizohet.

Raporti “Zbatimi i Planit Strategjik për Arsimin në Kosovë në vitin 2017” ka nxjerrë përfundime se problem mbetet pjesëmarrja e vogël e fëmijëve në parashkollor, rregullimi i statusit të stafit drejtues të shkollave, sigurimi i cilësisë, zhvillimi i mësimdhënëseve që duhet ketë fokus trajnimi tyre në kurrikula etj.

Rekomandimet nga ky raport i ka prezantuar drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, i cili tha se MASHT-i duhet të ngritë një mekanizëm për koordinimin e zbatimit të PSAK 2017-202.

“Sa i përket pjesëmarrjes në arsim, kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet nivelit parashkollor, ku mendojmë se duhet vazhduar me investime në infrastrukturë dhe veçanërisht në rritjen e përfshirjes në nivelin para fillo, ku thjesht synojmë që t’i kemi 100 për qind të fëmijëve. Meqë u tha se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian gjenden me të vërtetë në një pozitë të pafavorshme, kjo është një fushë ku ia vlen të vazhdohet me mbështetjen e qendrave mësimore, të cilat u ndihmojnë pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që të arrijnë sukses në shkollë dhe me dhënien e bursave për nxënës të shkollave të mesme, të cilat kushtëzohen me pjesëmarrje të rregullt, pra kjo po i nxitë shumë prej pjesëtarëve të komunitetit që pastaj ta vazhdojnë shkollimin”, tha ai.

Ndër rekomandimet ishte edhe ajo që MASHT duhet të aprovojë kritere dhe procedura unike dhe të qarta për punësimin e drejtorëve, dhe mësimdhënësve në arsimin parauniversitar, në mënyrë që minimizohet mundësia e punësimeve jomeritore dhe politike në sistemin e arsimit.

Po ashtu, u rekomandua që Kuvendi i Kosovës duhet të aprovojë Ligjin për inspektoratin e Arsimit që hap rrugën për funksionalizimin e sigurimit të jashtëm të cilësisë. MASHT po ashtu duhet të bëjë aranzhime të veçanta për monitorimin e zbatimit të kurrikulës së re dhe ofrimin e ndihmës shkollave në zbatimin e saj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit