Cili është denimi i ngrënësit të kamatës?

Mos i humb

Ngrënësi i kamatës!

Shejh Ebu Islam Salih bin Taha Abdulvahid (Allahu e shëroftë!): Robër të Allahut! Allahu Lartësuar në Librin e Tij thotë: “Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet por ç’i duhet se u kujtua! Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai, e askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai!“[1]

I Lartësuari thotë: “Ja, ky është Xhehenemi, të cilin e mohonin keqbërësit! Ata do të sillen në mes të zjarrit dhe ujit të valuar në kulm.”[2]

Takimi ynë sot -inshaAllahu teala- është me një nga të përgëzuarit me zjarr. Por ai nuk do jetë në të përjetësisht nëse vdes si njësues i Allahut të Lartësuar.

A e dini se kush është ai, o robër të Allahut?

Ai është ngrënësi i kamatës.

Ngrënësin e kamatës Allahu Lartësuar e ka përgëzuar me zjarr në Librin e Tij. I Lartësuari thotë: “Ata të cilët hanë kamatën,[3] nuk ngrihen[4] ndryshe veçse ashtu si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet.

Kjo, sepse ata thonë se tregtia është njësoj si kamata, por Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën.[5] Prandaj, atij të cilit i vjen këshillë nga Zoti i tij[6] dhe i jep fund (kamatës), ajo që ka kaluar është e tij,[7] dhe çështja e tij është tek Allahu.

[8] Ndërsa ata që kthehen sërish,[9] ata janë banorët e zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[10]“[11]

I Lartësuari thotë: “O ju, që keni besuar! Mos e hani kamatën shtesë mbi shtesë të shumëfishtë[12] dhe kini frikë Allahun,[13]që të shpëtoni! Kini frikë zjarrin,[14] i cili është përgatitur për mosbesimtarët![15] Bindjuni Allahut[16] dhe të të Dërguarit, që të mëshiroheni.”[17]

Përse është përgëzuar me zjarr ngrënësi i kamatës?

E para: Sepse ai ka mëkatuar ndaj Allahut.

Ngase ai ka kundërshtuar Allahun dhe i ka kaluar (shkelur) kufijtë e Tij. Allahu Lartësuar thotë: “Këto janë kufijtë e Allahut, ndaj mos i kaloni ata, sepse ata që i kalojnë kufijtë e Allahut, pikërisht ata janë të padrejtët.”[18]

I Lartësuari thotë: “Ndërsa kushdo që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i shkel kufijtë e vendosur nga Ai, Allahu e fut atë në zjarr, ku do të qëndrojë përgjithmonë dhe do të ketë dënim poshtërues.[19]“[20]

Allahu Lartësuar e ka ndaluar kamatënnë Librin e Tij dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Allahu Lartësuar thotë: “por Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën.[21]” El-Bekare, 275

I Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe hiqni dorë nga ajo që ka mbetur prej kamatës,[22] nëse vërtetë jeni besimtarë.”[23]

I Lartësuari thotë: “O ju, që keni besuar! Mos e hani kamatën shtesë mbi shtesë të shumëfishtë[24].”[25]

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Largohuni nga shtatë shkatërrueset.” I thanë: O i Dërguari i Allahut! Kush janë ato? Dhe përmendi prej tyre: “ngrënia e kamatës.”[26]

Pas këtyre argumentave për ndalimin e kamatës, ngrënësi i saj (kamatës) i kalon (shkel) kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe hanë kamatën.

Vijon…

“El-Mubeshirune bin-Nar. Durusun ue idhaatun ue i’berun”

Përktheu: Unejs Sheme

[1] El-Fexhr, 23-26

[2] Er-Rrahman, 43-44

[3] Ata që punojnë me kamatë, që e marrin dhe e japin atë.

[4] Nga varret e tyre në ditën e ringjalljes.

[5] Shtesa që vjen nga kamata nuk është njësoj si shtesa që vjen nga tregtia, por mes tyre ka dallim të madh, sepse e para është padrejtësi ndërsa e dyta e fituar me punë dhe djersë.

[6] Përkujtimi dhe paralajmërimi që përmendet në ajetet e Kuranit në lidhje me pasojat e kamatës dhe përfundimin e praktikuesit të saj.

[7] Kamata që ka ngrënë dhe ka praktikuar para se t’i vijë këshilla, është në favor të tij dhe ai nuk do të merret në llogari për të, si shpërblim për pranimin e këshillës që i erdhi dhe dhënies fund kamatës.

[8] Shpërblimi i tij është tek Allahu, si dhe e ardhmja e tij është në Dorë të Allahut, i Cili nëse do e ruan atë nga rënia përsëri në kamatë dhe nëse do, e lë atë që të bierë përsëri në kamatë.

[9] Që i kthehen praktikimit të kamatës dhe nuk u bën dobi këshilla, por vazhdojnë me këmbëngulje të praktikojnë kamatën.

[10] Fjala më e saktë e dijetarëve në lidhje me komentimin e ajeteve ku përmendet kërcënimi me qëndrim të përjetshëm në zjarr të atyre që veprojnë gjynahe të mëdha, siç është ngrënia e kamatës, vrasja e një besimtari pa të drejtë, etj, është të thuhet se këto vepra për të cilat Allahu ka caktuar përjetësi në zjarr, ato meritojnë atë dënim dhe se ai është dënimi i caktuar për to sikur të mos kishte ndonjë arsye tjetër që e pengon këtë dënim dhe e anullon atë.

Por arsyeaja dhe pengesa ekziston. Ajo është njësimi i Allahut dhe besimi, dy gjëra të cilat pengojnë që poseduesi i tyre të qëndrojë përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit. Tekste nga Kurani dhe Suneti, si dhe unanimi i të parëve të ymetit musliman, pohojnë dhe vërtetojnë këtë gjë.

Sikur njeriu të mos ishte njësues i Allahut dhe larg shokvëies së Tij, vepra e tij e keqe do ta fuste në zjarr atë, pa e hedhur vështrimin te mosbesimi i tij, e si do të ishte puna e tij kur i bashkon edhe mosbesimin edhe veprat e këqija?! Shejh Abdurrahman es-Sadij (Allahu e mëshiroftë!)

[11] El-Bekare, 275

[12] Ashtu si e hanit në kohën e injorancës para Islamit: kur dikush i jepte tjetrit një sasi të caktuar pasurie deri për në një afat të caktuar, pastaj vinte koha e kthimit të borxhit dhe ai nuk kishte ta kthente, i kërkonte shtyrje të afatit kundrejt një shtese mbi pasurinë e tij që mori borxh.

[13] Në çështjen e kamatës dhe në çdo urdhër e ndalesë të Allahut, dhe bindjuni Allahut, që të shpëtoni nga dënimi i Tij dhe të fitoni xhenetin e Tij.

[14] Ku mund të futeni për shkak të ngrënies së kamatës, pasi Allahu jua ka ndaluar atë.

[15] Zjarri i xhehenemit është përgatitur për mohuesit e Allahut, prandaj mos e thyeni Urdhrin Tim dhe mos e lëni bindjen ndaj Meje pas besimit tuaj, sepse përndryshe do të futeni në zjarrin e përgatitur për mohuesit!

[16] O besimtarë, bindjuni Allahut në çdo gjë që ju ndalon prej praktikimit të kamatës dhe çdo ndalese tjetër, dhe bindjuni të Dërguarit, Muhamedit gjithashtu, në çdo gjë që ju urdhëron e ju ndalon, sepse ai nuk flet nga vetja e tij, por me urdhër nga Allahu.

[17] Al-Imra, 130-132

[18] El-Bekare, 229

[19] Qëndrimi përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit do të jetë për ata që vdesin duke qenë mohues, mosbesimtarë, kurse ata që vdesin duke qenë besimtarë por që kanë vepruar të këqia për të cilat meritojnë dënimin e Allahut, edhe nëse Allahu i dënon ata në zjarr, nuk do t’i lërë përgjithmonë në të, por do t’i nxjerrë nga ai dhe do t’i fusë në xhenet.

[20] En-NIsa, 14

[21] Shtesa që vjen nga kamata nuk është njësoj si shtesa që vjen nga tregtia, por mes tyre ka dallim të madh, sepse e para është padrejtësi ndërsa e dyta e fituar me punë dhe djersë.

[22] Mos e kërkoni pjesën e mbetur pa marrë nga shtesa e vendosur mbi kapitalin tuaj fillestar, por hiqni dorë nga kamata në çast dhe përgjithmonë.

[23] El-Bekare, 278

[24] Ashtu si e hanit në kohën e injorancës para Islamit: kur dikush i jepte tjetrit një sasi të caktuar pasurie deri për në një afat të caktuar, pastaj vinte koha e kthimit të borxhit dhe ai nuk kishte ta kthente, i kërkonte shtyrje të afatit kundrejt një shtese mbi pasurinë e tij që mori borxh.

[25] Al-Imran, 130

[26] Mutefekun alejhi./Mesazhi/

Artikulli i mëparshëm
Artikulli i rradhës
- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit