Demarkacioni, Veseli: Na mungojnë ende disa vota

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka paralajmëruar se legjislativi, gjatë javës së ardhshme do të trajtojë 52 pika të ndryshme në tri seanca të ndara parlamentare.

Por, megjithatë, asnjë nga këto seanca nuk ka të bëjë me çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për shenjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Lidhur me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, sipas tij, grupet parlamentare po punojnë për arritjen e një konsensusi.

“Na duhen edhe disa vota. Vetëm një reflektim pak më qytetar i një pjesë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe do të shkonim drejt e në seancë”, ka thënë Veseli.

Ai ka shprehur besimin se, së shpejti do të arrihet një vendimmarrje, e cila do të jetë në interesin e qytetarëve lidhur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se, pas ratifikimit të marrëveshjes për shenjimin e vijës kufitare me Malin e Zi nga Kuvendi do të kërkojë që qeveria e Kosovës të japë dorëheqjen dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se qeveria aktuale e drejtuar nga Ramush Haradinaj është krijuar me premtimin për të marrë vendime të mëdha, e sipas tij deri më tani nuk është marrë asnjë vendim i tillë.

Sipas Hotit, seancat e Kuvendit të Kosovës nuk po zhvillohen normalisht dhe në të shumtën e rasteve shumica parlamentare nuk po merr fare pjesë në votime, duke shkaktuar mungesë kuorumi për vendime të caktuara./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit