Basha: Qeveria ime nuk do njohë asnjë prej vendimeve të marra 12 muaj para zgjedhjeve të ardhshme pa proces transparence

Mos i humb

Kreu i PD, Lulzim Basha ka paralajmëruar se qeveria e ardhshme e PD nuk do të njohë asnjë vendim për leje zhvillimore në bregdet në 12 muajt para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Basha thotë se gjithë vendimeve të marra qoftë nga qeveria, Agjencia përkatëse apo parlamenti do t’i nënshtrohet një procesi transparence.

Më tej lideri demokrat i bën thirrje çdo biznesmeni dhe sekseri që përpiqet në këto 12 muaj të përfitojë nga qeveria se vendimet nuk do të njihen nëse nuk janë të ligjshme dhe është e kotë të gënjejnë qytetarët.

‘’Duke parandjerë largimi, kanë filluar të firmosin kuturu lloj- lloj lejesh zhvillimore duke shkatërruar bregdetin, duke i dhënë klientëve leje mbi leje. Asnjë prej vendimeve të marra 12 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nuk do të njihet nga qeveria ime pa iu nënshtruar  një proces transparence për të parë ligjshmërinë e tyre. I bëj thirrje biznesmenëve dhe sekserëve mos gënjejnë njerëzit kot. Që një qeveri në ikje t’i kapim ca t’i kapim. Qoftë vendim  qeverie, qoftë vendim i rregullimit të territorit, qoftë vendim i parlamentit, do të shohim ligjshmërinë dhe përputhjen me legjislacionin.’’- tha Basha.

Mesazhi i i plotë:

Është një situatë dramatike dhe, ç’është më e keqja, pa asnjë farë perspektive dhe sigurie për nesër. Këtu nga Golemi qeveria edhe misionarë të qeverisë kanë organizuar dhjetra tavolina, gjoja mbështetje ndaj industrisë së turizmit, por fakti është që industria e turizmit, ashtu si pjesa tjetër e ekonomisë, është në braktisje totale.

Dhoma Amerikane e Tregtisë AmCham, publikoi rezultatet e përvitshme të anketës të vitit 2019, e cila siç e tha presidenti i kësaj dhome, siç e theksoi edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është më i keqi nga 8 vite, ekonomia është në krizën më të thellë në 8 vite. Pra, kjo nuk është një situatë që na erdhi thjesht nga COVID-i apo, në rastin e Golemit, nga tërmeti. Është një situatë në vazhdimësi që ka shkuar keq e më keq, por tani me të vërtetë ka prekur fundin. Pikërisht në këtë moment, kur duhet dora e shtetit, në këtë moment duhet dora e qeverisë, qeveria është fshehur, qeveria është në arrati. Qeveria e ka braktisur detyrën e vet, ka braktisur misionin e vet, ka braktisur sipërmarrjen, ka braktisur turizmin.

Është i vetmi vend me vijë bregdetare, madje do të thoja edhe pa vijë bregdetare në Ballkan, i cili nuk ofron absolutisht asnjë paketë mbështetje reale dhe serioze për turizmin. Edhe dy paketat që ka ofruar janë minimale dhe tashmë efektin e tyre e kanë konsumuar, sepse siç tha Kujtimi, siç thanë dhe pronarë të tjerë, më shumë se 50% deri në 90% e fuqisë punëtore, e cila duhet të ishte në punë duhet të ishte duke gjeneruar të ardhura, këta janë të detyruar ta lënë në shtëpi. Këta që kanë këtu, ndoshta Kujtimit i vjen zor ta thotë, i paguajnë nga lekët e xhepit ose, më mirë të themi, marrin borxh ata që nuk marrin dot kredi.

Operatori Turistik: Është e vërtetë, është e vërtetë, është e vërtetë ajo.
Lulzim Basha: Me çfarë i paguan?
Operatori Turistik: Me borxh, me borxh vallaj i kam marrë. Borxh vetëm t’i paguaj ata.
Lulzim Basha: Më the që ke aplikuar për kredi. Për sa aplikove
Operatori Turistik: Për 50 mijë Euro, tëshohim tani, thonë që do ta bëjnmë, akoma jo.

Lulzim Basha: E ashtuquajtura paketë me zero interes, pra ku qeveria do të paguante interesin, shumica e bizneseve me të cilët kam komunikuar gjatë këtyre ditëve më thonë që jo vetëm s’ka – s’ka domethënë nuk ecën – dhe e dyta është në ato raste që është aprovuar është aprovuar me 5% interes. Pra, janë të gjitha llafe në erë, janë të gjitha propagandë dhe ky është një problem i jashtëzakonshëm.

Tani situata është kjo që është, problem është si do të ecet përpara. Ne si Parti Demokratike e kemi shumë të qartë se me këtë klimë biznesi nuk ka sipërmarrje t’i rezistojë. Amerikanë, zvicerianë, gjermanë, anglezë, çfarëdo qofshin, biznesmenët më të zotë të botës, 10 gjenerata biznesmenësh po të jenë, nuk i rezistojnë dot kësaj situate, jo më sipërmarrja jonë që 30 vjet ka që operon edhe afro 20 vjet ka që operon në kushte disi të pranueshme.

Ku është mbështetja? Ku është mbështetja e domosdoshme për ekonominë? Këta njerëz, këta sipërmarrës kanë 25 vjet, 30 vjet që paguajnë taksat. Miliona euro kanë mbushur buxhetin e shtetit vit pas viti. Të gjithë shtetet, të gjithë qeveritë në këtë kohë kanë hapur arkën e shtetit dhe paratë e taksave të tyre i kanë kthyer si subvencione për pagat, i kanë kthyer si mbështetje për industrinë, sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme asnjë qeveri sot në botë sesa të mundësojë që ekonomia, ingranazhet e ekonomisë të vazhdojnë të punojnë. Ndërkohë, në Shqipëri ndodh e kundërta. Jo vetëm që s’ka asnjë mbështetje për ta, por gjithë paratë e taksave të tyre, e taksave të tuaja dhe taksave të biznesit, shkojnë për 4-5 oligarkë, shkojnë për 4-5 njerëz që, me një grusht, me një firmë, marrin miliona në këtë kohë pandemie.

Jo vetëm kaq, por duke parandierë largimin, kanë nisur të firmosin kuturu lloj-lloj lejesh zhvillimore, duke shkatërruar bregdetin, duke u dhënë klientëve të vet leje mbi leje dhe leja të reja.

Përfitoj nga rasti këtu në Golem t’u bëj të ditur qytetarëve shqiptarë se asnjë prej vendimeve të marra 12 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurdo që të jenë ato, nuk do të njihet nga qeveria ime pa iu nënshtruar një procesi transparent për të parë ligjshmërinë e vendimeve të marra. Ndaj i bëj thirrje çdo biznesmeni apo më keq sekseri dhe pseudo biznesmenëve, të mos gënjejnë njerëzit kot, të mos ushqejnë ëndrrat që ushqehen sa herë vjen tranzicioni, sa herë që vjen rotacioni i pushtetit të një qeverie në ikje “t’kapim çfarë t’kapim”, sepse çdo vendim i marrë 12 muaj para zgjedhjeve palamentare, qoftë vendim qeverie qoftë, vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit, si ato që kaluan në 2 javëshin e parë të qershorit, qoftë vendimet e parlamentit apo të pseudoparlamentit, do t’i nënshtrohen një rishikimi të plotë transparent, për të parë ligjshmërinë dhe për të parë përputhjen me interesin publik.

Është emergjencë që paratë e shqiptarëve të shkojnë vetëm tek shqiptarët. Industria e turizmit sot përbën 26% të ekonomisë shqiptare. 26% do të thotë qindra-mijëra shqiptarë, që nuk do të kenë dot bukën e gojës për fëmijët e tyre, nuk do të kenë dot pagat minimale për fëmijët e tyre, sepse, në vend që të mbështetet kjo industri me masa me lehtësime, vazhdojnë t’i rëndojnë e të mos u japin asnjë subvencion.

Problemi tjetër është që ndërkohë që nuk kujtohen t’u japin mbështetje, faturat, taksat, tatimet kërcasin si normalisht, njësoj sikur të jeni në aktivitet të plotë.

Mesazhi që kam nga Golemi, miqtë e mi, është që ky është një vend i bekuar nga natyra, është një vend i bekuar nga njerëzit punëtorë, por është një vënd i mallkuar nga ata që kemi në krye. Ndaj, një orë e më parë duhet ndryshim. Një ndryshim real dhe i prekshëm jo thjesht një rotacion karrigesh, por një qeveri që mendon për ju, një qeveri që mendon për ekonominë, një qeveri që mendon për vendet e punës dhe jo një qeveri që mendon vetëm për veten e vet dhe për një grusht oligarkësh.

Ky është zotimi ynë kryesor, ky është zotimi ynë i parë. Ta kthejmë qeverisjen tek njerëzit, ta kthejmë vëmendjen tek njerëzit, ta kthejmë vëmendjen tek ekonomia dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë, paratë e sipërmarrjes shqiptare, që mbushin arkën e shtetit, sot me shumë se kurrë, duhet të shkojnë tek sipërmarrja, duhet të shkojnë tek xhepat e boshatisur të konsumatorëve shqiptarë.
Ju përshëndes edhe njëherë nga kjo pamje e mrekullueshme këtu buzë detit, në Golem, me një plazh tejet të boshatisur dhe me shpresën që kjo kohë e vështirë, së shpejti, do të marrë fund me bashkimin e vullneteve të mira e të gjithë njerëzve punëtorë të këtij vendi.

Ju përshëndes nga hoteli i Kujtimit ju dhe gjithë bashkëqytetarët dhe sipërmarresit e turizmit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit