CILAT JANË SHKAQET E PROBLEMEVE BASHKËSHORTORE?

Mos i humb

CILAT JANË SHKAQET E PROBLEMEVE BASHKËSHORTORE?

artesa është qetësim shpirtëror, bashkim i dy personave, prehje e madhe, lumturi, kënaqësia e imagjinuar prej çdokujt, përforcim dhe qëndrim. Me humbjen e saj dhe me ngritjen e presionit të brendshëm dhe të jashtëm, kjo lumturi dhe kënaqësi shpirtërore mbetet vetëm ëndërr e parealizuar.

Kur flasim për problemet bashkëshortore nuk kemi për qëllim problemet e vogla ditore apo problemet e zakonshme, apo ato probleme që janë rezultat i një situate të papritur, mirëpo problemet e vërteta që mund të çojnë deri në ndarjen e çiftit, probleme që kanë bazë dhe vendime të qarta.

Për këto probleme duhet të kthehemi te katër çështje që duhen shikuar, trajtuar dhe shëruar, nëse dëshirojmë që jeta të vazhdojë në formën më të mirë.

E ato janë:

E para: Zgjedhja e gabuar.

E dyta: Kuptimi i mangët në çështjet parësore.

E treta: Nivelet e ndryshme të edukimit.

E katërta: Mosnjohja e nevojave shpirtërore dhe emocionale.

E para: Zgjedhja e gabuar

Zgjedhja para martesës

Islami që në hapat e parë të marrëdhënieve bashkëshortore këshillon që të kihet kujdes në zgjedhjen e shokut të jetës dhe partnerin e kohës, duke e bërë këtë nga gjërat islame dhe nga shkaqet e lumturisë në martesë. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Martohet gruaja për katër gjëra; për pasurinë e saj, fisin e saj, bukurinë e saj dhe fenë e saj. Pra, martohu me atë që është fetare, që të gjesh qetësi.”[1]

Zgjedhja e mirë dhe e drejtë është zgjedhja e bazuar te feja dhe morali, është zgjedhja e cila i tejkalon problemet bashkëshortore apo ndoshta nuk ka fare të tilla, ngase feja është ligj i Allahut, ligj i zgjedhur dhe i përsosur për zgjidhjen e problemeve para se të ndodhin dhe pas ndodhjes.

Nuk ka qetësi aty ku nuk ka besim dhe nuk ka fe aty ku nuk ka kujdes për fenë e mund të themi se dobësia në fe është shkaku i të gjitha problemeve. Atëherë, të zgjedhësh dikë fetar e të devotshëm pa dyshim se është privilegj i çdo muslimani dhe muslimaneje.

Dallimi në moshë

Dallimi i vogël në moshë e bën martesën më të vlefshme dhe më të qëndrueshme, ngase e bën gruan ta respektojë më shumë burrin e saj, ngase e shikon me respekt dhe nder sepse është më i madh dhe me më shumë përovojë. E, kështu ecën edhe anija me kapitenin, e cila i përballon dallgët e jetës dhe fëmijët edukohen në frymën e natyrshmërisë.

Kjo nuk nënkupton që mosha e njëjtë nuk ka lumturi, kënaqësi dhe prehje shpirtërore, mirëpo po flasim për diçka që është më e mirë dhe më parësore, ngase jemi dëshmitarë të shumë familjeve që kanë lumturi ndonëse bashkëshortët janë në moshë të njëjtë.

Ndërsa dallimi në moshë të madhe (themi moshë e madhe nëse diferenca është mbi 20 apo më shumë vite) bën që familja të mos ketë sukses në karvanin jetësor, ngase ndryshon mentaliteti, koha dhe rrethanat e jetës.

Moskuptimi i plotë i qëllimit të martesës

Ka njerëz që martesën e kuptojnë si shfryrje dhe kënaqësi trupore, duke mos pasur parasysh obligimet e jetës martesore, sjelljen dhe moralin e sinqertë, urtësinë dhe respektin e vërtetë që meriton gruaja sipas ligjeve të Allahut, të cilat sot shumë pak po respektohen, e ndoshta dikujt prej nesh as që i shkon në mendje kjo.

Pra, martesa duhet parë si një korporatë që ka nevojë për mirëmbajtje të ndryshme, financiare ose edukativo-morale, e pa dyshim se ai që kërkon martesë duhet të përgatitet që të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë dhe nuk duhet ta kuptojë martesën si shkak për shtimin e fëmijëve e pastaj, kur të ballafaqohet me realitetin, t’i dalë e kundërta. Këtu pra fillojnë problemet, ngase nuk është përgatitur që të ballafaqohet me këto përgjegjësi.

E dyta: Kuptimi i mangët në çështjet parësore

Çështjet parësore janë pasuria, fëmija, mënyra e sjelljes, raportet intime.

Pasuria

Çështja e pasurisë është diçka shumë e ndjeshme, pasi për shkak të saj nuk lidhen bashkëshortët dhe ndikon negativisht tek ato zemra që janë të lidhura me të. Në realitet nuk duhet të jetë ashtu për një musliman apo muslimane të sinqertë, ngase pasuria e tyre duhet të jetë praktikimi i Islamit dhe pa dyshim se Allahu nuk i harron robërit e sinqertë. Fundi i fundit, pasuria vjen e shkon, por mbetet Islami në zemrat e tyre.

Allahu ka dhënë garanci që nëse martesa lidhet si shkak i devotshmërisë dhe Islamit mes tyre, do t’i pasurojë ata. A ka garanci më të mirë se garancia e Allahut? Por të paktë janë atë që e kuptojnë.

Fëmija

Pa dyshim se edukimi i fëmijëve është obligim madhor për të dy prindërit. Ndoshta burri nuk është në shtëpi një pjesë të madhe të kohës, kështu që barra bie mbi gruan më shumë. E, nëse ky obligim nuk kryhet si duhet, atëherë krijohen problemet bashkëshortore. Dalja nga ky kaos është programimi i kohës dhe i obligimeve në edukimin e mirë të fëmijëve.

Mënyra e sjelljes

Mënyra e sjelljes mes tyre është nga gjërat parësore në eliminimin e problemeve, ngase jeta bashkëshortore ngrihet në mirëkuptim dhe këshilla mes vete, për këtë edhe Allahu në Kuran ka urdhëruar: ”Silluni në raporte të mira me to.”[2]

Disa njerëz e shohin gruan si shërbëtore të burrit dhe të nënçmuar, ngase fuqia është tek burri dhe i takon atij të jep urdhra. Si rezultat i kësaj sjelljeje jo të mirë ndodhin probleme mes bashkëshortëve dhe familja kthehet në fushëbetejë dhe ka probleme të vazhdueshme, edhe pse feja islame i jep meritën më të lartë gruas, mirëpo të pakët janë ata që e kanë këtë mirësi.

Raportet intime

Pa dyshim se raportet e mira intime mes dy bashkëshortëve janë pjesa kryesore e një martese të lumtur dhe të frytshme, ngase edhe vetë martesa është prehje dhe kënaqësi mes dy palëve, ashtu siç e ka përshkruar edhe Allahu në Kur’an: ”Dhe nga faktet e (madhërisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” [3]

Pra, problemet në marrëdhëniet intime janë mangësi të mëdha për këtë prehje dhe dashuri shpirtërore dhe trupore.

E treta: Nivele të ndryshme edukimi dhe personaliteti

Personalitete të ndryshme

Personalitetet e ndryshme dhe moskuptimi i kësaj dukurie sjell probleme të shumta. Kemi raste kur bashkëshortët kanë personalitete dhe mendime të ndryshme, që nuk pajtohen dhe përshtaten njëri me tjetrin, prandaj duhet pasur kujdes se ndryshimi i personaliteteve është mrekulli nga Allahu i Lartësuar. Pra, nëse nuk përshtaten personalitetet mes tyre dhe nuk i kuptojnë kodet e njëri-tjetrit, do të ketë probleme të shumta.

Ndodh që dy personalitete të kundërta të kenë jetë të lumtur nëse kuptohen dhe dinë t’i mbajnë situatat e jetës nën kontroll, ngase kanë veçori të kundërta por i shfrytëzojnë për të mirën e njëri-tjetrit.

Jo të njëjtë në eksperiencën e jetës

Eksperienca e jetës lë gjurmë të mëdha në ngritjen e personalitetit dhe rezultatet e mira. Nëse është burri ai i cili ka eksperiencë në jetë, d.m.th. di të ballafaqohet me sprovat dhe problemet jetësore, pa dyshim se shumë probleme do evitoheshin.

Gjithashtu kjo varet nga fakti nëse eksperienca e tij është e suksesshme apo e dështuar, ngase njeriu çdo herë është rob i ideve, duke u munduar që ato ide t’i realizojë në praktikë.

Rritja dhe edukimi në ambiente të ndryshme

Rritja dhe edukimi në ambiente të ndryshme pa dyshim se është nga shkaqet që sjellin probleme bashkëshortore, ngase ndryshon atmosfera dhe rrethi ku janë rritur dhe traditat e jetës, duke sjellë edhe probleme të ndryshme. Por nëse është prezent Islami, këto probleme evitohen shumë shpejt, ngase Islami është i njëjtë për të gjitha ambientet.

E katërta: Mosnjohja e nevojave shpirtërore dhe emocionale

Analizat e shumta e kanë bërë të qartë se nga shkaqet kryesore të problemeve bashkëshortore është mosnjohja dhe moskuptimi i nevojave shpirtërore të njëri-tjetrit. Pra, ndjenjat shpirtërore janë diçka shumë madhore në jetën dhe prehjen e dy bashkëshortëve, diçka që buron nga thellësia e shpirtit.

Mosnjohja e këtyre ndjenjave dhe emocioneve bëhet shkaktare që bashkëshortët të krijojnë bindjen se tjetri nuk e do ashtu siç e do ky atë e pastaj rrjedhin probleme të shumta. Dashuria e plotë arrihet atëherë kur secili prej tyre mendon se e do tjetrin për Allahun më shumë sesa ai e do këtë.

Me pak fjalë, që problemet të evitohen me lehtësi ekziston një rrugëzgjidhje, një kushtetutë që i përmbyll të gjitha: është bindja shpirtërore, besimi dhe nënshtrimi i plotë ndaj Allahut dhe urdhrave të Tij.

Pra, zgjidhe atë që është fetare, do të gjesh lumturi. Mos u mashtro nga pasuria, bukuria apo pozita e saj apo e tij, shiko praktikimin e Islamit dhe të Sunnetit tek ajo apo ai, zgjidhe atë që është më afër Sunnetit, sepse e di më shumë vlerën dhe respektin ndaj teje.

Pa dyshim se Allahu e di ku është suksesi e në Kur’an thotë: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij, Allahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm.”[4]

Pra, këshillë nga Allahu për të gjithë që martesën ta rregullojnë në bazë të praktikimit të Islamit dhe Sunnetit. Nëse bëhet me këtë qëllim, pa dyshim se Allahu ka për të derdhur mëshirë dhe pasuri mbi ta.

_____________________

[1] Mutefekun alejhi

[2] En Nisa 19

[3] Err-Rrum 21

[4] En Nur 32

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit