ÇOHU: Universitetet publike në shërbim të politikës

Mos i humb

Universitetet publike në Kosovë përballen me vështirësi të mëdha në realizimin e punës së tyre dhe meqë janë themeluar si premtim në fushatë zgjedhore, pa buxhet e kushte, këto universitete ndikohen lehtë nga politika e cila është munduar t’i arrijë synimet e saj duke ndërhyrë në mënyra të ndryshme në punën e tyre.

Ky konkluzion ka dalë në hulumtimin “Universiteti si fushatë” i realizuar nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, ku janë hulumtuar Universiteti i Pejës, ai i Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt dhe ai i Gjakovës.

Autori i këtij hulumtimi Besnik Boletini, ka thënë se këto Universitete janë krijuar si premtime elektorale në fushata zgjedhore, e kjo sipas tij është mangësia kryesore pasi janë krijuar pa një analizë të mirëfilltë.

Ai tha se vendimet për hapjen e këtyre Universiteteve janë marrë në kohë fushate, e kjo sipas tij ka bërë që në këto Universitete të vërshojnë anëtarët e partive politike. Sipas tij, në këto njësi akademike janë rehatuar militantët partiak.

Një problem tjetër sipas hulumtimit është mungesa e theksuar e stafit akademik. Autori i hulumtimit tha se shumë profesor që punojnë në Universitetin e Prishtinës ligjërojnë edhe në këtë Universitete, e që sipas tij kjo bënë që cilësia e studimeve të vihet në pikëpyetje.

“Shumica e profesorëve që ligjërojnë edhe në Universitetin e Prishtinës ligjërojnë edhe në këto Universitete. Prandaj, në këtë aspekt edhe cilësia e studimeve vihet në pikëpyetje. Ne kemi marrë disa të dhëna ta zëmë për katër Universitete siç është ai i Pejës i ka 74 profesor të rregullt, kurse 100 të angazhuar. I Mitrovicës 110 të rregullt, 35 të angazhuar, Universiteti i Prizrenit 66 të rregullt, ndërsa 140 të angazhuar dhe ai i Gjakovës 45 të rregullt dhe 50 të angazhuar. Duhet të theksojmë që bashkëpunëtorët e jashtëm janë për disa orë të caktuar dhe këtu paraqiten problemet kur është numri i madh i tyre, sepse mungojnë shpesh në ligjërata, në konsultime dhe në proceset tjera të mësimdhënies. Kjo është një mangësi e madhe sa i përket cilësisë së mësimdhënësit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, një problematikë tjetër sipas autorit të hulumtimit është kërkesa që ka ardhur që këto Universitete të mbyllen. Ai thotë se me ndërrimin e partisë që udhëheq me Ministrinë e Arsimit ka ardhur edhe kjo kërkesë.

Një tjetër e metë sipas hulumtimit është edhe se këto Universitete nuk kanë kode buxhetore të tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit