Bylykbashi: Edi Rama duhet të largohet patjetër. Sistemi zgjedhor nuk është çështje e rekomandimeve të ODIHR-it

Mos i humb

“Me Edi Ramën zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri nuk ka”. Për këtë opozita është e bindur megjithëse sot mes palëve është arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore. I mandatuari i Partisë Demokratike për reformën zgjedhore, ish-deputeti Oerd Bylykbashi ka shpjeguar sot në studion e Neqs24, në rubrikën “Opinion” se çfarë synon opozita.

Bylykbashi tha se nuk është hequr dorë nga largimi i kryeministrit Edi Rama, pasi me të nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme por synohet fillimisht mbyllja e procesit të reformës.

Ndërkohë ai ka shpjeguar edhe arsyet se përse PD nuk është për ndryshimin e sistemit zgjedhor, një pikë tjetër takimi me maxhorancën por theksoi se kjo çështje kërkon një diskutim të gjerë brenda partisë. Sipas tij, çështja e sistemit nuk është rekomandim i ODIHR.

Çfarë do të ndryshojë konkretisht, si do të luftohet se tani problemi kryesor është tek shitblerja e votës, para procesit? Duket sikur palët i kanë gjetur kleçkat teknike se si të mos…se përpara vidhej vota në tavolinë, komisionerëve kur numërohej, tani duket se këto janë përmirësuar. Frika është tek ajo që ndodh para se personi të shkojë të votojë, duke futur influencën e krimit, të parave, të vendeve të punës e gjithë këtë. Si mund të luftohet kjo?
Reforma zgjedhore synon pikërisht këtë, vendosjen e garancive apo atyre dispozitave të cilat do ta frenojnë, në mos do ta shkulin krejtësisht problematikën.

Po si? Cila është mënyra?
Nëse do të shpresonim që të kishim një zgjidhje me një mënyrë të vetme të shitblerjes së votës, është e pamundur. Është tashmë, për fat të keq është kaq shumë e përhapur sidomos në partinë në pushtet është bërë mekanizëm, kështu që kërkon që Prokuroria të bëjë punën e vet dhe prokuroria nuk ka ndëshkuar asnjë njeri. Keni dy dosjet e famshme, ne nuk kemi asnjë të dënuar. Madje ndarja e dosjes 339 në dy pjesë ka bërë që të heqë atë element…psh në Itali e njëjta dosje e pandarë do të përbënte nivelin e organizatës së tipit mafioz, ndërkohë do duhet të rregullosh policinë. Policia e ka lejuar terrenin plotësisht të lirë. Përveçse bën fushatë për qeverinë ia ka lejuar krimit, mundet që nëpërmjet votimit elektronik në procesin zgjedhor redukton, jo shuhet mundësia për të blerë votën. Nëpërmjet rritjes së transparencës së financimit të partive politike reduktohen hapësirat që paraja kriminale të futet në proces, pra është një qasje me shumë pika për të trajtuar një problem që është problemi i vetëm tmerrësisht i rrezikshëm. Por nuk është vetëm ky. Janë rregullat që duhen vendosur se si të bllokohet qeveria nga presioni mbi administratën publike, që mos të detyrohen të dalin për të bërë numrin e pjesëmarrjes në votim.

Ju e dini këtë që të paktën 5 zona numërimi në Republikën e Shqipërisë, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, një në Shkodër e 1 në Elbasan, i kemi hapur, i kemi numëruar nga kamerat, rezulton që nëse historikisht kanë pasur votën e pavlefshme 2%, kësaj radhe e kanë pasur 10-12%. Në 2019, më 30 qershor. Që do të thotë punonjësit e administratës janë detyruar të shkojnë të votojnë dhe më pas ua ka prishur votën.

Si mund të detyrohet që mos ta bëjë presionin?
Ka një rekomandim shumë të fortë të ODIHR. Ata shkojnë aq larg sa që thonë të ngrihet një institucion i pavarur që të godasë këtë çështje. Se si, ne do të bëjmë propozimet tona për mekanizmat. Përsëri nuk është një mekanizëm i vetëm. Kërkon përsëri prokurorinë në lojë, kërkon përsëri policinë, kërkon reduktimin e hapësirave për abuzim me administratën shtetërore por kemi dhe një gjë parasysh. Për herë të parë OSBE/ODIHR shkruan një rekomandim që thohet duhet të depolitizohet administrata publike. Pra, ai tam-tami i madh i Edi Ramës edhe me disa ndërkombëtarë që thonë që reforma në administratën publike ishte sukses, rezulton një dështim skandaloz por me pasoja për zgjedhjet. Sepse administrata e politizuar përdoret më pas për të prodhuar vota për qeverinë dhe kjo është në kundërshtim me standardet e OSBE-së.

Kjo ka ndodhur gjithmonë, si do hiqet kjo?
Atëherë po ju them këtë. Në vitin 2007, OSBE-ODIHR thotë që qeveria nuk ndërhyri në proces. Mbyllet historia. Në 2007 ka qenë kryeministër Sali Berisha.

Problemi i pjesëmarrjes sigurisht që ka qenë gjithmonë problem. Sigurisht që ka drejtues administrate që për t’u dukur të suksesshëm bëjnë edhe këtë. Përdorimi sistematik është ai që ka bërë që ta çojë në rekomandim prioritar. Tani ma shpjegoni mua pse duhet të dalë rekomandim prioritar absolut në 2019 presioni mbi administratën publike kur nuk kishte kundërshtarë përballë. Ashtu siç nuk shpjegoni dot pse edhe pa kundërshtarë Edi Rama kur emëron kryetarët e bashkisë, i emëron kriminelë. Askush as e kupton e as e pranon këtë si të gjithë shqiptarët. Por ama është shumë e thjeshtë, kur Edi Ramës i lë dorë të lirë, pra ai sheh se ka fushën bosh përpara kthehet tek pakti i tij fillestar në 2013, marrëveshja me krimin. I vendos përsëri edhe pse kemi ligjin e dekriminalizimit që është më i ashpri së paku në Evropë. Edhe këtë përsëri e thyen.

Çështja kryesore e opozitës për të cilën sakrifikoi edhe prezencën në parlament dhe gjithë historia që vijoi pas djegies së mandateve ka qenë zgjedhje pa Ramën kryeministër. Tani që jemi në këtë fazë, që kemi këtë tryezë, këtë konsensus bie edhe ky kusht apo…?
Absolutisht jo!

Si do ta arrini atëherë?
Problemet kryesore sot në raport me procesin zgjedhor janë probleme që janë jashtë kodit zgjedhor, shumica dërrmuese, problemet e mëdha. Kush? Policia e shtetit, manipulimi me listat, abuzimi me burimet shtetërore, shitblerja e votës, senimi i sekretit të votës, cenimi i lirisë së votës. Një pjesë e mirë e këtyre janë vepër penale në kodin zgjedhor, madje dhe vepër korrupsioni. Shitblerja e votës është vepër korrupsioni duhet ta ndjekë SPAK. Kur e kemi bërë? Në 2017-ën. Çfarë bëri në 2017-ën? Bleu vota përsëri. Pra, edhe firmos marrëveshje edhe ndryshon kodin penal për këtë gjë dhe në fund ç’bën, përsëri blen. Pse? Sepse është i bindur që prokurorinë e ka në xhep. Prokuroria nuk bën asgjë. Atëherë ne duke e ditur që e keqja e gjithë kësaj historie nuk janë nene që mungojnë, ky kod zgjedhor i ka prodhuar fitoren, kështu siç është sot, i pa amenduar, prodhoi fitoren në 2013 për PS-në. Mos mendoni ju që në reformën e 2012-ës, bëmë reformë që të fitonte PS-ja? Absolutisht jo, ne luftonim për të fituar vetë por me rregulla të barabarta loje. Tani kemi një kryeministër që nuk pyet për kod zgjedhor, nuk pyet për ligj dekriminalizimi, nuk pyet për kushtetutë, ka vrarë sistemin gjyqësor, ndihet i pakontrollueshëm e për rrjedhojë mendoni që ky do të garantojë që do të frenojë veten nga ky pasioni prej piromani.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit