Ç’është “Dita e Jetës”?

Mos i humb

Disa mund të thonë; dita e dasmës sime, dita e diplomimit… ajo është “Dita e Jetës”.

Lexo se cila është “Dita e Jetës”:

– Nuk i shkoi ndër mend atij burri se kur hoqi një pengesë apo pisllëk nga rruga ku kalonin njerëzit, ajo mund të ishte dita më e mirë e jetës së tij, pasi Allahu për këtë i fali gjynahet.

– Nuk i shkoi ndër mend gruas imorale se dita më e lumtur e jetës së saj ishte dita kur i dha të pijë ujë qenit të lodhur nga etja, e Allahu u kënaq me veprimin e saj, dhe e fali.

– “Dita e Jetës” se Jusufit alejhi selam, ishte dita kur mposhti epshin dhe refuzoi thirrjen e gruas së pronarit të tij, duke thirrur: “Mos o Zot!”
E me këtë qëndrim të tij fitoi afrimitetin e Allahut dhe mori shpërblimin: “Ai është prej robërve tanë të sinqertë.”

– “Dita e Jetës” për sahabët që morën pjesë në Bedër, ishte kur për ta u tha: “Beni ç’të doni, sepse gjynahet tuaja janë falur…”

– “Dita e Jetës” për Talhan ishte kur në shpinën e tij mbajti Profetin alejhi selam, ditën e Uhudit. Atë ditë përgëzimi për Talhën ishte: “Xheneti është për ty…”

Dikujt mund t’i jepet një rast me anë të të cilit ai të fitojë krenari të përhershme dhe lumturi të përbotshme. Allahu ia jep këtë mundësi dikujt duke ia lehtësuar rrethanat që një qëndrim i caktuar të ndodhë.

Allahu shikon zemrat e krijesave të Tij, dhe Ai është i Gjithëdijshëm për fuqinë e besimit dhe moralin e tyre. Ai besim dhe moral demonstrohet përmes një veprimi apo qëndrimi i cili kthehet në një burim rrezatimi dhe ndryshon rrjedhën e jetës së dikujt. Jo vetëm kaq, por edhe fletët e punëve të tij që do t’i paraqiten Ditën e Gjykimit.

Ndaj pyes, të dashurit e mi, cila është dita juaj? A ka ardhur apo ende jo?

PARAMENDONI!

Të jetë një lot në vetmi!

Të jetë mposhtja e egove apo tekave!

Të jetë gëzimi që përcjell në zemrën e vëllait!

Të jetë fërkimi i kokës së jetimit!

Të jetë puthja e dorës së nënës!

Të jetë një buzëqeshje në fytyrën e tjetrit!

Të jetë një fjalë e drejtë dhe e vërtetë!

Të jetë ndihma e nevojtarit!
Të jetë mbrojtja e të diskriminuarit!

Të jetë mposhtja e inatit!

Të jetë shmangia e një përplasjeje!

Të jetë mbulimi i një turpi!

Askush nuk e di se nga do i vije ai “çast vendimtar”.

Të dashurit e mi!
Le të bëjë secili nga ne, çdo ditë një punë të mirë. Mirë do ishte të jetë e fshehtë. Sepse tek ajo mund ta gjejë shpëtimin dhe ajo mund të jetë dita jonë e premtuar: “Dita e Jetës”

Përktheu: B. Kasemi

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit