Damasku…! Nga: Muhamed Sytari

Mos i humb

Damasku! A mund të përshkruhet Damasku? A mud të përshkruhet xheneti para dikujt, që s’e ka parë atë? Kush mund ta përshkruajë atë, që është një botë ëndrrash dashurie, lavdie trimërishë dhe mrekullie përjetësishë? Kush mund të shkruajë për të, me lapsat e kësaj bote të përkohshme, kur ajo është një copëz e xheneteve të përjetshme?

Damasku, të cilin e mban në gji mali kryelartë e krenar, në mes të shkëmbinjve, pemëve, kodrinave mbi tokë…

Damasku, të cilin e përqafon GUTA, kjo nënë e dhembshur, përherë në gjelbërim, që dëgjon me vëmendje lutjet përgjëruese të duarartave që mbushin ujë burimesh dhe zhurmën e gurgullimave të ëmbla të krojeve të Beredasë, që rrjedh pa pushim në drejtim të lindjes së diellit, teksa vrapon gjithë natën drejt tij, për ta kaluar, teksa ai lind…

Damasku, që ruhet nga Rebvaja, syhapur në mihrabin e saj shkëmbor, në madhërim e falënderim ndaj All-llahut, që i dha gjysmën e bukurisë, njëkohë që gjysmën tjetër e ndau në cepat e tjerë të botës…

Rebvaja, nuk është asgjë tjetër, veçse një ëndërr e bukur, plot mister, që pushton zemrën e soditësit të saj me më të bukurat ndjesi, që ka përjetuar ndonjëherë një zemër njerëzore… Secilit i kujton netët e dashurisë së saj dhe orët e lumturisë, pastaj ëndrra venitet duke u kthyer në një kujtim të ëmbël, që s’e fshin dot asnjë ndodhi, as e mbulon dot rrjedha e kujtimeve…

Rebvaja është tingull, prej tingujve të qiellit, që e ka luajtur vetëm një herë për veshin e tokës! Rebvaja është Rebvaja, për ata që s’e njohin dhe kaq!

(Rebvaja (Er-Rebveh), zgjatet në një luginë mes dy malesh; mali Kasijun perëndimor dhe mali Mizze lindor, drejt perëndimit të fushës së Damaskut. Aty rrjedh lumi Bereda me shtatë degëzimet e tij, ndërsa ujvarat derdhen mrekullisht nga lart poshtë. Sot, përgjatë saj shtrihet rruga drejt Libanit. Ibn Batuta e vizitoi Rebvenë, në shekullin e tetë hixhri dhe pasi u kthye në Tanxha, pas ekspeditave të tij të famshme, shkroi për të: “Prej panoramave më të bukura të botës…”)

Damasku është qyteti më i lashtë i botës, më i moshuari ndër ta, më i pjekuri në qytetërim! Ishte qytet i begatë, para se të lindej Bagdadi dhe Kajroja, Parisi dhe Londra. Para se të zinin zanafillë piramidat dhe të gdhendej në shkëmb fytyra e Ebul-Houlit. Ai mbeti qytet i begatë, edhe pasi u shuan qytete të tëra dhe gjurmët e tyre.

Në Damask është grumbulluar trashëgimia e krejt kohërave! Banorëve të saj sot, i kanë kaluar krejt veçoritë e banorëve të saj të lashtë; në shpirtrat e tyre ka ngjyresa, njësoj si ato të tokës së tij, prej gjurmëve të qytetërimit dhe trashëgimisë së të shkuarës, shtresë mbi shtresë. Civilizimi rrjedh në venat e tyre, bashkë me gjakun, ata janë trashëgimtarët e tij dhe mbartësit e flamurit të tij; civilizimi ndër ta, është natyrë e lindur!

Cilit qytet pra, i ka dhënë All-llahu njëherazi, bukurinë e rinisë dhe prezencën plot madhështi të pleqërisë, siç ia ka dhënë Damaskut?

* Nga vepra e eruditit të shquar damasken, Ali Tantavi, “Damasku”, botimi i shtatë, Xhide 2014.

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip, Muhamed B. Sytari.

Mekë, 24 shkurt 2018

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit