Dështimi i madh i Shpend Ahmetit, ka realizuar vetëm 6 premtime nga 81 të tilla

Mos i humb

Instituti GAP ka publikuar në platformën online dinamikën e realizimit të premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët aktualë të komunave në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2017.

Prej mbi 900 premtimeve të dhëna në 26 komuna, për pjesën e parë të këtij mandati janë përmbushur plotësisht 95 premtime, pjesërisht të përmbushura rezultojnë 53 premtime, ndërsa në 301 premtime ka pasur nisma në përmbushjen e tyre, përderisa 455 premtime akoma nuk kanë nisur së realizuari.

Numri më i madh i premtimeve të realizuara është shënuar në fushën e infrastrukturës, arsimit dhe administratës. Ndërsa fushat ku ka më së paku lëvizje në përmbushjen e premtimeve është ajo e ekonomisë, shëndetësisë, bujqësisë, shërbimeve publike si dhe në fushën e urbanizmit.

“Disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore, gjë që e bën vlerësimin e premtimeve të pamundur. Komunat si Skenderaj, Mamushë dhe 10 komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete”, thotë GAP në njoftimin për media.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga 81 premtime të bëra gjatë fushatës së fundit zgjedhore të vitit 2017, ka realizuar vetëm 6 sosh plotësisht, ka 3 premtime gjysmë të përfunduara, 23 sosh të filluara dhe 49 tjera që ende s’ka filluar të punojë në to.

Bashkim Ramosaj i Deçanit, nga 27 premtime të bëra, ka përfunduar 5 sosh, 4 janë gjysmë të përfunduara, 12 të filluara dhe vetëm 6 që ende s’kanë filluar.

Shaban Shabani i Dragashit, nga 13 premtime, tre ka të përfunduara, 0 gjysmë të përfunduara, 8 të filluara dhe 2 që ende s’kanë filluar.

Ramiz Lladrovci i Drenasit, nga 24 premtime, ka përfunduar 3, 3 të tjera gjysmë të përfunduara, 8 të filluara dhe 10 ende s’i ka filluar.

Agim Aliu i Ferizajt, nga 39 premtime, ka përfunduar në tërësi 4, 4 të tjera gjysmë të përfunduara, 15 të filluara dhe 16 tjera që ende s’kanë filluar.

Burim Berisha i Fushë Kosovës, nga 42 premtime, ka realizuar 5 në tërësi, 2 janë gjysmë të përfunduara, 14 të filluara dhe 21 që ende s’i ka filluar.

Ardian Gjini i Gjakovës ka bërë 78 premtime, nga të cilat 3 i ka përfunduar, 1 është i gjysmë përfunduar, 8 të filluara dhe 66 tjera ende s’i ka nisur.

Lutfi Haziri i Gjilanit ka bërë 32 premtime, 4 i ka përfunduar, 1 e ka gjysmë të përfunduar, 7 i ka filluar dhe 20 sosh ende janë në pritje.
Instituti GAP vlerëson faktin se kandidatët për kryetarë të komunave gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017 kanë qenë më të kujdesshëm në dhënien e premtimeve, zgjidhja e të cilave është kompetencë e niveleve tjera të qeverisjes.

Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që të mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna dhe të ruajë besimin e qytetarëve rreth procesit zgjedhor. Në vazhdimësi, kjo bëhet edhe në bashkëpunim me organizatat lokale të cilat duhet të fuqizohen edhe më tej në monitorimin e qeverisjes lokale./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit