BE projekt binjakëzimi për Agjencinë e Regjistrimit Civil në Kosovë

Mos i humb

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, u mbajt ceremonia e fillimit zyrtar të projektit të binjakëzimit të BE-së, “Mbështetje për Regjistrimin Civil dhe sigurinë e dokumenteve”.

Zyra e BE-së në Kosovë së bashku me institucionet e Kosovës përmes ekspertizës nga shtetet anëtare të BE-së si Holanda dhe Lituania përmes këtij projekti do të mbështesë Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Zyrat Komunale të Gjendjes Civile për të përmirësuar dhe zbatuar më tej parimet e menaxhimit dhe mirëmbajtjes, kuadrin ligjor si dhe të zbatojë strukturat që garantojnë shërbime të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të gjendjes civile.

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Flamur Sefaj, gjatë fjalimit të tij tha se ARC duhet të luaj rolin kryesor si autoritet i vetëm në Kosovë për menaxhimin e identitetit të qytetarit me një rol kryesor në zgjerimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike. Ai tha se fuqizimi i ARC-së do të mundëson krijimin e një strukture e cila do të jetë në përputhje të plotë me standardet e BE-së.

“Në vitet e kaluara ARC e mbështetur edhe nga projektet e financuara nga BE ka arritur progres të konsiderueshëm në fushën e sigurimit të dokumenteve duke përmbushur kështu të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave”, tha Sefaj.

Sefaj theksoi se ARC e cila përmes qendrave të saj ka shtrirje në gjithë territorin e Kosovës zhvillon dhe monitoron politika të gjendjes civile për gjithë qytetarët e Kosovës si dhe për ata që kërkojnë shërbime konsullore jashtë Kosovës.

Ndërsa, Natalya Apostolova, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë tha se BE në 30 muajt e ardhshëm do të ndihmojë në krijimin e një sistemi të sigurtë të dokumenteve të gjendjes civile si letërnjoftime, pasaporta dhe patentë shoferi. Ajo tha se institucionet për zbatimin e ligjit sa i përket këtyre dokumenteve janë shumë të rëndësishme për vlerësimin e dialogut të vizave.

“ARC duhet ta ketë një vizion të qartë për të ardhmen, duhet të ketë një lidhje me një sistem të IT-së e cila do të jetë e besueshme. Kur përfundon kjo detyrë shërbimet do të bëhen më të lehta dhe më të qasshme për qytetarët. BE është e angazhuar dhe do të jap mbështetje për këtë fushë”, tha Apostolova.

Drejtori i ARC-së pranë ministrisë së Punëve të Brendshme, Bekim Hoxha, në fjalimin e tij tha ky projekt mbështet fuqizimin dhe rolin e agjencisë për dy vitet e ardhshme.

“Ky projekt do të mbështes zyrat komunale të gjendjes civile që kanë po ashtu shumë nevojë për përkrahje dhe janë shumë efikase në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës. ARC ka shënuar të arritura të konsiderueshme në vitet e fundit duke krijuar edhe regjistrin qendror të gjendjes civile i cili përmban të dhëna personale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Hoxha./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit