“BeH të marrë në konsideratë njohjen e Republikës së Kosovës”

Mos i humb

Me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës në Sarajevë u mbajt tryeza e rrumbullakët “Shqiptarët në Bosnjë e Hercegovinë – lidhja historike dhe kulturore ndërmjet BeH-së dhe Kosovës”.

Në këtë tryezë vëmendja iu tërhoq institucioneve të BeH-së, të cilat ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap jo vetëm për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, por edhe për faktin se BeH-ja ende nuk njeh asnjë dokument të Kosovës, gjë e cila qytetarëve të BeH-së me origjinë kosovare u shkakton probleme të mëdha.

Pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët i bënë thirrje Presidencës së BeH-së që urgjentisht të marrin vendimin për njohjen e dokumenteve të Kosovës me çka do të mundësohet zgjidhja e çështjeve jetësore dhe ekzistenciale e qytetarëve me origjinë kosovare.

Ata gjithashtu u bënë thirrje institucioneve kompetente të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës të inicojnë bisedime të përbashkëta me qëllim të zgjidhjes konkrete dhe të përhershme të çështjes së liberalizimit dhe heqjes definitive të regjimit të vizave.

Njëra nga thirrjet ishte se të gjitha marrëveshjet mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të jenë të pranueshme edhe për Presidencën e BeH-së që në praktikë do të thotë eliminimin e të gjitha barrierave të pakuptimta dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.

Kryetari i komunitetit shqiptar në BeH, Muharrem Zejnullahu kujtoi se tryeza e rrumbullakët sot mbahet me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Qëllimi i tryezës së rrumbullakët, pikërisht sot më 17 shkurt, kur dhjetë vjet më parë Kosova shpalli pavarësinë, është që në një farë mënyre të tërheqim vëmendjen e institucioneve të BeH-së të cilat deri më sot lëre që nuk e kanë marrë asnjë hap për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, e cila sot është një realitet, por edhe ndaj masave të tjera drastike, dhe kjo është se BeH sot nuk njeh asnjë dokument të Kosovës, gjë e cila, qytetarët e BeH-së me origjinë kosovare, u krijon probleme të mëdha”, ka thënë Zejnullahu.

Madje, siç thotë ai, krijon edhe probleme ekzistenciale.

“Ne nuk mund të zgjidhim as çështjet elementare siç janë stazhi i punës, pensionet dhe çështje të tjera. Nuk pranohet as çertifikata e lindjes në aspekt të zgjidhjes së disa çështjeve të tjera. Të rinjtë në BeH me origjinë kosovare nuk mund të planifikojnë të ardhmen, sepse BeH nuk u njeh dokumentet, kështu që nuk mund të martohen”, theksoi Zejnullahu.

Sipas tij, statistikat e tyre tregojnë se në Federatën e BeH-së jetojnë më shumë se 10.000 qytetarë me origjinë kosovare.

Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Kosovës, Qerim Bajrami, tha se në Sarajevë ka ardhur mbi të gjitha që të takohet me të gjithë qytetarët me origjinë kosovare.

“Mesazhi im do të jetë që autoritetet e BeH-së edhe një herë të marrin në konsideratë njohjen e Republikës së Kosovës. Po ashtu, me shumë seriozitet të angazhohen për heqjen e regjimit të vizave, e cila është shumë rigoroze mes vendeve dhe që e bën të pamundur si për boshnjakët e Kosovës ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës të udhëtojnë lirisht në mes të Kosovës dhe BeH-së”, tha Bajrami.

Ai theksoi “se ka shkelje të dukshme të të drejtave të njeriut”.

“Shumë njerëz këtu nuk mund të gëzojnë as trashëgiminë e tyre, të drejtën e pronës, sepse u kërkohen dokumente personale, të cilat BeH nuk ua sepse janë lëshuar në Kosovë. Kjo është e pakuptimtë, sepse siç e dini ne kemi lirinë e udhëtimit me Serbinë dhe në të gjitha vendet e rajonit, ndërsa këtë mund ta realizojmë vetëm me BeH-në”, sqaron Bajrami.

Riza Sokoli jeton në Tuzëll për më shumë se tre dekada.

“Mendoj se qeveria jonë duhet të angazhohet rreth kësaj, sepse ne jemi këtu një kohë të gjatë. Kemi dhënë kontributin tonë në të gjitha aspektet, si para, gjatë dhe pas luftës, dhe madje edhe sot. Këtu janë familja jonë, por unë kam një familje edhe atje. Probleme ka në ardhje-vajtje. Nuk ka bashkëpunim ekonomik”, theksoi Sokoli./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit