BE dhe Japonia nënshkruajnë marrëveshje tregtare

Mos i humb

Bashkimi Europian (BE) dhe Japonia kanë nënshkruar marrëveshje për partneritet tregtar dhe strategjik.

Kryeministri japonez Shinzo Abe, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk dhe Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker nënshkruan Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik dhe Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik në kuadër të Samitit BE-Japoni në Tokio.

Tusk tha se lidhjet ekonomike dhe politike janë shumë të forta, pavarësisht se BE dhe Japonia gjeografikisht janë larg njëra tjetrës.

“Kjo është marrëveshja më e madhe bilaterale tregtare e bërë ndonjëherë” tha Tusk, i cili shtoi se me marrëveshjet e nënshkruara partneriteti është zhvendosur në një nivel të ri.

Ai theksoi se një marrëveshje e tillë tregtare është mesazh i qartë kundër politikave ekonomike mbrojtëse në një periudhë kur sistemi ekonomik botëror është vendosur në pikëpyetje.

Kreu i KE-së, Juncker vuri në dukje se Japonia dhe BE-ja kanë parë ngjarje të ngjashme globale. Ai tha se marrëveshja tregtare do të rritë ndjeshëm tregtinë dypalëshe duke hequr shumicën e taksave doganore.

“Tregtia nuk ka të bëjë me doganat dhe pengesat, por me vlerën dhe parimet”, tha Juncker duke shpjeguar se me marrëveshjen, ata tregojnë sjellje shembullore në tregtinë e drejtë dhe të lirë.

Juncker shtoi se gjithashtu është arritur një marrëveshje për rrjedhën e lirë të të dhënave në mes të BE-së dhe Japonisë.

Në mënyrë që marrëveshja të hyjë në fuqi ajo duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe organi i legjislaturës japoneze. Pas miratimeve marrëveshja pritet të fillojë në vitin 2019.

Marrëveshja tregtare

Me marrëveshjen e nënshkuar tregtare, do të hiqen në mënyrë të ndërsjellë një pjesë e madhe e tarifave doganore që paguhen nga kompanitë.

Palët do të mbrojnë produktet e njëri-tjetrit që kanë “shenjën gjeografike”.

Kompanitë do të zgjerojnë reciprokisht qasjen e tyre në tregjet në fushën e bujqësisë, shërbimeve financiare, tregtisë elektronike, komunikimit dhe transportit. Po ashtu kompanitë do të marrin pjesë reciprokisht në tenderët publikë.

Gjithashtu tregjet do të hapen gradualisht në sektorin e automjeteve i cili cilësohet i ndjeshëm.

Samiti BE-Japoni, i planifikuar të mbahej në Bruksel, është shtyrë për shkak shumë viktimave si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut që goditën disa pjesë të Japonisë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit