Dashuria dhe respekti për profetin Muhammed (Paqja qoftë mbi të!)

Mos i humb

 

Ndryshimi në raport me Allahun nuk mund të merr kuptim pa mos ndryshuar edhe në raport me të Dërguarin e Tij,  Profetin Muhammed [Paqja qoftë mbi të!]. Natyrisht, edhe dashuria e respekti për Profetin janë bindje, fjalë dhe vepër. Profeti nuk është thjesht njeri dhe udhëheqës për ne; ai është Profet, pasimi i të cilit është fe. Për këtë shkak, besimi ynë ngelë i mangët e me mundësi të mëdha refuzimi nëse dashuria për të nuk është mbi dashurinë ndaj çdokujt tjetër përveç Allahut. Allahu ka thënë: “Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu të sjellë vendimin e Tij. All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.” [Et-Teube: 24] Profeti [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Nuk ka besuar (komplet) ndokush prej jush përderisa mua të mos më dojë më shumë se babanë, fëmijën dhe njerëzit në tërësi.”[1] Umerit [Allahu qoftë i kënaqur me të!], që i tha Profetit [Paqja qoftë mbi të!] se e donte më shumë se çdokënd tjetër përveç vetes së tij, i tha: “Jo, o Umer, derisa të mos jam edhe më i dashur tek ti se vetja jote.” [2]  Madje, dashuria për të dhe pasimi i tij janë imazh i drejtpërdrejtë i dashurisë për Allahun. Në Kur’an qëndron: “Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu të ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” [Ali Imran: 31]

Dashuria dhe respekti nuk mund të shprehen pas mos  zbatuar më parë misionin e tij. Allahu na mëson: “…Çka t’ju jep i Pejgamberi, atë merreni e çka t’ju ndalojë, largohuni prej saj dhe kijeni frikë All-llahun…” [El-Hashr: 7]: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër fare. E kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” [El-Ahzab: 36]

Respektimi për Profetin [Paqja qoftë mbi të!] është mënyrë e vlerësimit të vetvetes në jemi apo jo prej banorëve të Xhennetit. Në hadith të saktë qëndron: “I tërë ummeti im do të hyjnë në Xhennet, përveç atyre që refuzojnë! E kush është ai që refuzon, o i Dërguari i Allahut?- e pyetën. Ai që më respekton mua, do të hyjë në Xhennet, ndërsa ai që më kundërshton, ai ka refuzuar të hyjë.”[3]

Dashuria për Profetin [Paqja qoftë mbi të!] diktohet, përveç tjerash, edhe nga dashuria e tij për ne. Allahu thotë: “I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për veten e tyre;…” [El-Ahzab: 6] Ibn Kethiri në shpjegim të këtij ajeti thotë: ‘Duke marrë në konsideratë dhembshurinë e tij për ummetin dhe sinqeritetin e tij në raport me ta, e bëri atë më të afërt për veten tonë dhe vendimin e tij më të rëndësishëm se vendimi që mund të marria ata… ’ [4]

Për dhembshurinë e Profetit dhe angazhimin e tij Allahu na mëson edhe në shumë vende tjera në Kur’an.[5]

Me Profetin [Paqja qoftë mbi të!] duhet patur etikë të veçantë. Ai nuk është thjesht njeri, është edhe profet. Allahu na urdhëron në Kur’an që ta dallojmë atë në formën se si i drejtohemi e si flasim me të. “O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm.” [El-Huxhurat: 1] Ibn Abbasi ka thënë: Mos ia paraprini me të folur.[6]

Nuk është aspak etike ta përmendësh emrin e Profetit ndërsa të mos i dërgosh salavate (të thuash: Allahumme sal-li ala Muhammed). Kjo për faktin se Allahu e ka nderuar me këtë privilegj, siç ka thënë në Kur’an: “Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” [El-Ahzab: 56]

Etike është edhe që emri i tij të mos përmendet pa e shoqëruar edhe me profetësi, pra Profeti Muhammed. Allahu na mëson në Kur’an: “Thirrjen e të Dërguarit mos e konsideroni si thirrjen tuaj ndaj njëri-tjetrit…” [En-Nur: 63]

Etika manifestohet edhe gjatë citimit të thënieve të tij. Imam Maliku e kishte zakon që të mos citonte asnjë hadith pa mos marrë abdes më parë. Madje, siç shënon Hal-likani në Vefejat (4/136), me gjithë moshën e shtyrë dhe dobësinë fizike, e kishte zakon që në Medinë të mos shalonte kafshën, thoshte: Nuk hipi ndërsa jam në qytetin në të cilin është i varrosur trupi i Profetit [Paqja qoftë mbi të!].

Porosia: “E kushdo që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!” [En-Nisa: 69]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit