Bisedimet me BE, “bardhezi”. Rama e shikon si fitore, Basha si humbje

Mos i humb

Duke shtyrë vendimin për Shqipërinë për votim në 2019, Bashkimi Europian përveç kushteve të renditura, u ka dhenë dhe një vit kohë kundërshtarëve politike në Shqipëri që të sulmojnë njëri-tjetrin si pengesë për integrimin europian.

Që në mëngjes, kryeministri Rama përshëndeti shqiptarët me një sulm për tradhtarët.

“Në të njëjtat orë që Këshilli Europian postonte një kartolinë përgëzimi për të gjithë shqiptarët, pas dakordësisë aspak të lehtë për datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë, esadistët e rinj të Shqipërisë hidhnin gurët e akuzave të tyre vulgare kundër qeverisë si fajtore për një dështim imagjinar në Europë! Me lutjen që të mos u’a harroni këto shfaqje të pafundme brutaliteti kundër qëllimit tonë të përbashkët dhe vetë Shqipërisë, ju uroj një ditë të bukur”, shkroi Rama.

Pak pas mesditë, Lulzim Basha deklaroi se situate është shumë e qartë, negociatat nuk janë hapur dhe deri qershorin që vjen Shqipëria do të duhet të kalojë të njëjtën procedurë në institucionet e BE-së si deri në këtë qershor dhe nëse Shqipëria nuk plotëson kushtet, negociatat janë përsëri në rrezik.

“Mos hapja e negociatave është refuzim ndaj krimit dhe korrupsionit që ka pushtuar Shqipërinë nën udhëhqjen e Ramës. Është refuzim i politikës së kapur nga krimi dhe i ekonomisë së kontrolluar nga paratë e drogës dhe të krimit. Do të na duhet që ne të gjithë së bashku të reflektojmë thellë për të marrë një kthesë themelore në politik dhe në qeverisje, në mënyrë që t’i kthehemi edhe njëherë perspektivës së sigurt evropiane”, u shpreh Basha.

Edhe pjesa tjetër e opozitës, LSI bën përgjegjës qeverinë që negociatat nuk u hapën këtë vit.

“Kushtet e BE janë të qarta. Ata nuk mundet të kenë si partner një qeveri që ka zgjedhur që të ketë partner krimin dhe të bëhet pjesë e tij”, tha Luan Rama.

Presidenti i Republikës bën thirrje që konkluzionet e këshillit për çështjet e përgjithshëm të mirëpriten me realizëm dhe përgjegjshmëri. Nëse palëve një vit u duket larg, përkundrazi për Ilir Metën 2019 është shumë afër, por situata do të jetë edhe më e ndërlikuar.

“Kjo qasje e BE duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim”, tha Meta.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë dha vlerësimin e saj.

“Nuk mund të flas për diçka një vit më herët, por ky është një kalendar i qartë. Në BE kjo tregon se ka një angazhim për këtë datë. Jemi të kënaqur pasi na jep një mundësi të lëvizim më shpejt dhe të fillojmë përgatitjet”, tha Vlahutin.

Ambasada amerikane përgëzoi Shqipërinë, duke e quajtur vendimin pozitiv, duke njohur progresin në reformat kyçe, SHBA nxit Shqipërinë që të rrisë ritmin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit