“Çdo i pesti fëmijë në botë jeton në varfëri të skajshme”

Mos i humb

Një nga pesë fëmijë në botë jeton në varfëri të skajshme, ka treguar një raport i publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Fondi i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara (UNICEF).

Shifra përkon me 385 milionë fëmijë në botë, të cilët jetojnë me më pak se 1,9 dollar në ditë, ka treguar raporti i titulluar “Drejt mbrojtjes sociale për fëmijët në nivel global”.

Ndërkaq, 689 milionë fëmijë, apo gjysma e numrit total të fëmijëve, jetojnë në varfëri mesatare me më pak se 3,1 dollarë në ditë.

Sipas raportit, niveli i varfërisë te fëmijët është thuajse dyfish më i lartë se ai te të rriturit.

Gjysma e fëmijëve që jetojnë me më pak se 1,9 dollarë të ardhura ditore janë nga Afrika, kurse një e treta nga Azia Jugore.

– “35 përqind e fëmijëve marrin mbrojtje sociale”

Në raportin e UNICEF-it dhe ILO-së thuhet se mbrojtja sociale është kritike për fëmijët për të eliminuar varfërinë dhe efektet shkatërruese të saj dhe se shumica e fëmijëve nuk janë të përfshirë nga mbrojtja efektive sociale.

Transferimi i parave nga ana e shteteve për mbrojtje sociale luan rol jetësor në thyerjen e rrethit vicioz të varfërisë dhe brishtësisë, ndërsa rreth 35 për qind e fëmijëve në mbarë botën përfitojnë nga mbrojtja sociale, theksohet në raport.

87 për qind e fëmijëve në Evropë dhe Azinë Qendrore, 66 për qind në Amerikë, 28 për qind në Azi dhe 16 për qind në Afrikë mund të marrin mbrojtje sociale.

Mbrojtja sociale e krijuar për fëmijët nuk është privilegj i vendeve të pasura, thuhet në raport, në të cilin bëhet thirrje për zgjerimin e shpejtë të përfitimeve të fëmijëve dhe familjeve për të siguruar mbrojtje sociale universale për fëmijët dhe për të realizuar synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së për Vitin 2030.

Sipas raportit, në vitet e fundit, përpjekjet e përbashkëta të shteteve anëtare të OKB-së, organizatave ndërkombëtare dhe aktivistëve kanë çuar drejt përparimit në shndërrimin e mbrojtjes sociale si një prioritet global dhe në veçanti drejt dhënies një rëndësi të veçantë fëmijëve dhe grupeve të cenueshme.

Në raport thuhet se në vendet si Argjentina, Brazili, Kili dhe Mongolia, shpenzimet për mbrojtjen sociale universale janë rritur, por në shumë vende të tjera, programet e mbrojtjes sociale kanë hapësirë të kufizuar dhe nivele të pamjaftueshme.

– Nevojë për investim më të madh për fëmijët

Raporti vë në dukje nevojën për më shumë burime financiare për të zgjeruar projektet e mbrojtjes sociale për fëmijët, gjë e cila, siç thuhet, është e mundur edhe për vendet më të varfra.

Në raport rikujtohet se disa qeveri kanë kufizuar ndihmat në vend të zgjerimit të tyre.

Siç thuhet në raportin e dy organizatave të OKB-së, projekti i mbrojtjes është komponenta kryesore e përmirësimit të qasjes në ushqim, shëndetësi dhe arsim, si reduktimit të punës së fëmijëve, varfërisë dhe brishtësisë së tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit