Bushati: Në finale Reforma në Drejtësi do prekë gjithë klasën politike! Lubonja e Vasjari: Situata po degradon

Mos i humb

Analistët Arjan Vasjari dhe Fatos Lubonja nuk e kanë mbështetur idenë e ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për një pakt kombëtar për zgjidhjen e krizës politike, duke u shprehur në emisionin “Real Story”, në “News24”, se është shumë vonë për këtë pakt, pasi sipas tyre, situata politike në vendin tonë ka degraduar.

Nga ana e tij, ish-ministri Bushati, duke folur për Reformë në Drejtësi, ka deklaruar se në finale kjo reformë do të prekë jo vetëm opozitën, por të gjithë klasën politike shqiptare.

“Mua më rezulton se Reformën në Drejtësi e kam konsideruar që në vitin 2016 si testi i stresit për politikën shqiptare. Ne ende nuk e kemi kapërcyer këtë stres apo paranojën që na jep kjo reformë. Nuk mendoj që në finale Reforma në Drejtësi do prekë ata që janë sot në opozitë, do t’i shtrijë efektet tek e gjithë klasa politike shqiptare”, ka theksuar Bushati.

Pjesë nga diskutimet:

Vasjari: Ka një pozicion racional të z.Bushati, ndonëse unë do kisha parapëlqyer që ky pozicion racional të mos ishte sot, por që në vitin 2015, ku ne filluam me 5 kushte, na u bënë 7, Bundestagu na çoi në 9. Pakti Kombëtar që thotë z.Bushati në thelb është shumë pozitiv. Por, unë kam frikë se ne jemi shumë vonë, madje them mos jemi dramatikisht vonë për këtë pakt. Unë them në këtë rrëzim të tmerrshëm që na ndodhi nuk ka vetëm një të vërtetë. Unë e pranoj që problematikat e brendshme të BE janë një problem real, dhe është edhe ky si problem që na penalizoi. Por, edhe ajo që thotë opozita është e vërtetë. Më thoni një vend të ngjashëm, që të jetë mizerabël, siç është Shqipëria sot. Z. Bushati pohoi se Shqipëria është në krizë sistemi, dhe kjo është e tmerrshme. A mundet që ne të ngremë një pretendim në portat e Evropës dhe të themi “na pranoni”. Evropa i bën një skaner sistemit në Shqipëri dhe thotë “ky është një vend jo normal, që nuk do të ketë kurajon të trokasë te ne”.

“Jemi në një labirinth vetëmashtrimi”, ka thënë Bushati. Por të thuash këtë, do të thotë që ne jemi fajtorët, por që tentojmë t’ia lëmë tjetrit fajin. A ka progres Shqipëria? Sigurisht që ka progres. Reforma në Drejtësi është një sukses themelor për demokracinë shqiptare. Por, nuk mjafton vetëm ajo. Ne që nga 2015-a, e në vijim, reforma në administratën publike është një kryefjalë. Kemi 30 vite që nuk bëjmë reformë në administratën publike. Këtu bëhet fjalë edhe për ata që fshijnë, që lajnë, duhet të kenë patjetër konsiderata politike.

Bushati: Insistoj në një pikë, që përgjegjësitë e mia nuk ndryshojnë. Këtë proces që flasim unë kam pas fatin për ta ndjekur nga kënde të ndryshme të tryezës. Mua më rezulton se Reformën në Drejtësi e kam konsideruar që në vitin 2016 si testi i stresit për politikën shqiptare. Ne ende nuk e kemi kapërcyer këtë stres apo paranojën që na jep kjo reformë. Nuk mendoj që në finale Reforma në Drejtësi do prekë ata që janë sot në opozitë, do t’i shtrijë efektet tek e gjithë klasa politike shqiptare.

Qëndrimi i opozitës në këtë proces është i pandershëm, e para se analiza është e gabuar, e dyta se opozita nuk ka kontribuuar fare gjatë këtij viti. Unë mendoj që Shqipëria nuk ka alternativë tjetër, e vetmja mënyrë është duke hyrë në këtë proces. Sado probleme të kemi ne, mendoj se Shqipëria i ka hedhur disa hapa vendimtarë përpara. Sistemi politik është në këtë derexhe për shkak të ngjarjeve të 2019. Nuk mendoj se opozita la Kuvendin për tonet e Ramës, sepse më 21 janar ne u vramë në Bulevard dhe shkuam sërish në Kuvend. Kjo është si puna e biçikletës, nuk pedalin dot vetëm me një rrotë. Këtë proces, nëse duam ta rregullojmë dhe të vendosim binarët, duhet të ulemi të gjithë.

Lubonja: Nuk bie dakord me një gjë që thonë Vasjari e Bushati, që thoni se ka rënë sistemi. Neve nuk na ka rënë sistemi, por problemi është se kemi ngritur një sistem të mbrapsht. Rama tha se është një sistem që nuk përdoret si i ndershëm, që edhe gjermanin e bën të korruptuar. Problemi jonë është ky sistem, jo se ka rënë sistemi. Ajo metaforma e biçikletës është e bukur, por ne kemi kaluar 50 vite biçikletë me një këmbë dhe sistemi autoritar është në rritje në Shqipëri me Ramën dhe partinë tuaj. Nuk ka të krahasuar me kohën e Fatos Nanos, që ka pasur njëmijë mëkate, por që krijoi aleancë për shtetin, me të cilën bëri ministër Neritan Cekën, bëri një Kushtetutë.

E keqja jonë është se kemi pas ca figura, që e kërkojnë pushtetin të plotë. Është degradimi i sistemit ekonomik. Foli Bushati për sponsorizimin e partive. Partitë janë kompani biznesi, që sponsorizohen nga oligarkë dhe nuk ke sistem demokratik, sepse populli gënjehet një ditë për votën, ose iu blihet vota, partitë punojnë për oligarkët. Por, së fundi na kanë hyrë dhe kriminelët e trafikantët. Pse ka dalë opozita, ka pas dhe të drejtë. Në këtë sistem, kur ti i kap të gjithë, s’kam më as bashki, atëherë çfarë ngelet, që të dalë jashtë loje. Opozita ka dalë, se e ka nxjerrë ky sistem. Ne kemi një sistem autoritar, që po degjeneron, sepse jemi dhe të paaftë, që kapemi te trafikantët. Me kë të bësh pakt?

Bushati: Duhet të ndajmë një gjë, unë s’jam as prokuror, as gjyqtar, jam politikan. Nuk kam bërë ndonjëherë akuza të karakterit penal. Z.Lubonja me të drejtë ngre disa shqetësime, që atë e preokupojnë. Pikëpamja ime është se në këto 30 vite ne kemi provuar të gjithë, dhe kemi kuptuar që për disa çështje themelore na mungon sistemi i besueshëm. Kemi dhe monedhën e dobët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit