Çfarë presin Kosova dhe Serbia nga takimi i Berlinit?

Mos i humb

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk presin që në takimin e Berlinit me (29.04) të ketë ndonjë marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk pret që në takimin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që mbahet me datën 29 të këtij muaji nën organizimin e Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, të ketë ndonjë propozim për marrëveshje Kosovë-Serbi.

Në këtë mënyrë, Presidenti Thaçi hodhi poshtë spekulimet në disa medie të Prishtinës dhe ato të Serbisë, ku shkruhej se “po zhvillohen biseda të fshehta”, para takimit të Berlinit me synimin arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”, shkroi në profilin e tij Presidenti Thaçi. Ai thotë se nga takimi i Berlinit pret rikonfirmim të perspektivës evropiane për rajonin e Ballkanit.

“Deklarata retorike”

“Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, shkroi Presidenti Thaçi, duke rikujtuar se “Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë”.

“Prandaj, të flasësh për perspektiven evropiane të Kosovës, qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike, është më tepër se hipokrizi”, thotë Thaçi.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk pret që nga takimi i Berlinit do të ketë ndonjë marrëveshje Kosovë-Serbi, por, e pranon që siç thotë “do të ketë biseda të vështira me përfaqësuesit shqiptar”.

“Bisedimet nuk kanë asnjë lidhje me asnjë zgjidhje për Kosovën, por atje tema e takimit do jenë taksat dhe vazhdimi eventual i dialogut me Prishtinën. Asnjë zgjidhje nuk është afër, kur bëhet fjalë për Kosovën. Priten bisedime të rënda me përfaqësuesit shqiptar, nuk do të jetë lehtë as me Merkel dhe Macron, por kjo nuk ka të bëjë me ndonjë zgjidhje për Kosovën”, citojnë mediet në Serbi, Presidentin Vuçiq. Presidenti i Serbisë, ka vënë një ultimatum për Kosovën që ta heq taksën ndaj mallrave të saj deri më datën (06.05), në të kundërtën do të ndëmerr siç thotë, “kundërmasa ndaj Kosovës”.

“Nëse taksa ndaj mallrave serbe nuk hiqet deri më 6 maj, atëherë do të mbahet një seancë speciale e Komitetit Kryesor të (SNS)-së në Serbi, në të cilin do të dalim me masa kundër Prishtinës”, citohet Aleksandar Vuçiq.

Haradinaj dhe taksat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon ta mbajë qëndrimin se taksa ndaj mallrave të Serbisë mund të hiqet vetëm atëherë kur Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës. “Nuk po paragjykoj çka do ndodhë me 6 dhe pas 6 majit, por ajo që po apeloj tek të gjithë vendimmarrësit në Serbi është që në vend të ultimatumeve duhet t’i kthehemi tavolinës dhe të arrijmë një marrëveshje për njohje reciproke. Është pa që ultimatumet, kërcënimet, nuk japin rezultate të duhura në Ballkan dhe tavolina, marrëveshja mund të na çon përpara. Udhëheqësit serbë të ulen e ta arrijmë një marrëveshje për njohje reciproke me Kosovën në kufijtë ekzistues”, tha Ramush Haradinaj.

Nga ana tjetër, Kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, thotë se “çështjet e hapura me Serbinë duhet të përfundohen në mënyrë që të hapet ardhmëria evropiane për vendin”.

“Unë besoj që do të bëhemi bashkërisht, pushteti dhe opozita që t’i lëmë inatet mes vete dhe të përfundojmë çështjen me Serbinë. Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe nuk ka asnjë dilemë dhe ne po flasim vetëm për raportet Kosovë-Serbi drejt Bashkimit Evropian, por në çështjen e së ardhmes së Kosovës, ne as që do të hapim diskutim për atë çështje për vet faktin se territori dhe institucionet janë një e të pandashme dhe janë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kadri Veseli.

Pritjet e analistëve

Sidoqoftë, takimi i Berlinit me datën 29 prill, ndodhë në kohën kur ka një ashpërsim të retorikes politike Prishtinë-Beograd dhe në periudhën e bllokadës së dialogut ndërmjet dy vendeve. Naim Rashiti, udhëheqës i Institutit Ballkanik për Politika Zhvillimore, thotë se “takimi në Berlin më 29 Prill, i liderëve të BE-se, Gjermanisë e Francës me vendet e Ballkanit ka për qellim të i jap shtytje:

– Miratimit të negociatave për Republikën Veriore të Maqedonisë,

– Shtytje përpara për fillimin e negociatave për Shqipërinë po ashtu, edhe pse gjithnjë e më e vështirë. Por ende duhet shtyrë ashtu që mos të ketë ndarje,

– Shtyrje përpara e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën,

– Dhe tentime për të rinisur dialogun Kosovë-Serbi.

“Gjermania po bën përpjekje që duke pasur presidentin francez në takim të shtyj se paku tri pikat e para, sepse Franca ende po kundërshton. Ky takim do të jetë kyç për këto tri çështje, mund të jetë takim i lajmeve të mira dhe takim i lajmeve shumë të këqija. Ceshtja e dialogut Kosovë Serbi është më e komplikuar sepse as këto dy vende nuk do të mund të përparojnë dialogun shumë, pa BE-në dhe SHBA-së”, thotë njohësi i politikave Ballkanike Naim Rashiti.

Qëndrimi i Gjermanisë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është që dialogu duhet të vazhdojë për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë e thanë në Prishtinë dy deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bayer nga (CDU) dhe Christian Schmidt nga (CSU) që ishin për vizitë në Kosovë në fillim të këtij muaji. Ata thanë se “Kosova dhe Serbia, duhet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”, por, ata janë “kundër këmbimit të territoreve”./DW

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit