Asadi dhe Irani përgatiten për operacion në jug të Sirisë

Mos i humb

 

Regjimi i Bashar al-Asadit është duke i vazhduar përgatitjet për operacion në Dera në jug të Sirisë, edhe përkundër paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Forcat iraniane, të cilat janë shfaqur sikur tërhiqen nga rajoni, janë fshehur brenda ushtarëve të regjimit me qëllim për t’i mbështetur sulmet që pritet të fillojnë çdo çast.

Rajoni ku forcat e regjimit të Asadit janë duke i vazhduar përgatitjet për sulm është shpallur më herët zonë e sigurtë pas negociatave mes SHBA-së dhe Rusisë.

Burimet opozitare thanë për Anadolu Agency (AA) se forcat e regjimit mbrëmë në orët e vona kanë sulmuar opozitarët nga lindja e Deras, ndërsa opozitarët e kanë zmbrapsur sulmin.

Ndërkohë, regjimi mbrëmë ka shtuar forcat duke transferuar në rajon të paktën 60 autoblinda.

Regjimi i Asadit në rajon është duke dërguar njësitë e emëruara Garda Republikane, Forcat Nacionale të Mbrojtjes, Forcat Tigrat, Ushtria e Çlirimit të Palestinës dhe Brigadat e Kudsit, si dhe milicitë e quajtura kompania 4, 9, 14 dhe 15.

Burimet në fund të muajit të kaluar kishin njoftuar se grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani ishin tërhequr nga disa linja frontesh dhe qendra komanduese.

Megjithatë, mësohet se tërheqja në fjalë ka qenë sipërfaqësore për shkak të shqetësimeve të Izraelit dhe Jordanisë dhe se forcat iraniane janë fshehur brenda njësive të regjimit.

Sipas të dhënave të përpiluara nga AA, grupet iraniane tanimë gjenden të vendosura në pjesë të ndryshime të Deras nën flamurin e regjimit.

– Paralajmërimet e SHBA-së

E shpallur zonë e deeskalimit në kuadër të marrveshjeve të Astanas në maj të vitit të kaluar, Dera dy muaj më pas ishte shpallur edhe zonë e sigurtë sipas një marrëveshjeje të qeverive amerikane dhe ruse.

Ndihmat e SHBA-së dhe Britanisë në bashkëpunim me ushtrinë jordaneze për opozitarët në linjën kufitare, ishin ndërprerë pas marrëveshjes me Rusinë.

Washingtoni zyrtar e ka paralajmëruar regjimin më 27 maj rreth një operacioni të tij në Dera. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Heather Nauert kishte bërë të ditur se janë duke i ndjekur me shqetësim përgatitjet e regjimit për sulm.

Nauert përsëriti paralajmërimet edhe më 14 qershor, duke thënë se “SHBA do të marrë masat e duhura parandaluese në qoftë se regjimi shkel armëpushimin në këtë rajon”.

Nën kontrollin e opozitarëve në Dera gjenden dy pellgje kryesore, të cilat lidhen me njëri-tjetrin përmes një korridori të ngushtë përgjatë kufirit.

Ndërkaq, qendra e qytetit është e ndarë në dy pjesë, mes regjimit të Asadit në veri dhe forcave të Ushtrisë së Lirë Siriane në jug.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit