Brajkoviç: Të drejtat e njeriut dhe të pakicave asnjëherë nuk përfundojnë

Mos i humb

Kryetari i Parlamentit të Republikës së Malit të Zi, Ivan Brajkoviç, sot qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku zhvilloi takim kokë më kokë me homologun e tij nga Maqedonia, Talat Xhaferi.

Pas takimit, Xhaferi dhe Brajkoviç mbajtën një konferencë të përbashkët të shtypit.

Talat Xhaferi rikujtoi se Mali i Zi është vendi ku ka realizuar vizitën e parë zyrtare si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë dhe shtoi se kjo është shenjë për marrëdhniet miqësore mes dy vendeve.

“Me këtë rast, doemos duhet të theksoj dhe të falënderoj për mbështetjen e fuqishme që e marrim nga Mali i Zi, për të cilin integrimi ynë në NATO paraqet interes nacional, sepse konsiderojmë se me këtë do të arrihet stabilitet në rajon dhe në këtë mënyrë do të mund ta intensifikojmë bashkëpunimin rajonal dhe sigurisht duke hapur edhe perspektiva të reja për qytetarët tanë me përmbajtjet cilësore dhe projektet e reja”, theksoi Talat Xhaferi.

Brajkoviç, duke theksuar kënaqësinë për vizitën e sotme në Maqedoni, tha se është kryeparlamentari i parë i Malit të Zi, që pas pavarësisë së vendit në vitin 2006 vjen për vizitë zyrtare në Maqedoni.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve tona janë shumë të mira dhe tregojnë se si në fakt duhet të zhvillohen marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Brajkoviç.

Ai tha se si vend anëtar i NATO-s me padurim presin që t’i hapin duart dhe ta presin Maqedoninë si anëtarja e 30-të e Aleancës dhe beson se kjo do të ndodh së shpejti.

Brajkoviç tha se Maqedonisë do t’ia përcjellë tërë përvojën e rrugës për anëtarësim në NATO dhe anëtarësimin në BE dhe shtoi se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve nuk është në proporcion me marrëdhëniet politike.

“Neve na takon ta intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik që nuk është në proporcion me marrëdhëniet politike, në të gjitha sferat, veçmas në sferën e komunikacionit, shkëmbimit turistik dhe sigurisht se këto kontakte do të kontribuojnë për këtë”, potencoi Brajkoviç.

Duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske për atë se çfarë janë përvojat e përdorimit të Ligjit për gjuhë në vendin e tij, i cili ekziston tashmë dy vite dhe parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në komunat ku ka pesë për qind popullatë shqiptare, ai tha se përvojat malazeze me përdorimin e gjuhëve janë të shkëlqyeshme dhe se të drejtat e njeriut dhe të pakicave asnjëherë nuk përfundojnë, por vazhdimisht duhet të avancohen, meqë të gjithë jetojnë në një shtëpi të përbashkët.

Kryetari i parlamentit të Republikës së Malit të Zi, Ivan Brajkoviç, u adresua edhe para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë dhe u nënshkrua në Librin e Përshtypjeve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit