Covid-19, mbi 24 mijë viktima/ Edhe sa të vdekur mund të përballojmë?

Mos i humb

Nuk arrin t’u besosh syve e veshëve të tu. Pas dy javësh paralizim tani fillojnë të bëhen llogaritë e para: të vdekur kundrejt rritjes ekonomike. Kjo nuk duhet të ndodhë, mendon Henrik Böhme.

Eshtë një pyetje, ndaj së cilës nuk ka përgjigje. Unë për vete të paktën nuk kam përgjigje. Disa besojnë, se e dinë cila është përgjigja. Thelbi, rreth të cilit zhvillohet tani debati është: çfarë ka për ne më shumë vlerë? Mbrojtja e shëndetit të individit apo mbrojtja nga një krizë e tmerrshme ekonomike?

Për dekada unë kam shkruajtur për pasojat ekonomike të krizave të çfarëdolloji. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, pas falimentimit të  Bankës Lehman Brothers, madje kam përjetuar drejtpërdrejt shpërbërjen e një sistemit të tërë, më 1989 në Republikën Demokratike të Gjermanisë. E tani ky virus. I padukshëm. I panjohur. Ende. Kjo e panjohur është ajo, që e bën atë kaq të rrezikshëm. Ajo që na bën ne të durojmë ndalimin e kontakteve dhe të qarkullimit. Të pranojmë lëshimin e leje-qarkullimeve për arsye profesionale, si dhe reduktimin në minimum të jetës ekonomike dhe publike. Imazhe të fundit të botës nga një apokalips. Në radio nuk ka më lajme për bllokim trafiku në orët e pikut.

Ne po mësojmë të xhonglojmë tani me shifra edhe më të mëdha se sa në kohët e krizës botërore të financave. Dy bilionë Dollarë kushton paketa e ndihmës së SHBA-së, 750 miliardë Euro lëvron Banka Qendrore Europiane, 600 miliardë qeveria gjermane. Kudo në botë po konceptohen paketa të tilla. E natyrisht shumë shtrojnë pyetjen: Kush do t’i paguajë këto në fakt?  Mos vallë sërish do të veprohet si në krizë financiare, si pasojë e së cilës shtetet zhyten deri në fyt në borxhe? Pra është kursyer kaq shumë – kryesisht në sistemet sociale, shëndetësore, në arsim dhe në investime. Ka studime serioze të mjekëve britanikë, sipas të cilëve si pasojë e krizës financiare mes viteve 2008 dhe 2010 kanë vdekur mbi 500.000 vetë më shumë vetëm prej sëmundjeve kancerogjene, sepse për arsye të kursimeve ose nga papunësia (prej nga kanë humbur edhe sigurimin shëndetësor) nuk kanë mundur të marrin trajtimin e duhur mjekësor.

E tani sërish shtrohet çështja, se sa të vdekur mund të përballojmë ne? Pyetjen mund ta shtrosh edhe ndryshe: Çfarë ka më shumë vlerë për ne njerëzit? A guxojmë ne të bëjmë llogari të tilla, sikurse bën Alexander Dibelius (Menaxher i Private-Equity, ish- shef i Goldman-Sachs në Gjermani), i cili pyet: Eshtë e drejtë, që dhjetë përqind e popullsive të kërcënuara më fort prej Coronas të mbrohet, në këmbim të asaj që pjesa tjetër bashkë me tërësinë e ekonomisë popullore të pengohet në maksimum duke pasur si pasojë të mundshme shkatërrimin afatgjatë të bazës së mirëqenies sonë?

A ka kalkulim më të ftohtë se kaq? A mund të jesh edhe më fort i prirur prej llogarive? E sa për dijeni ai është me profesion mjek. Si qëndron puna me betimin e Hipokratit? A duhen imazhe edhe më therëse, se ato që po na mbërrijnë nga Italia? Mjekë, që ndodhen përpara vendimeve johumane, se kë mund të trajtojnë dhe kë duhet ta lenë të vdesë. Sistemet e rrënuara të shëndetësisë – për ta penguar këtë, ky është qëllimi i masave të rrepta Shutdown aktualisht. Sepse nëse në spitale mbizotërojnë kushte si ato tani në Itali, atëherë do të duhet të vdesin edhe më shumë pacientë, që shtrohen p.sh. me infarkt akut kardiak apo hemoragji cerebrale. Për Dr. Dibelius ndoshta ky është dëmi kolateral. E pra edhe më shumë se një milionë të vdekur në SHBA, sikurse ka përllogaritur Imperial College në Londër? Edhe një pyetje për mjekun profesionist Dibelius: A e keni lexuar çfarë shkruan studenti 20 vjeçar i mjekësisë në Mulhuzin francez, që u duhet t’i paketojnë të vdekurit në thasë të zinj plastike për transport?

Natyrisht paralizimi ekonomik është një problem gjigand: Si për lokalin tek qoshja e rrugicës së shtëpisë, që mezi e nxirrte ditën. Ashtu edhe për regjisoren freelance, që i ndërpriten për një gjysmë viti të gjitha shfaqjet e planifikuara. Po ashtu edhe për agjencitë e vendeve e të shërbimit catering. Lista është pafund. Ose edhe për fare të mëdhenjtë: Lufthansa, që tani e ka të gjithë flotën e avionëve të parkuar në tokë, sepse askush nuk fluturon më. Volkswagen e ka mbyllur prodhimin, ndërkohë që për këtë verë kishte planifikuar prezantimin e bujshëm të makinës së re elektrike. Asgjë nuk do të bëhet tani. Edhe kjo i bën të qarta përmasat e krizës. Natyrisht Volkswagen dhe shumë fabrika të tjera janë mbyllur, sepse prioritet ka shëndeti i punëtorëve. Nga ana tjetër edhe nëse do të prodhohej, xhiroja do të mbetej në vend, sepse ndërkohë askush nuk do të blejë makina.

Pra virusi po bren sistemin tonë, shoqërinë tonë. Po na heq liritë. Po na sjell humbjen e kontrollit. Po trondit besimin tonë, që mendojmë se kemi për çdo problem një zgjidhje. Po na sjell recesionin e madh. Po. E megjithatë nuk duhet të ndodhë që ne të seleksionojmë. Të izolojmë të moshuarit (mqs. ra fjala po vdesin edhe të rinj prej virusit), që ekonomia të rritet sërish. Natyrisht shkencëtarët janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre, se çfarë dëmi social e ekonomik shkakton çdo masë e marrë tani. Ndaj edhe masat do të rishikohen.

Jo, ne duhet ta përballojmë tani fazën e përkohshme të ndalesës. Ta ruajmë filizin e solidaritetit, që është krijuar prej krizës në mesin e një shoqërie thellësisht egoiste. Ky është mjeti më i mirë në të vërtetë kundër Coronas.

Sa i përket ekonomisë, me të sërish do t’ia dalim. Për këtë jam plotësisht i sigurtë. DW

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit