Dashuria “bardhezi” sjell begati në Tanzani

Udhëtarja dhe bamirësja nga Turqia Sevde Sevan Usak, ka marrë vlerësime pozitive për aktivitetet humanitare në Masai në Tanzani, vendlindjen e bashkëshortit të saj Fabio Saita me të cilin u njoh pesë vite më parë.

48-vjeçarja Sevde Sevan Usak e cila jeton në Stamboll, është udhëtare e cila ia ka dedikuar jetën fotografisë. Me fotografitë rreth njerëzve dhe natyrës në 74 vende që i ka shëtitur, ajo ka përgatitur shkrime udhëtimi për gazeta dhe revista, ndërsa pesë vite më parë, ajo gjeti dashurinë në Tanzani.

Usak, e cila u njoh me Fabio Sumaili Saita, i cili merrej me bujqësi dhe blegtori në rajonin Masai, vendosi të vë kurorë me të pas rënies në dashuri në shikim të parë.

Çifti ka një jetë martesore të lumtur tanimë pesë vite. Një pjesë të jetës, Usak e ka kaluar në Masai, ndërsa në Turqi drejton një agjenci e cila merret me botimin e librave për fëmijë.

Në rajonin Masai, ku jeton me bashkëshortin e saj, Usak ka qenë dëshmitare e jetës së vështirë të njerëzve. Ajo ka krijuar kontakte me organizatat qeveritare turke që brenda një viti të hapen katër puse të thella uji në disa vende ku ka mungesë të rrymës elektrike dhe ujit.

Uji i pastër i nxjerrë nga puset në zonat e përfshira nga thatësira kanë ndryshuar fatin e rajonit. Për një kohë të shkurtër, Usak ka fituar dashurinë e popullatës së rajonit duke kultivuar 15 lloje të perimeve dhe pemëve.

Usak është emëruar si “White Masai” (Masai e bardhë) dhe “nusja turke”. Popullata po ashtu e vlerëson atë për shkak të bujarisë së saj dhe dialogut të fuqishëm që ka krijuar, gjë e cila reflektohet në faktin që banorët e vendit i emërtojnë të posalindurit me emrin e saj.

“Nusja e bardhë”, e cila thuajse ka ndryshuar fatin e rajonit në të cilin jetojnë dy mijë banorë dhe e cila tërheq vëmendjen edhe me shpërndarjet e saj në rrjetet sociale, është nderuar me disa çmime.

Usak, e cila ka ardhur në Konya të Turqisë për të marrë pjesë në një konferencë, për Anadolu Agency (AA) rrëfeu për jetën e saj të pazakontë.

Ajo tregon se ka lindur në Zvicër dhe se brenda 25 viteve ka shëtitur 74 shtete dhe se pesë vite më parë nisi rrëfimin në Tanzani i cili ia ndryshoi jetën.

Dashuri “bardhezi” në shikim të parë

Usak tregon se kishte shkuar për të vizituar fisnin Masai, kur ishte takuar me bashkëshortin e saj.

“Sapo u njohëm, ai më propozoi martesë. Procesi u zhvillua me shpejtësi dhe për kohë të shkurtër u martuam. Tre-katër muaj qëndroj në Tanzani dhe më pas ndjek edhe punët në Turqi. Në ndërkohë, shkoj edhe në shtete të tjera. Edhe bashkëshorti im vjen këtu disa herë në vit. E caktojmë planin e punës sipas gjendjes. Ai e do shumë Turqinë. Është simpatik”, thotë Usak.

“Me karakterin e tij gazmor pushtoi edhe zemrën e familjes sime. Ne flasim në gjuhën angleze. Unë përpiqem të mësoj gjuhën e tyre Swahili”, shton ajo.

Popullata u njoh me pemët dhe perimet

Duke folur për vështirësitë si pasojë e mungesës së ujit në rajon, Usak thotë: “Unë kontaktova me shoqata dhe fondacione në Turqi. Brenda një viti u hapën katër puse të thella. Jeta e popullatës ndryshoi në tërësi. Më parë, ata ecnin tri deri në pesë orë për t’u furnizuar me ujë, i cili ishte me baltë dhe jo i shëndetshëm”.

Ajo më tej thekson se në rajon mbillej vetëm misri dhe se nuk kishte pasur pemë dhe perime.

“Unë solla fara nga Turqia. Mbollëm 15 lloje të perimeve në një sipërfaqe prej tre-katër dynymësh. Të gjitha dhanë frytat. Për herë të parë në jetë panë domate, speca, tranguj, fasule dhe kunguj. Për herë të parë i shijuan këto prodhime. Tani e kanë mësuar kultivimin në kopsht dhe do ta avancojmë këtë gjë”, shtoi Usak.

Usak është nderuar me disa çmime për sakrificën e saj dhe veprimtarinë humanitare. Ajo ka fituar çmim në mesin e 1.500 rrëfyesve në organizimin e edicionit të katërt të Çmimeve Ndërkombëtare të Mirësisë të organizuar nga Fondacioni Turk i Çështjeve Fetare me sloganin “Botën do ta ndryshojë mirësia”./Rtv Islam/