Dënime me burg për inspektorët komunalë të qeverisjes së LDK-së

Mos i humb

 

 

 

Gjykata Themelore e Prishtinës, sot ka dënuar më burgim ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës, të cilët akuzoheshin për veprat penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tetëmbëdhjetë vjet e katër muaj në total është dënimi për Ismet Haliti, Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rrukiqi, Blerin Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala, Granit Cenaj që ishin zyrtarë komunal gjatë kohës së qeverisjes së Prishtinës nga Isa Mustafa i LDK-së.

Ndërsa Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë ndërtimore “Pozhegu brothers” që ishte pjesë e këtij grupi  sot u dënua me 20 mijë euro për falsifikim të dokumenteve, shkruan Insajderi.

Këta njëmbëdhjetë persona ishin akuzuar nga prokurorja e Prokurorisë Speciale Drita Hajdari, nga të cilët dhjetë ishin zyrtarë komunal dhe një biznesmen.

Pretendohej se kanë vepruar si grup kriminal, duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, për kryerjen e veprave penale, gjatë periudhës  janar  2010 – mars 2014.

Ata u kanë sjellë përfitime financiare disa biznesmenëve hiç më pak se 28.503,922,00 euro. Ata, do të duhej të rrënonin 49 objekte pa leje por nuk e bënë atë.

“Të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës, së bashku u kanë mundësuar investitorëve që të ndërtojnë objekte kolektive banesore, në kundërshtim me ligjin për ndërtim, duke iu siguruar atyre dobi të mëdha materiale, si dhe nga shitja e banesave dhe lokaleve, dobi financiare në shumë të përgjithshme prej 28.503,922,00 euro”, sipas prokurorisë.

Këta zyrtarë dhe biznesmeni Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ishin arrestuar në prill të vitit 2014.

I dënuari kryesor i këtij grupi, Ismet Halitit iu shqiptua dënimi me burg prej tre vjet e gjashtë muaj për keqpërdorim detyre, si dhe 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, shkruan Insajderi.

Ismet Haliti kishte mbajtur pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës si ushtrues detyre, për gjashtë vjet . Ai nuk kishte të drejtë të emërohej në këtë pozitë për shkak se kishte të kryer vetëm shkollën e mesme.

Përveç kësaj, ligji nuk lejon ushtrimin e detyrës më shumë se tre muaj. Por Komuna e Prishtinës, në atë kohë nuk kishte shpallur konkurs asnjëherë për këtë pozitë.  Në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit, për herë të parë Ismet Haliti ishte caktuar më 1 korrik 2008 me vendim të Siqeri Spahiut për një periudhë prej 90 ditësh por i ishte vazhduar disa herë deri në kohën e arrestimit.

Fillimisht Haliti ishte punësuar si ekzekutues. Aty kishte ardhur nga pozita e shoferit të kamionit special të bërllokut në kompaninë “Higjeno-Teknika” .

Kryeinspektori i ndërtimit Ismet Haliti së bashku me kolegët e tij, është dashur t’i rrënojë 49 objekte pa leje.

Prokuroria Speciale pretendonte se Inspektorët komunalë, kanë përfituar nga pronarët e firmave të ndërtimit Bedri Prishtina, pronar i firmës “Tregtia”, Azem Rusinofci, pronar i firmës “Reforma”, dhe bashkëpronar i firmës “Zero Group”, Ymer Veliu pronar i firmës “Burimi Comerc”, Milazim Veliu, pronar i firmës “Naki Trade”, Arbër Kryeziu, pronar i firmës “Al Petrol”, Arsim Maxhuni, pronar i firmës ndërtimore “Redoni”, Fisnik Morina, pronar i firmës “Arti Group”, Hysen Sadiku, përfaqësues i firmës “Export Import Nazi” dhe “Hysi Group”, Bejtush Gashi, pronar i firmës ndërtimore “VG Construction”.

Kurse pronari i kompanisë “Pozhegu Brothers”, që është arrestuar bashkë me zyrtarët, dyshohet se ka falsifikuar lejen e ndërtimit për një objekt që tashmë ka nisur të rrënohet në lagjen “Mati” në Prishtinë. Në atë pjesë është duke u ndërtuar nga kjo kompani një kompleks banesor, ku të gjitha janë me leje, përveç bllokut A3. Këtë objekt dyshohet se e ka ndërtuar me një leje false.

Përveç Ismet Halitit, Skender Canolli u dënua me dy vjet e 6 muaj për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Blerina Syla, Vehbi Avdullahu, Mërgim Shala e Blerim Ibishi gjykata i dënuan me nga dy vjet burg, ndërsa Arbenita Ajeti, Drita Rukiqi dhe Granit Cenaj me nga 1 vjet e gjashtë muaj.

afaristi Qemajl Pozhegu, është dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit