BERZH i jep hua Kosovës 71 milionë euro për rrugën Prishtinë-Pejë

Mos i humb

Ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza dhe drejtoresha e Transportit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sue Berrett, sot nënshkruan marrëveshjen për hua për ndërtimin e autostradës Kijevë-Zahaç, e cila lidh kryeqytetin Prishtinën me qytetin e Pejës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me BERZH-in, Hamza tha se kjo marrëveshje është e dedikuar për financimin e një projekti të rëndësishëm infrastrukturor dhe ekonomik.

Ai bëri të ditur se ndërtimi i segmentit të rrugës Kijevë-Zahaq do të lidh një pjesë të madhe të territorit të Kosovës me kryeqytetin, Prishtinën, me aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë si dhe me korridoret e rëndësishme jashtë shtetit në drejtim të Shkupit.

Siç tha Hamza, sot është konkretizuar një projekt i cili kap vlerën prej 193 milionë euro.

“Komponentët e financimit të këtij projekti janë 71 milionë euro nga BERZH-i, 80 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime me të cilën jemi në negociata në fazën përfundimtare dhe presim në tremujorin e vitit 2018 ta nënshkruajmë. 38 milionë euro do të jenë të financuara nga Qeveria e Kosovës, 3.2 milionë euro janë grante, para nga korniza investive e Ballkanit Perëndimor dhe 600 mijë euro janë grante nga BERZH-i”, tha Hamza.

Drejtoresha për Transport e BERZH-it, Barrett tha se BERZH-i ka kënaqësinë të nënshkruaj këtë hua 71 milionëshe me Kosovën me anë të së cilës do ta mbështesin infrastrukturën në Kosovë.

“Kjo hua jepet për financimin e rrugës nga Kijeva në drejtim të Pejës që është pjesa e rrugës 6B, pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndërtimi i këtij rrjeti rrugor është i rëndësishëm për lidhjen në mes të qyteteve të Kosovës, gjegjësisht lidhjen e Kosovës me Malin e Zi”, tha Barrett.

Ajo shtoi se janë dhënë edhe 3.8 milionë euro për asistencë teknike në formë të grantit, 3.2 milionë euro për studimet e fizibilitetit, për studimet paraprake dhe dizajnin e rrugës dhe 600 mijë euro për përgatitje të tjera në kuadër të këtij projekti.

Barrett falënderoi Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës duke theksuar se ky projekt është përgatitur në mënyrë shumë të shpejtë dhe efikase në bashkëpunim me ministritë në fjalë. Barrett në fund tha se BERZH-i mirëpret implementimin e suksesshëm të këtij projekti dhe vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Pal Lekaj tha se kjo është një ditë e veçantë për ministrinë që ai drejton duke theksuar se me nënshkrimin e një marrëveshjeje që të financohet një segment rrugor “ka impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik”.

Ai u zotua se do ta përfundojnë punën në kohën më të shpejtë të mundshme, që sipas tij, është stërzgjatur 10 vite. Ai po ashtu bëri të ditur se punimet e kësaj autostrade do të fillojnë në gjysmën e dytë të vitit 2018 dhe do të përfundojë brenda dy vitesh./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit