Desha të të uroja Kosovë, por..

Mos i humb

Shkruan: Jusuf Thaçi

Vërtet desha të të uroj Kosovë për 10-vjetorin e pavarësisë, për 10-vjetorin e shtetësisë, por ndërgjegjja nuk më lejoi të të uroj, duke më torturuar me pyetje të njëpasnjëshme, të cilat ta pamundësojnë ta injorosh realitetin dhe të urosh e të festosh, qoftë edhe vetëm për një ditë të vetme. Më fal, por nuk jam hipokrit!

Të të uroj se si u pavarësove e si u ngjize si shtet?!
Ti u pavarësove dhe e fillove shtetësinë duke mohuar historinë e trashëgiminë tënde. Megjithëse pavarësinë e shtetësinë tënde e mundësuan dëshmorët, martirët, invalidët e çlirimtarët, ti i mohove të gjithë, e mohove gjakun, gjymtyrët, sakrificën, mundin e djersën e të gjithë atyre që të mundësuan të bëhesh shtet. Në deklaratën e pavarësisë tënde e në kushtetutën tënde nuk pate as edhe një paragraf vend për t’i mirënjohur këto kategori, për ta njohur e mirënjohur luftën e UÇK-së, thua se pavarësia e shtetësia jote na erdhi nga qielli. Me simbolet e imponuara, pa asnjë simbolikë përfaqësuese, ti na mohove mileniume të tëra histori e shekuj të tërë simbolikë. Na mashtrove se u bëre shtet i pavarur e sovran, por edhe pas 10 viteve nuk ke sovranitet mbi një pjesë të madhe të territorit, nuk ke ushtri siç kanë të gjitha shtetet e botës dhe me kushtetutën tënde nuk lejon qytetarët e tu ta realizojnë vullnetin e tyre për të vetëvendosur.
Më fal, por për të gjitha këto nuk meriton të urohesh!

Të të uroj për institucionin e Presidentit të vendit?!
E për cilin president të deritanishëm të të uroj? Për të parin që u detyrua të largohet sepse kishte shkelur kushtetutën? Për të dytin që u zgjodh në mënyrë jo-kushtetuese? Për të tretën që mbiu nga zarfi? Apo për të katërtin që u zgjodh nën masa të dhunshme policore?
Më fal, por nuk e di për cilin nga këta presidentë të të uroj!

Të të uroj për institucionin e Kuvendit të vendit?!
E për cilin kuvend të të uroj? Për kuvendin që është peng i 10 deputetëve serbë, pa të cilët nuk mund të ndryshojë kushtetutën dhe shumicën e ligjeve të rëndësishme? Për kuvendin që krijon gjykata politike për të dënuar çlirimtarët? Për kuvendin që miraton falje të territorit tënd shteteve fqinje? Për kuvendin, deputetët e të cilit nuk përfaqësojnë as vullnetin e vet e as vullnetin e popullit, por ndryshojnë qëndrim brenda minutash, sikur të ishin skllevër të shefave partiakë e të ndërkombëtarëve?
Më fal, por nuk mund të gjej arsye për të të uruar për këtë institucion!

Të të uroj për institucionin e Qeverisë të vendit?!
E për cilën qeveri të të uroj? Për qeverinë që e fali e e shiti gjithë pasurinë publike e shtetërore? Për qeverinë që e varfëroi vendin e qytetarët dhe që ka shkatërruar pothuajse çdo sferë e fushë të jetës së qytetarëve? Për qeverinë që dëshiron të krijojë mbi-qeveri të serbëve në Kosovë (Zajednicën), qoftë edhe duke e shkelur kushtetutën e vendit? Për qeverinë që negocion me Serbinë për vet qenien e shtetit dhe për rregullimin e brendshëm të tij? Për qeverinë që e konsideron shtetin si pronë personale e si plaçkë lufte? Për qeverinë që në varfërinë e vendit është më e madhe se ajo e Kinës?
Më fal, por nuk e di se për cilën qeveri të të uroj!

Të të uroj për institucionin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të vendit?!
E për cilën akademi të të uroj? Për akademinë e matufosur të pleqve të një partie politike? Për akademinë që megjithëse harxhon para të qytetarëve asnjëherë nuk bëri shkencë as art? Për akademinë shërbëtore të pushtetarëve? Për akademinë dhe akademikët, puna dhe kredencialet e të cilëve nuk njihen e nuk pranohen përtej mureve të godinës së akademisë?
Më fal, por do duhej të isha i verbër për të të uruar për këtë!

Të të uroj për arsimin e vendit?!
E për cilin arsim të të uroj? Për arsimin që na ka shpjerë në vendin e fundit të botës në vlerësimet ndërkombëtare? Për çerdhet e kopshtet që kanë vend vetëm për 3 përqindëshin e fëmijëve tanë? Për shkollat ku mbillet injorancë e nga të cilat diplomojnë analfabetët? Për shkollat që torturojnë talentet? Për universitetin publik më të vjetër të vendit, i cili është me vite drite larg universiteteve të botës së qytetëruar? Për universitetet tjera publike, të cilat simulojnë universitetin në ndërkohë që nuk përmbushin kriteret e standardet as për shkollë fillore? Për institucionet private të arsimit të lartë, të cilat janë bizneset më fitimprurëse në vend dhe janë shndërruar në fabrika të prodhimit të diplomave?
Më fal, por as optimisti më i madh nuk mund të të urojë për këtë!

Të të uroj për shëndetësinë e vendit?!
E për cilën shëndetësi të të uroj? Për shëndetësinë që i vdes njerëzit nga papërgjegjësia? Për shëndetësinë që i verbon fëmijët? Për shëndetësinë që i lë shtatzënat të lindin në pllakat e korridoreve? Për spitalet publike që i ngjasojnë kampeve të përqendrimit? Për shëndetësinë që pushtetarëve ju siguron mijëra euro për shërim jashtë vendit, ndërsa qytetarët e zakonshëm i lë të vdesin apo të kërkojnë lëmoshë nga qytetarët? Për shëndetësinë private që është shndërruar në rrjepëse të qytetarëve hallexhinj?
Më fal, por do të bëja shaka nëse do të të uroja për këtë!

Të të uroj për zbatimin e drejtësisë, rendit dhe ligjit në vend?!
E për ç’drejtësi, ç’rend e ç’ligj të të uroj? Për gjykatat që mbushin burgjet me të burgosur politikë? Për burgjet që vrasin të burgosurit? Për prokurorët që dyshohen për falsifikim dhe të cilët nuk guxojnë të ndjekin asnjë nga pushtetarët e korruptuar? Për policinë, kupola e të cilës është bërë mburojë e krimit?
Më fal, por do të bëja krim po të të uroja për këtë!

Të të uroj për ekonominë e vendit e mirëqenien e qytetarëve?!
E për cilën ekonomi e për ç’mirëqenie të të uroj? Për ekonominë që na ka lënë si vendi më i varfër i kontinentit? Për ekonominë që është nën kontrollin e një grusht njerëzish të lidhur me pushtetarët dhe që i shërben vetëm këtyre? Për ata mijëra qytetarë që jetojnë në kufijtë e varfërisë ekstreme? Për ata mijëra qytetarë që nuk mund të punësohen? Për ata mijëra qytetarë që ëndrrën më të madhe e kanë ikjen nga vendi sapo të kenë mundësi për një jetë normale?
Më fal, por do të ishte poshtërsi po të të uroja për këtë!

Të të uroj për artin, kulturën e trashëgiminë historike të vendit?!
E për ç’art, ç’kulturë e ç’trashëgimi të të uroj? Për kryeqytetin pa asnjë vepër të mirëfilltë artistike? Për shtatoret pa fije shije artistike që janë vendosur gjithandej nëpër vend? Për teatrin kombëtar, aktorët e të cilit paguhen sa një pastrues? Për artistët që detyrohen të shndërrohen në lypsarë për të mbijetuar? Për muzikën që i ngjanë pornografisë? Për kalatë që janë shpërfytyruar? Për Kompleksin e Familjes Jashari që është buzë rrënimit? Për varrezat e dëshmorëve e komplekset memoriale që janë shndërruar në deponi mbeturinash e kullosa lopësh?
Më fal, por do të isha kundër qytetërimit po të të uroja për këtë!

Kosovë, shteti im, vërtet desha të të uroja për 10-vjetorin e pavarësisë tënde, por realiteti i hidhur më dikton të mos e bëj një gjë të tillë. Po ta bëja do të isha qejfbërës dhe hipokrit! Në vend të kësaj, zgjedh të angazhohem, të punoj e të kontribuoj për një realitet të ri, që një ditë vërtet të mund të të uroj për përvjetorin e pavarësisë tënde, pa u bërë hipokrit. Deri atëherë, shpresoj të mos dorëzohemi asnjëri!

Prishtinë, më
17 shkurt 2018

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit