Britani, ligjvënësit marrin përkohësisht kontrollin e Brexit

Mos i humb

Ligjvënësit britanikë kanë marrë përkohësisht kontrollin e procesit Brexit, duke ia hequr kështu kryeministres britanike Theresa May. Kjo konsiderohet si një lëvizje e rrallë e cila i vendos ligjvënësit britanikë në pozicion drejtues në këtë rast. May, e cila shpreson ende të miratohet marrëveshja e saj, e refuzuar dy herë, është shprehur para votimit se nuk ka mbështetjen e duhur për ta sjellë për votim për të tretën herë planin e saj.

“Vazhdoj të diskutoj me kolegët e mi në Parlament për të fituar mbështetje dhe për të ecur përpara drejt Brexit. Jam skeptike ndaj ketij votimi që mund të çojë në një rezultat që është i panegociueshëm me BE-në. Asnjë qeveri nuk mund të japë çek të bardhë për t’u angazhuar ndaj një rezultati pa e ditur se cili do të jetë ai. Ndaj, unë nuk mund ta angazhoj qeverinë që të miratojë rezultatin e çfarëdo votimi të mbajtur nga kjo dhomë, por zotohem që të ketë një angazhim konstruktiv në këtë proces”, tha May.

Pas deklaratës së saj, ligjëvënësit votuan me 329 vota pro dhe me 302 kundër në favor të një amendamenti që i jep atyre kontrollin e axhendës së parlamentit dhe i hap rrugën për një sërë votimesh alternative të mërkurën ndaj marrëveshjes së Theresa May me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë nga BE-ja, një marrëveshje kjo shumë e kritikuar. Në këto votime në parlament, deputetët mund të votojnë për shtatë opsione të ndryshme, ku mund të përfshihet edhe një referendum i dytë, dalja nga BE-ja pa marrëveshje dhe një Brexit më i butë.

Qeveria e Mayt premtoi se do të “angazhohet në mënyrë konstruktive” ndaj procesit, por nuk u zotua se do të miratojë çfarëdo që vendosin ligjvënësit. Bashkimi Evropian i ka dhënë Mayt kohë deri më 12 prill, për të siguruar mbështetjen e ligjvënësve britanikë për marrëveshjen që ajo ka arritur me BE-në për Brexit-in, ose për të gjetur alternativa të tjera të zbatueshme. Në këtë rast rast, Britania do të largohet nga blloku më 22 maj. Fillimisht, ishte parashikuar që Britania të largohej nga BE-ja më 22 maj, por në parlamentin britanik u votua për shtyrjen e kësaj date. Ekspertët kanë paralajmëruar se dalja e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit