Blloku arab shton në “listën terroriste” Unionin Botëror të Dijetarëve Muslimanë

Mos i humb

Bllok arab i udhëhequr nga Arabia Saudite që ka vendosur bllokadë kundër Katarit, i cili përfshin Arabinë Saudite, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinin, njoftoi të mërkurën vonë se ka shtuar dy organizata dhe 11 individë në listën e saj terroriste.

Organizatat e shtuara në listën terroriste përfshijnë Këshillin Ndërkombëtar Islam dhe Unionin Botëror të Dijetarëve Muslimanë të udhëhequr nga dijetari i shquar egjiptian, Shejh Jusuf al-Kardavi.

Të katër vendet thanë në një deklaratë të përbashkët se organizatat e shtuara në listë “përpiqen për të promovuar terrorizmin nëpërmjet shfrytëzimit të diskursit islam, të cilin e përdorin si mbulim për të kryer aktivitete të ndryshme terroriste”.

“11 individët (të shtuar në listë) kanë kryer operacione të ndryshme terroriste për të cilat kanë marrë mbështetje të drejtpërdrejtë nga Katari”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga agjencitë e lajmeve të Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Bahreinit.

Ndërkohë, Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë ende nuk ka dalë me deklaratë lidhur me zhvillimin.

Në qershor, Arabia Saudite, EBA-të, Egjipti dhe Bahreini ndërprenë lidhjet diplomatike dhe tregtare me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetjen e grupeve terroriste në rajon”.

Katari, nga ana e tij, i ka mohuar akuzat, duke i përshkruar përpjekjet për ta izoluar atë si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit