“Ballkanit i duhen më shumë shembuj pozitiv”

Mos i humb

 

 

 

 Pas takimit të mbajtur sot në Shkup të vendeve anëtare të Procesit Brdo-Brioni, pjesëmarrësit porositën se kur Koreja e Veriut dhe e Jugut kanë arritur t’i afrojnë qëndrimet e tyre, edhe mes vendeve të rajonit mund të vjen deri tek pajtimi dhe tejkalimi i mosmarrëveshjeve.

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, i cili ishte mysafir special i takimit, në konferencën e përbashkët për mediat me presidentët e vendeve të rajonit, duke theksuar se në rajon ekzistojnë shembuj pozitiv për bashkëpunim dhe tejkalim të barrierave, tha se rajonit i duhen më shumë shembuj pozitiv siç janë Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe Marrëveshja mes Prishtinës dhe Malit të Zi.

“Ndoshta, historia e Ballkanit, e cila i ngjan një filmi horror, i cili asnjëherë nuk përfundon, megjithatë do të ketë fund të lumtur. Ajo çfarë ndodhi me Korenë e Veriut dhe Korenë e Jugut tregon se e pamundshmja bëhet e mundshme”, tha Tusk.

Duke folur për vizitën e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, Tusk tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian angazhohen për perspektivën evropiane të rajonit.

Në përgjigjen e gazetarëve lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Tusk tha se vitin e kaluar ka dëgjuar se është i mundshëm zgjidhja e këtij kontesti, por se tani dy vendet janë afër arritjes së suksesit. Zgjidhja e kontestit të emrit, sipas tij, do të ishte simbol për sukses në rajon.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, duke rikujtuar në fillimet e Procesit Brdo-Brioni tha se që atëherë e deri më sot mund të konstatohet sukses në këtë proces. Ai theksoi se fokusi i BE-së në rajonin e Evropës Juglindore është me rëndësi të madhe, për çka shprehu optimizëm.

“Vendimi i Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian është që në mënyrë më ambicioze ti mbështesin reformat në Evropën Juglindore me qëllim vendet njëherë e përgjithmonë të bëhen pjesë e Unionit dhe kjo është me rëndësi të madhe. Por, në bazë të përvojave të mia politike është e qartë se Brukseli nuk mund të bëjë gjithçka nëse një pjesë nuk e bëjnë liderët. Pjesë e asaj është mençuria dhe vullneti ynë. Në atë shoh një perspektivë optimiste”, theksoi Pahor, duke shtuar se liderët politik të rajonit nuk duhet të nënçmojnë asnjë incident të vogël.

Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov shprehu bindje se liderët e rajonit do t’i zgjidhin çështjet e hapura midis tyre dhe do të angazhohet për ambiciet e tyre, me qëllim të perspektivave më të mira.

“Shpresoj se Vuçiç dhe Thaçi do t’i zgjidhin çështjet e hapura dhe shpresoj se nuk do të vijmë në atë pikë në të cilën dikush do të pengojë progresin e të gjithë neve për arsye të pacaktuara. Shpresoj se edhe liderët e Maqedonisë dhe Greqisë do të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur çështjen rreth emrit dhe atë duhet ta bëjmë sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Borisov, duke porositur se vendet kanë mundësi historike ta bëjnë atë.

Borisov shtoi se Ballkani duhet të jetë rajon i zhvilluar në aspektin e ekonomisë, energjetikës, infrastrukturës dhe tregtisë.

Ai përmendi disa shembuj që i kanë tejkaluar ndryshimet e tyre dhe mosmarrëveshjet, me qëllim për të siguruar perspektiva më të mira. Borisov e theksoi shembullin e Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut të cilat u kthyen në një anë më të ndritshme në marrëdhëniet e tyre.

Me një konferencë të përbashkët për media përfundoi takimi i pjesëmarrësve në Procesin Brdo-Brioni, pritës i të cilit këtë vit ishte presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Vendet anëtare në Procesin Brdo-Brioni janë Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, të gjitha të përfaqësuara nga ana e presidentëve të këtyre vendeve të Evropës Juglindore.

Brdo rrjedh nga Brdo pranë qytetit Kranj, ku edhe u mbajt takimi i parë i liderëve rajonalë dhe Brijuni në nder të bashkëorganizatorit dhe partnerit të krijimit të kësaj nisme, Kroacisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit