Deklarata e Balfourit, letra që ndryshoi fatin e Palestinës

Mos i humb

Deklarata e Balfourit, të cilin ministri i jashtëm britanik i kohës Arthur Balfour ia dërgoi më 2 nëntor të vitit 1917 Lordit Rothschild, mbrojtësit të famshëm të cionizmit, është një nga hapat kryesore drejt realizimit të ëndrrave të hebrenjve për të themeluar një shtet izraelit në territoret palestineze.

Dokumenti të cilin ministri britanik Balfour gjatë Luftës së Parë Botërore ia shkroi Rothschildit, i cili “premtonte një shtet për hebrenjtë në trojet palestineze”, ishte shpallur si Deklarata e Balfourit. Deklarata konsiderohet si momenti më i rëndësishëm historik në drejtim të krijimit të shtetit izraelit.

Deklarata e përgatitur në fund të shkrimeve reciproke mes Rothschildit dhe Balfourit synonte të lë përshtypje te diaspora hebreje në SHBA-të e sapokyçura në luftë, për të cilën Britania besonte se është e fuqishme.

“I dashur Lord Rothschild. Kam shumë kënaqësi t’ju përcjell deklaratën e mëposhtme, e cila në emër të Qeverisë së Madhërisë së Tij i është dorëzuar kabinetit dhe është pranuar, dhe e cila me simpati i ka pritur aspiratat hebreje cioniste”. Me këto fjalë fillonte deklarata, e cila më tej vazhdon:

“Qeveria e Madhërisë së Tij e sheh të përshtatshëm krijimin në Palestinë të një atdheu kombëtar për popullin hebre dhe do të bëjë përpjekjet më të mira për të lehtësuar arritjen e këtij objektivi, duke u kuptuar qartë se nuk do të bëhet asgjë që mund të dëmtojë të drejtat civile dhe fetare të bashkësive johebraike në Palestinë ose të drejtat dhe statusin politik të gëzuar nga hebrenjtë në çdo vend tjetër”.

Letra, të cilën Balfouri e përfundon me shprehjen: “Do të jem mirënjohës që këtë deklaratë t’ia prezantoj Federatës Cioniste”, më vonë mori edhe mbështetjen e Italisë, Francës dhe SHBA-ve.

– Rritja e migrimit hebre në trojet palestineze

Një javë pas publikimit të Deklaratës së Balfourit më 2 nëntor të vitit 1917, deklarata u shpërnda nëpër shtyp. Kjo deklaratë po ashtu përbënte themelet e mandatit britanik në trojet palestineze, i cili u miratua në vitin 1922 në Lidhjen e Kombeve.

Nën mandatin britanik, mes viteve 1920 dhe 1940 në Palestinë u shpejtua migrimi hebre, ndërsa ai u rrit edhe më shumë për shkak të holokaustit të realizuar nga nazistët ndaj hebrenjve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë këtij procesi, palestinezët u përpoqën ta kundërshtojnë rritjen e popullsisë hebreje në trojet e tyre. Megjithatë, pas tërheqjes së britanikëve nga Palestina me përfundimin e mandatit, në vitin 1948 u realizua themelimi i shtetit izraelit, gjë të cilën palestinezët e përkujtojnë si Nakba (Katastrofa).

Me themelimin e shtetit izraelit pas tërheqjes së britanikëve nga Palestina, procesi i okupimit u intensifikua edhe më shumë, ndërsa qindra mijëra palestinezë u dëbuan nga vendlindja dhe pësuan humbje të mëdha në jetë dhe pasuri.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Izraelit, disa shtete arabe, përfshirë Egjiptin, Sirinë, Jordaninë dhe Libanin, më 15 maj të vitit 1948 i shpallën luftë Izraelit.

Pas kësaj lufte, Izraeli zgjeroi kufijtë në kundërshtim me planin e ndarjes së OKB-së së vitit 1947.

Izraeli, i cili doli fitimtar nga lufta, pushtoi një pjesë të trojeve palestineze, përfshirë edhe Kudsin Perëndimor.

Pas luftës, Izraeli rriti në 78 për qind kontrollin mbi trojet palestineze, së bashku me vendet e pushtuara.

Ndërkaq, pas “Luftës Gjashtëditore” në qershor të vitit 1967, Izraeli pushtoi edhe Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor.

I mbështetur nga pjesa dërmuese e komunitetit ndërkombëtar dhe i themeluar në territoret historike palestineze, shteti izraelit, terreni i të cilit u përgatit nga Balfouri, ende i trajton si “vende pa popull” rajonet në të cilat aktualisht jetojnë palestinezë, mbi gjysma e të cilëve janë detyruar të migrojnë.

– Më shumë se gjysma e palestinezëve refugjatë

Edhe pse kanë kaluar 101 vjet nga Deklarata e Balfourit, pasojat e saj ndihen ende në jetën e palestinezëve.

Me themelimin e Izraelit pas Deklaratës së Balfourit, masa më e prekur që duhej të shpërnguleshin nga viti 1948, duke lënë prapa tokat e tyre, ishin ata që sot definohen si “refugjatët palestinezë”.

Bandat e armatosura cioniste në vitin 1948, pasi detyruan migrimin e rreth 957 mijë palestinezëve nga fshatrat dhe qytetet historike të Palestinës, shpallën krijimin e Izraelit më 14 maj të të njëjtit vit.

Ende nuk ka përfunduar katastrofa e dëbimit të mijëra palestinezëve, e cila filloi në mesin e shekullit të kaluar. Shumë palestinezë prej rreth 70 vitesh vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira nëpër kampe.

Që nga themelimi i Izraelit, numri i refugjatëve palestinezë ka arritur në afër gjashtë milionë.

Sipas institucioneve ndërkombëtare, një milion e 300 mijë palestinezë jetojnë në Gaza, afër 800 mijë në Bregun Perëndimor, ndërsa pjesa tjetër në Siri, Liban dhe Jordani.

Popullsia e përgjithshme e palestinezëve përkon me shifrën 12 milionë 400 mijë, kurse refugjatët përbëjnë pothuajse gjysmën e këtij numri.

– Donald Trump, Balfouri i ri

Teksa palestinezët prej një shekulli shtypen nga pasojat që krijoi Balfouri, presidenti amerikan Donald Trump prej kohësh kërkon një “zgjidhje” të tij për konfliktin palestinezo-izraelit.

Trump ka theksuar se së shpejti do të shpalosë atë që është quajtur si “Marrëveshja e Shekullit”, e cila ka shkaktuar shqetësime se mund të jetë një katastrofë e re e llojit të Balfourit.

Duke raportuar në lidhje me detajet e planit të Trumpit, mediumet ndërkombëtare kanë komentuar se Marrëveshja e Shekullit nuk do të ofrojë zgjidhje për çështjen palestineze, por do ta thellojë edhe më tej atë.

Siç thuhet, plani do t’ia dorëzojë tërë Kudsin Izraelit dhe do të mundësojë vazhdimësinë e një pjese të madhe të vendbanimeve ilegale hebreje në Bregun Perëndimor.

Plani thuhet se nuk do të përfshijë të drejtën e refugjatëve palestinezë për t’u kthyer në trojet e tyre.

Po ashtu, theksohet se plani do t’i ofrojë palestinezëve si kryeqytet vetëm një lagje të largët të Kudsit dhe do të njjihet si “Balfouri i dytë”./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit