BURGJET KU KALBEN SHQIPTARËT E LURTOHEN KRIMINELËT

Mos i humb

Bashkim Aliu

“Kalben njerëzit e ndershëm atje ku lartësohen kriminelët”(Sami Frashër)
Që nga koha e Jugosllavisë titiste, bile edhe më herët, shqiptarët çdo herë kanë qenë “të këqinjtë, destruktivët, problematikët, nacionalistët e separatistët” të cilët punojnë për llogari të huaja, por në të njejtën kohë, edhe pa të cilët nuk ka mundur të jetohet, ngase nuk kanë patur cilin ta akuzojnë si separatist e iredentist, si dhe për atë se nuk ka patur kush të bëjë tollumba dhe bakllava, si dhe kush t’i sharoj drurët e dimrit, sepse sllavët e jugut kanë qenë nëpër “funkcija”(punë shtetëtore). Në periudhën e komunizmit, kur i këndohej bashkim-vëllazërimit dhe bashkëjetesës-e që për fat të keq edhe dikushi nga “mollat” u mundua në atë kohë të vëretojë se kjo ideologji e gjen vendin edhe në Kur’an, duke u thirrur në një ajet të Kur’anit ku flitet se njerëzit janë krijuar popuj e fise që të njihen mes veti, por jo ta jetësojnë propagandën moniste të bashkim-vëllazërimit të rrejshëm- në po të njejtin vend ku ngritej kjo parullë fallco dhe hipokrite, krijohej përceptim se shqiptarët vlejnë vetëm për këto punë, gjegjësisht për të bërë punë të rënda, të cilat tjerët nuk mund vetë t’ua dalin dot, të shërbejnë për tjerët, të punojnë për ta ndërtuar”shtetin e përbashkët” dhe mos t’u dhimbset djersa që e derdhin. Pastaj, të njejtit janë kthyer dhe kanë mbajtur ligjërata se sa i mirë është shoku Tito, sa të drejta u ka dhënë shqiptarëve, ngase mos kishte qenë shoku Tito, kur do ta kishin atë “fat” t’i sharojnë drurët e dimrit të funksionarëve të “Beligradit”. Po në këtë drejtim kanë qenë edhe veprime tjera diskriminuese, fjala vjen, kur ndonjë sllavo-jugor ka bërë ndonjë delikt, gjyqi i marshall Titos e ka shpallur “me të meta psiqike”, ndërkaq veprimet e shqiptarëve, edhe nëse kanë qenë ushtrim force për ta mbrojtur veten dhe të drejtat e veta, si rezultat i mungesës së mbrojtjes ligjore, janë cilësuar me automatizëm nacionalizëm dhe separatizëm. Kur i kanë vrarë shqiptarët nga urrejtja, siç ishte rasti me vrasjen e Aziz Kelmendit, i cili në atë kohë ishte duke e kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë e RSFJ-së, si dhe shumë tjerëve që kanë ngelur anonimë, janë liferuar në opinion si “vetëvrasje”, etj.
Mirëpo, rrëfimi i dhimbshëm i diskriminimit, margjinalizimit dhe zullumit ndaj shqiptarëve, nuk përfundoi me përfundimin e ish-Jugosllavisë komuniste, por edhe në periudhën postkomuniste, në këtë copë toke shqiptare që u gjend brenda kufijve të ish republikës jugosllave të Maqedonisë (tash Maqedonia e Veriut), kërbaçi mbi shqiptarët nuk pati të ndalur. Procese të montuara politike, diskriminim i hapur në shkollim, punësim, gjyqësor, ekonomi, subvencione në bujqësi, si dhe në shumë segmente tjera. Kur janë në pyetje tjerët, ndiqen në mënyrë të përpiktë procedurat, ndërkaq kur janë në pyetje shqiptarët, policia nuk ka përgjegjësi dhe nuk obligohet me zbatim të ligjeve, megjithë që e vetmja kërkesë është që të demonstrohet sa më tepër forcë dhe të tregohet se sa i rreptë është shteti “me nalog” dhe “pa nalog”(me urdhër nga organet gjyqësore për bastisje dhe veprime tjera, dhe pa urdhër). Sikur të kishte ndodhur diku tjetër rasti i intervenimit dhe dhunës që ushtroi policia në Gostivar në vitin 1997, kryeministri Branko Crvenkovski dhe ministri i brendshëm Çokreski, do të dërgoheshin në gjyqin për krime lufte në Hag, e jo të lehen të vazhdojnë në pushtet dhe të mburen se si “e kanë mbrojtur shtetin”. A thua vallë dikush vërtetë mbajti përgjegjësi për dhunën dhe tejkalimin e kompetencave nga ana e policisë?! A thua dikush u sanksionua?! Jo, askush. “Margaritarë” të këtillë të diskriminimit dhe racizmit ka shumë, do të na merte shumë hapësirë sikur t’i numëronim të gjitha.
Dhe ja, tash edhe “margaritari” më taze (më i freskët) i çmendurisë, racizmit dhe korruptimit të sistemit gjyqësor të Maqedonisë së Veriut. E lëshuan në shtëpi ish-prokuroren speciale nga Gjevgjelia, Katica Janeva. Edhe përskaj treguesve të pakontestueshëm të involvimit të saj në rastin e njohur “zhvatja”(reket), gjykatësit e “pavarur” e miratojnë ankesën e saj dhe e lëshojnë në “arrest shtëpiak”. Nga ana tjetër, avokati i popullit dhe disa palë tjera, me vrap janë nisur drejt Shutkës për t’u interesuar për shëndetin e protagonistit publik kryesor në rastin “zhvatja”, të njohur me nofkën Boki 13. Kjo ndodhi për këta. Por, edhe përskaj asaj se shumë shqiptarë janë keqtrajtuar dhe janë privuar nga të drejtat themelore që u takojnë me ligj në burgjet e Maqedonisë së Veriut, dhe akoma vazhdojnë, askujt nuk i ka interesuar asgjë, dhe as që i intereson. Edhe përskaj asaj se nji morri rastesh gjyqësore kanë qenë të dyshimta dhe disa shqiptarë janë kalbur nëpër burgje pa fakte, askush nuk lëvizi nga vendi. Në rastin e të gjykuarve nga Sopoti, ka patur tregues të qartë se bëhet fjalë për proces të montuar, megjithatë reagimi i palëve kompetente, dhe në veçanti avokatit të popullit, ka qenë i vakët, jo dinjitoz dhe jo në nivelin e duhur. Nuk është kërkuar që dikush të skapullohet nga padrejtësia, por thjesht fuqishëm të theksohet se ajo që ka ndodhur me ta është padrejtësi dhe jo e përputhshme me ligjin. Reagimi karshi këtij rasti ka qenë i vonuar, sa për sy e faqe, dhe sa për t’u thënë se u bë diçka. Ndërkaq, për rastin “zhvatja”, kur është kërkuar të reagohet për Boki Trideçin, reagimi ka qenë i shpejtë, ngase për këto raste, avokati është sanguin.
Ky rast është etaloni i gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, por, në të njejtën kohë, është shenjë turpi, papërgjegjësi dhe paaftësi e faktorit shqiptar në funksione politike dhe në strukturat tjera të pushtetit, si në atë legjislativ, ashtu edhe në atë gjyqësor, që të jetë aty ku duhet për ta mbrojtur shqiptarin, i cili vazhdon të diskriminohet dhe të shihet si i dorës së dytë dhe fajtor kujdestar, edhe tash pas 2001-shit. Duke i parë zhvillimet politike dhe rezultatet jo të duhura, shumë pyesin: Vallë, çka u bë në vitin 2001, në Maqedoni, dhe pse u bë?!
Sido qoftë, shqiptarët vazhdojnë të kalben nëpër burgje me procese të montuara, edhe pse në instancat gjyqësore ka edhe shqiptarë, bile, këto procese janë montuar edhe atëherë kur ka patur ministër të drejtësisë shqiptar. Shqiptarët nëpër burgje, sipas kësaj logjike, “nuk janë sëmurë asnjiherë”, po “as që kanë patur nevojë për mjek”, ngase analizat u kanë dalur krejt “mirë”. Në burgjet e RMV-së sëmuren vetëm maqedonasit, të cilët “urgjent” duhet të hospitalizohen dhe të dërgohen në shtëpi, sepse përndryshe, “jetën e kanë në rrezik”, dhe dikush duhet të mban përgjegjësi.
RMV me këtë gjyqësor dhe këtë klasë politike, është duke shkuar pikërisht drejt për në Ev(g)ropë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit